22. Trazirat e Marsit 2004

Në mars të vitit 2004, shpërtheu dhuna në Kosovë pas mbytjes së tre shqiptarëve që ishin ndjekur nga qentë që pretendohej se i përkisnin serbëve. Shtëpitë dhe kishat serbe u sulmuan nga turmat shqiptare dhe disa mijëra serbë dhe pjesëtarë të tjerë komunitetit u zhvendosën ose u larguan nga Kosova. Edhe tek shqiptarët pati viktima. Mediat kosovare u konsideruan si nxitës të gjendjes emocionale, e cila e intensifikoi dhunën. Udhëheqja politike e Kosovës nuk arriti ta dënojë dhunën. Autoriteti i bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht KFOR-i dhe UNMIK-u, u dëmtua rëndë pasi nuk arritën t’i përgjigjeshin në mënyrë efektive dhunës, e cila vetë ishte pjesërisht rezultat i dështimit të tyre për ta zhvilluar pajtimin ndër-komunitar.

Trazirat e Marsit 2004 nuk shënohen fare në tekstet mësimore të historisë në Kosovë.

Trazirat e Marsit 2004 nuk shënohen fare në tekstet mësimore të historisë në Sërbi.

Ian King and Whit Mason

Më 17 mars 2004, mijëra shqiptarë të Kosovës u tërbuan në të gjithë territorin. Disa filluan vrasjen e serbëve; të tjerët shtëpitë e sërbëve dhe i hodhën në erë – më shumë se 700 shtëpi sërbe u dëmtuan ose u shkatërruan së bashku me kishat ortodokse serbe ose vendet kulturore, disa prej të cilave ishin shekullore. Mbi 4.000 serbë dhe anëtarë të grupeve të tjera minoritare, të perceptuara si të afërta me serbët u detyruan të iknin. Disa shqiptarë u vranë në përleshjet me policinë e KFOR-it dhe të UNMIK-ut. Në tërësi, nëntëmbëdhjetë vetë u vranë dhe më shumë se 1,000 u plagosën, disa prej tyre ishin paqeruajtës të KFOR-it ose anëtarë të forcës policore lokale të sapokrijuar.

Mediat e Kosovës, mbi të gjitha transmetuesit publik i financuar nga jashtë, luajtën një rol udhëheqës në nxitjen e entuziazmit për këtë turmë. Pjesa më e madhe e elitës së re politike të Kosovës, e emëruar me miratimin e OKB-së dhe subjekt i largimit nga shefi i UNMIK-ut, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, ofroi mbështetje të heshtur ose, më mirë, dënim me gjysmë zemre. Ndërsa trazirat përparuan, turmat shqiptare e shndërruan tërbimin e tyre kolektiv te sunduesit e tyre ndërkombëtarë, duke hedhur gurë në ndërtesat e OKB-së, duke djegur flamuj të OKB-së dhe duke shkatërruar më shumë se 100 Toyota 4 Runner 4x4s të administratës.

 

 

Oliver Schmitt

Gjatë pogromeve antiserbe (17 – 21 mars 2004) turma shqiptare sulmoi sërish kishat serbe dhe shkatërroi manastirin e Shën Arhangjelit në Prizren, në të cilin prej vitit 1998 sërish banonin murgjit. Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore serbe duhet të shikohet edhe nga prizmi i asgjësimit të përmendoreve shqiptare-myslimane në vitet 1998 dhe 1999. Duhet theksuar se politika shfarosëse e Milosevicit dhe propaganda e tij kundër islamit bëri që shqiptarët myslimanë të mos kenë më respekt për monumentet e krishtera. Ky respekt ishte krijuar gjatë shekujve. Kjo i shpjegon trazirat, por nuk i arsyeton ato.

 

 

James Ker-Lindsay

 

 

Çfarëdo përmirësimi i bërë për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, u mohua në mënyrë efektive në fillim të vitit 2004, kur Kosova pësoi luftimet më të këqija që nga viti 1999. Më 16 mars 2004, tre djem shqiptarë u mbytën në lumin Ibër. Megjithëse nuk kishte dëshmi për ta mbështetur ketë, brenda disa orësh mediat, përfshirë transmetuesin publik RTK, raportuan se fëmijët ishin ndjekur në lum nga qentë që u përkisnin sërbëve të Kosovës. Nuk ka mundur të vijë në një kohë më të keqe. Po atë ditë një sërë demonstrimesh po zhvilloheshin për të protestuar për aktakuzën e një numri të udhëheqësve të UÇK-së për krimet e dyshuara të luftës, të kryera në vitin 1999. Kështu që, zemërimi i drejtuar ndaj OKB-së u zmadhua dhe u drejtua edhe ndaj serbëve. Përkundër përpjekjeve më të mira të KFOR-it për të përmbajtur dhunën, ajo u përhap me shpejtësi në të gjithë krahinën; e ndihmuar pjesërisht nga ambivalenca e udhëheqësve lokalë. Rugova, i cili e kishte krijuar reputacionin e tij mbi rezistencën pasive, refuzoi të dënonte dhunën.

Ndikimi i trazirave ishte i madh. Deri në kohën e luftimeve, më 19 mars, u vlerësua se pothuajse 51,000 vetë kishin marrë pjesë në të paktën 33 incidente të ndryshme në të gjithë krahinën. Si rezultat, 19 persona u vranë, 8 serbë dhe 11 shqiptarë, dhe mbi një mijë u plagosën. Mbi 550 shtëpi ishin djegur, së bashku me 27 manastire dhe kisha. Kjo kishte lënë rreth 4,100 njerëz të zhvendosur. Ky numër nuk përfshinte vetëm serbët e Kosovës, por edhe anëtarët e pakicave të tjera, duke përfshirë edhe romët. Natyrisht, trazirat kishin një efekt jashtëzakonisht negativ në marrëdhëniet ndër-komunale. Çfarëdo besimi që mund të ketë qenë zhvilluar midis serbëve dhe shqiptarëve, u dëmtua rëndë. Incidentet gjithashtu çuan në një prishje në kontaktet midis Beogradit dhe Prishtinës. Pas dhunës, u ndalën bisedimet teknike në mes të IPVQ-ve të Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë. Megjithatë, trazirat gjithashtu shënuan një goditje katastrofike ndaj vendosjes së UNMIK-ut dhe KFOR-it. Për fillim, pas pesë viteve të punës, ata theksuan se sa pak përparim ishte bërë drejt pajtimit etnik midis serbëve dhe shqiptarëve. Sigurisht Kosova nuk ishte në rrugën e duhur për t’u bërë një demokraci paqësore multietnike. Ajo gjithashtu kishte një ndikim të thellë në marrëdhënien që kishin të dy organet me të dy komunitetet. Serbët e Kosovës, dhe pakicat e tjera, kishin humbur cilëndo besim që kishin në OKB për t’i mbrojtur ata. Ndërkohë, raportet e paqeruajtësve që nuk arritën të parandalonin sulmet, ose iknin përballë dhunës, së bashku me raportet që Shërbimi Policor i Kosovës kishte marrë pjesë në incidente, shkatërruan autoritetin e OKB-së në sytë e shqiptarëve të Kosovës. Një raport i Human Rights Whatch vuri në dukje disa muaj më vonë, se ‘Komuniteti ndërkombëtar ka humbur terren të madh në Kosovë si rezultat i dhunës së marsit: ekstremistët shqiptarë etnikë tani e dinë se ata mund të sfidojnë në mënyrë efektive strukturat ndërkombëtare të sigurisë duke demoluar nocionin e KFOR-it dhe të UNMIK-ut’. Shumë nga ata që u përfshinë në sulme nuk u sollën kurrë para drejtësisë ose morën dënime të pajustifikueshme.

(Fehmi Rexhepi ‘Historia 9’. Prishtinë: Libri Shkollor, 2010.
Jusuf Bajraktari, Fehmi Rexhepi, Frashër Demaj ‘Historia 10’. Prishtinë: Libri Shkollor, 2011.
Đorđe Đurić and Momčilo Pavlović ‘Istorija 8’. Belgrade: Zavod za udžbenike, 2010.
Đorđe Đurić and Momčilo Pavlović ‘Istorija 3’. Belgrade: Zavod za udžbenike, 2010.
James Ker-Lindsay “Kosovo: The Path to Contested Statehood in the Balkans”, London, I.B. Tauris, 2009; Oliver Schmitt ‘Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike’, Prishtinë, Koha, 2012; Ian King and Whit Mason ‘Peace at any price – how the world failed Kosovo’, Cornell University Press, 2006.)