3. Kosova gjatë sundimit nën Mbretin Dušan

Mbreti Stefan Dusan, i cili e quajti veten një kohë mbreti i Serbisë, Shqipërisë dhe Greqisë, sundoi në territorin e Kosovës, ku shqiptarët ishin pjesë e ushtrisë së tij dhe ndonjëherë kishin trajtim të barabartë me serbët, e po ashtu ndoshta vuanin një nivel të diskriminimit. Kodi i famshëm i Dushanit përmend gjithmonë shqiptarët së bashku me vllehët, por më tepër si blegtorë apo barinj sesa si grup etnik.

Nga tërë sundimi gati dyshekullor mesjetar sërb në Kosovë (1216-1415), tekstet në Kosovë fokusohen vetëm te sundimi nën Stefan Dušan-in (1331-1355), të cilin e portretizojnë me terma ekskluzivisht negativë: ‘…pushtuesit sërbë ushtruan shtypje dhe diskriminim të egër ekonomik, shoqëror e fetar, kolonizuan në masë të madhe tokat shqiptare’, dhe ‘…pronarët shqiptarë u zëvendësuan me pronarë sërbë, shumë emra vendesh i zëvendësuan me emra sllavë, në postet më të larta të administratës shtetërore gjendeshin vetëm sërbë…’. Më tej, këto tekste thonë se popullsia shqiptare i bëri ballë represionit, diskriminimit e kolonizimit, duke e ruajtur qenien e vet dhe shqiptarësinë e këtyre trojeve. Tekstet në Kosovë thonë se kishte kryengritje të fuqishme antisërbe që përfshinin të gjitha trojet, e që madje përkraheshin nga vendet europiane, kurse për motiv të tyre përmendin represionin, diskriminimin dhe kolonizimin.

Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 5. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 25-36; Bicaj, Isa dhe Arbër Salihu. Historia 7. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 40-52, 55-57; Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 10. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 155-168.

Tekstet e Sërbisë nuk prezentojnë asgjë nga sundimi sërb në Kosovë nën Mbretin Dušan.

Mihaljčić, Rade. Istoria 6. Beograd: Zavod za udžbenike, 2011, faqe 86-98, 104-114, 118-119; Katić, Tatjana dhe Dušan Ilijin. Istorija za I razred gimnazije. Beograd: Zavod za udžbenike, 2013, faqe 243-245.

Askund në botimet e studiuesve ndërkombëtarë që trajtojnë historinë e Kosovës nuk përmenden shtypje, diskriminime e kolonizime. Po ashtu, në botimet e studiuesve ndërkombëtarë që trajtojnë historinë e Kosovës askund nuk figurojnë kryengritje të fuqishme antisërbe. Në Perandorinë e Dušan-it shqiptarët kishin në të vërtetë një rol të madh: ushtria e Mbretit Dušan që e kishte pushtuar Greqinë e Veriut, përbëhej kryesisht nga shqiptarë, që u hakmerreshin bizantinëve për shkak të sulmeve të mëhershme kundër trojeve të veta. Pas këtij pushtimi madje një numër i madh shqiptarësh dhe vllehësh shqiptarë qenë shpërngulë për në Greqi. Mbreti Dušan nga selia e tij në Shkodër ishte nisë, në krye të një ushtrie, në të cilën me gjasë kishte pasë një numër të madh shqiptarësh, për ta sulmuar babanë e vet, Dečanski-n, në Nerodime, ku e kishte zënë rob dhe e kishte ekzekutuar. Në mbretërinë serbe në mesjetë, ishin dy grupe njerëzish që gëzonin trajtim të veçantë: shqiptarët dhe vllehët. Këto dy grupe përmendeshin disa herë, zakonisht së bashku, në Kodin e Mbretit Dušan, madje në një deklaratë të Mbretit Dečanski thuhej se ‘…sërbi nuk bën të martohet me vllehe’, çka nuk vlente edhe për shqiptarët, kurse një deklaratë e Mbretit Milutin i barazonte shqiptarët me sërbët.

Malcolm, Noel. Kosovo: A Short History. London: Pan Books, 2002, faqe 42-95; Schmitt, Oliver. Kosova: histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike. Prishtinë: Koha, 2012, faqe 39-46; Schmitt, Oliver. “Monada e Ballkanit” Shqiptarët në Mesjetë. botuar në librin e përgatitur nga Oliver Schmitt dhe Eva Anne Frantz. Historia e Shqiptarëve – gjendja dhe perspektivat e studimeve. Tiranë: Botimet Përpjekja, 2012, faqe 67-90; Bartl, Peter. Shqipëria nga Mesjeta deri Sot. Prizren: Drita, 1999, 24-31. Schmitt, Oliver. Shqiptarët – një histori midis Lindjes dhe Perëndimit. Tiranë: K&B, 2012, faqe 49-59.