
Në muajt e parë të vitit 1912, Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia kishin krijuar një aleancë ballkanike për t’u përgatitur për të organizuar luftë kundër osmanëve. Si pjesë e kësaj aleance, Ushtria Serbe hyri në Kosovë në tetor 1912 duke filluar një fushatë që do t’i çonte ata në Shqipëri drejt bregut të Adriatikut. Kështu, serbët rifitonin territoret që kishin humbur në 1389, djepin e Serbisë. Burime të pavarura historike kanë shënuar brutalitetin e veçantë të përdorur nga ushtria serbe dhe aleatët e tyre. Mijëra shqiptarë u vranë, u gjymtuan dhe u abuzuan dhunshëm, fshatrat dhe shtëpitë e tyre u shkatërruan sistematikisht. Historianët kanë arritur në përfundimin se shkalla e këtyre mizorive kishte për qëllim ndryshimin e demografisë së zonës së Kosovës për të forcuar kërkesat territoriale të këtyre shteteve të Ballkanit.
Ushtria sërbe e pushtoi Kosovën në tetor të vitit 1912 dhe iu drejtua pjesëve të tjera të Shqipërisë së Veriut dhe të Mesme. Pushtimi nga ushtritë e shteteve fqinje u shoqërua me veprime terroriste e gjakatare kundër popullsisë shqiptare, e cila iu nënshtrua dhunës dhe terrorit të shovinizmit të shteteve ballkanike.
[Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 5. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 68-77; Bajraktari, Jusuf, Fehmi Rexhepi dhe Frashër Demaj.Historia 10. Prishtinë: Libri Shkollor, 2011, faqe 74-81; Abdyli, Ramiz dhe Emine Bakalli. Historia 11. Prishtinë: Libri Shkollor, 2012, faqe 188-195; Bajraktari, Jusuf dhe Arbër Salihu. Historia 12. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 144- 154.]
Armata e Tretë Sërbe me depërtim të rrufeshëm e çliron Kosovën, dhe më tej përmes Shqipërisë veriore depërton në Detin e Adriatikut. Më 23 tetor 1912, në fushën ku është zhvilluar Beteja e Kosovës e vitit 1389, sërbët e festojnë çlirimin e Kosovës, djepit të shtetësisë së Sërbisë, që e kishin pritë shumë gjenerata gjatë shekullit 19. Nuk ka asnjë fjalë për krimet e kryera nga forcat sërbe në tetor 1912 – mars 1913.
[Đurić, Đorđe dhe Momčilo Pavlović. Istorija 3. Beograd: Zavod za udžbenike, 2010, faqe 67.]
Pas fillimit të largimit të regjimenteve osmane nga Kosova në fund të shtatorit 1912 dhe shpalljes së luftës kundër Perandorisë Osmane në fillim të tetorit 1912 nga Mali i Zi, e më pas edhe nga anëtarët e tjerë të Lidhjes Ballkanike (Sërbia, Bullgaria dhe Greqia), forcat sërbe futen në territorin e Kosovës. Shqiptarët vendosin mos me marrë pjesë në luftën mes aleatëve ballkanikë e osmanëve. Më 23 tetor 1912, në fushën ku është zhvilluar Beteja e Kosovës e vitit 1389, sërbët festojnë “çlirimin e Kosovës, djepit të shtetësisë së Sërbisë, që e kishin pritë shumë gjenerata gjatë shekullit 19”.
Raporti i socialdemokratit austriak Leo Freundlich “Golgota e Shqipërisë” thotë se numri i shqiptarëve të vrarë nga forcat sërbe në fund të vitit 1912 e në fillim të vitit 1913 shkon në 25 mijë. Për këto krime flasin shkrimet e korrespodentit të luftës për ditoret ruse, Leon Trocki, pastaj “Raporti i Komisionit Ndërkombëtar për Hetimin e Shkaqeve dhe Sjelljeve në Luftën Ballkanike”, hartuar nga Donacioni Carnegie për Paqe Ndërkombëtare. Po ashtu, për këto krime flasin edhe artikujt e socialdemokratëve sërbë: Dimitrije Tucović, Kosta Novaković, Dušan Popović, Dragiša Lapčević e Triša Kaclerović, të botuara në gazetën socialiste të Beogradit “Radnićke Novine”.
[Malcolm, Noel. Kosovo – A Short History. London: Pan Macmillan, 2002, faqe 245-257; Schmitt, Oliver. Kosova: histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike. Prishtinë: Koha, 2012, faqe 134-142; Schmitt, Oliver. Shqiptarët – një histori midis Lindjes dhe Perëndimit. Tiranë: K&B, 2012, faqe 168-169; Bartl, Peter. Shqipëria – nga mesjeta deri sot. Prizren: Drita, 1999, faqe 123-131; Schwartz, Stephen. Kosovo: Background to a War. London: Anthem Press, 2000, faqe 41-42; Gawrych, George. Gjysmëhëna dhe shqiponja – sundimi otoman, islamizimi dhe shqiptarët 1874-1913. Tiranë: Bota Shqiptare, 2007, faqe 291-301; Castelan, Georges. Histori e Ballkanit. Tiranë: Çabej, 1996, faqe 390-396; Freundlich, Leo. Golgota e Shqipërisë. Prishtinë: Rrokullia, 2010. Report of the International Commission to Inquire into the Causes and Conflict of the Balkan Wars. Washington: Carnegie Endowment for International Peace, 1914.]