Kryengritja Shqiptare 1912
Pas përgatitjeve të para për kryengritjen e përgjithshme u shtuan veprimet e armatosura dhe u kalua në krijimin e çetave të cilat vepronin veçanërisht në Kosovë, ku u ndërmorën edhe sulme kundër Komisionit të Reformave. Moszbatimi i marrëveshjeve të vitit 1911, vënia e taksave të reja dhe keqësimi i gjendjes ekonomike në vend e shtuan pakënaqësinë e popullit në fillim të vitit 1912. Gjendja u acarua për shkak të përpjekjeve të autoriteteve xhonturke për manipulimin e zgjedhjeve, për të penguar çeljen e shkollave shqipe, si dhe për të imponuar alfabetin arab në shkolla.
Sukseset e kryengritësve në Kosovë i dhanë një shtytje të mëtejshme lëvizjes kombëtare në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, forcuan gatishmërinë e popullsisë së tyre për t’u hedhur në kryengritje të armatosur.
Ndërkohë, forcat kryengritëse në Kosovë u hodhën në sulm për çlirimin e qyteteve. Pasi kishin çliruar Gjakovën më 17 korrik, kryengritësit të udhëhequr nga Hasan Prishtina e Bajram Curri iu drejtuan Prishinës. Qytetarët e Prishtinës, me një aksion të shpejtë, të përkrahur edhe nga xhandarët e vendit dhe nga një pjesë e ushtrisë, rrethuan zyrën e telegrafës dhe e detyruan komandantin osman të hiqte dorë nga qëndresa. Kështu, kryengritësit hynë në Prishtinë pa luftë dhe e çliruan atë 21 korrik.
Afër 30000 kryengritës me gjithë mungesën e ushqimeve, e të veshmbathjeve e sidomos të materialeve luftarake, po marshonin në të gjitha anët e Kosovës, edhe pse përballë kishin rreth 70000 ushtarë osmanë, të armatosur mirë dhe të përforcuar me reparte artileri e kalorësie. Kryengritësit kudo ku hynë u pritën me gëzim të madh nga popullsia vendëse. Me të hyrë në qytete, ata lironin të burgosurit dhe dëbonin funksionarët e urryer nga populli.
Në parashtresën prej 14 pikash të Hasan Prishtinës kërkohej t’i njiheshin Shqipërisëtë drejta të gjera kombëtare siç ishin: emërimi në Shqipëri i nëpunësve të aftë që njihnin gjuhën dhe zakonet e vendit; kryerja e shërbimit ushtarak në shqipëri dhe Maqedoni, me përjashtim të kohës së luftës; zbatimi i ligjit të maleve në krahina të caktuara; armatosja e shqiptarëve me armë moderne; hapja e shkollave reale e bujqësore, në porgramet e të cilave do të lejohej edhe mësimi i gjuhës së vendit; lejimi për hapjen e shkollave private në Shqipëri; hapja e shkollave teologjike moderne në përputhje me nevojat e vendit; mësimi i gjuhës së vendit në shkollat fillore, qytetëse dhe gjimnaze; zhvillimi i tregtisë, bujqësisë, i punëve botore dhe ndërtimi i hekurudhave; zbatimi i organizimit të krahinave, ruajtja e zakoneve dhe traditave të vendit; shpallja e faljes së përgjithshme për të gjithë pjesëmarrësit e lëvizjes kundërqeveritare; zhdëmtimi i shtëpive të djegura e të shkatërruara; mxjerrja në gjyq e pjesëtarëve të kabinetit të Haki e Said Pashës.
Ndryshe nga kryengritje e mëparshme të armatosura, ajo e vitit 1912 u shtri në mbarë Shqipërinë, bashkoi gjithë shqiptarët pa dallim krahine, feje dhe përkatësie shoqërore. Në rrafsh të jashtëm kryengritja u zhvillua në rrethana jo të favorshme për shqiptarët. Fuqitë e Mëdha vazhdonin t’i përmbaheshin ende politikës së tyre tradicionale të ruajtjes së status quo-së në Perandorinë Osmane dhe në Ballkan.
Megjithëse kryengritja arriti suksese të mëdha, nuk u aarit të mënjanoheshin mosmarrëveshjet në udhëheqjen e saj. Disa ngakrerët shqiptarë filluan të anojnë drejt kërkesave më të moderuara, që nuk ndihmonin zgjidhjen e çështjes shqiptare.
Kryengritja pati edhe dobësi të karakterit organizativ. Çlirimi i qyteteve, që ishte sukses i madh i saj u nuk shoqërua me me çlirimin e gjithë Shqipërisë dhe vendosjen e një administrate të re shqiptare.
Sukseset e kryengritjes shqiptare e çuan Perandorinë Osmane drejt fundit të saj. Ato shkaktuan shqetësime në qarqet drejtuese politike të vendeve ballkanike dhe të Evropës. Fuqitë e Mëdha i shqetësonte fakti se përmbushja e kërkesave të kryengritësve shqiptarë mund të çonte në prishjen e status quo-së dhe të ekuilibrit të forcave në Ballkan e në Evropë dhe do të përshpejtonte afrimin e një konflikti të armatosur të përmasave botërore. Nga ana tjetër, shtetet ballkanike, e shikonin dobësimin e Perandorisë Osmane si një mundësi për të arritur synimet e tyre të përcaktuara tashmë në marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Aleancës Ballkanike.
Lufta e Parë Ballkanike, përderisa drejtohej kundër Turqisë dhe kishte qëllim bashkimin kombëtar të popujve ballkanikë, objektivisht duhej të kryente një funksion përparimtar. Por ajo u drejtua nga qarqet shoviniste të vendeve të Ballkanit dhe u kthye në një luftë grabitçare, pushtuese, sidomos ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Kudo që shkelën , në fshatrat e qytetet e Kosovës dhe të gjithë Shqipërisë, serbët mbollën vdekje e shkatërrime. Vetëm në dy muajt e parë të luftës në tetor-nëntor 1912 u vranë 25000 shqiptarë.
Vrasja e shqiptarëve ishte programuar zyrtarisht nga Beogradi që kishte urdhëruar “të mos lihej asnjë gjurmë shqiptare në ato vise”.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Historia e Popullit Shqiptar II. (Tiranë, Toena, 2002), 476-496.
Çlirimi i Shkupi më 1912


Gazeta “Minneapolis Journal”
Paraqitja e gjendjes së territoreve shqiptare në një gazetë më 1912.
Revista satirike vjeneze “Kikeriki” karikaturë Funerali i Shqipërisë 1913.
Gazeta “Das Interesante Blatt” të datës 12 Dhjetor 1912, e cila paraqet skenën e daljes së delegatëve të Kuvendit të Vlorës, para masës e cila po priste lajmin mbi shpalljen e pavarësisë.
https://www.botasot.info/historia-lajme/795310/bota-shqiptare-e-vitit-1912-ne-shtypin-austriak/

Kryengritja shpërtheu në pranverën e vitit 1912 në disa pjesë të Kosovës Perëndimore, veçanërisht në rrethin e Gjakovës e në atë të Pejës.
Në fillim reagimi i autoriteteve osmane ishte i ngathët. Shqiptarët, të cilët kishin një kod të përpiktë nderi, e konsideruan arrestimin dhe dëbimin e grave të disa krerëve kryengritës si një akt jashtëzakonisht të shëmtuar. Kryengritja vazhdoi të merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha; në fund të korrikut, kryengritësit e kishin nën kontroll Prishtinën, Mitrovicën, Vuçitërnën dhe Ferizajn, kurse guvernatori i Prizrenit kishte ikur nëpër male dhe kishte arritur në Tetovë.
Obri Herbert i cili vizitoi Kosovën gjatë muajve të fundit të sundimit osman, i përmblodhi dëshirat e shqiptarëve në një mënyrë shumë të thjeshtë: “Ankesa e vërtetë e tyre është se nderi dhe liria e tyre nuk po respektohen sa duhet “. Me fjalën “liri” këtë herë nuk do nënkuptuar pavarësia politike, por liria për të jetuar sipas vlerave dhe traditave të tyre. Njësoj, kur ai pyeti Isa Boletinin nëse shqiptarët e rëndomtë e donin autonominë, përgjigjja e tij kishte qenë mjaftë e qartë: “Jo”, kishte thënë ai, “nuk e duan; atë që në të vërtetë kërkojnë është që të mos ndërhyjnë në punët e tyre”.Por, në të vërtetë, pas këtij çasti, për një kohë mjaftë të gjatë shqiptarët e Kosovës do të shijojnë ndërhyrjen e të tjerëve.
Planet serbe për një luftë kundër osmanlinjve kishin filluar që në fillim të vitit 1912. Në marsin e po atij viti, Serbia lidhi një “Traktat miqësie” me Bullgarinë. Në një aneks sekret të këtij traktati parashikonte veprime eventuale të përbashkët kundër Perandorisë Osmane si dhe pajtohej që Serbisë t’i takonte mbarë territori në veri të maleve të Sharrit. Ndërkaq, Bullgaria duke u bazuar në udhëzimet ruse, tash u bë qendër e rrjetit diplomatik të aleancave. Greqia iu bashkua aleancës në muajin maj. Mali i Zi (Marrëdhëniet e të cilit me Serbinë ishin mjaft të ftohta) iu bashkua aleancës në gusht, kurse më në fund lidhi një marrëveshje sekrete ushtarake me Serbinë në muajin shtator. Në fillim të vitit 1912, zyrtarët serbë u kishin ofruar armë shqiptarëve, me kusht që ata të vepronin në bazë të udhëzimeve të Serbisë. Në gusht të vitit 1912, Isa Boletinit iu dërgua një sasi e madhe armësh; po kështu qe përhapur fjala se Serbia ia kishte paguar një sasi të madhe parash; por, siç do të tregojnë ngjarjet, nderi i tij nuk blihej aq lehtë.
Më 13 nëntor, Serbia, Bullgaria dhe Greqia i dërguan ultimatum Perandorisë Osmane duke iu referuar nenit 23 të Traktatit të Berlinit dhe duke kërkuar autonomi të menjëhershme për të gjithë shtetasit e krishterë të Turqisë Evropiane; pas pesë ditësh, ata i shpallën luftë Turqisë. Por, Mali i Zi tashmë i vetëm kishte shpallur luftën, duke filluar invadimin me 8 tetor.
Një gazetar i cili ndiqte këtë luftë, korrespondenti nga Vjena i gazetës ukrainase “Kievskaia Mysl”, Lev Bronshtjan (I njohur më mirë në histori si Leon Trocki) ishte tmerruar nga dëshmitë e shumta të barbarive të forcave serbe dhe të atyre bullgare.
Arqipeshkvi i Shkupit Lazër Mjeda konstatoi se numri i përgjithshëm i shqiptarëve të vrarë shkonte në 25 mijë. Kjo shifër pajtohej me raportet e shtypit evropian, i cili kishte përmendur një shifër prej 20 mijë viktimash në fillim të dhjetorit.
Fuqitë e Mëdha (Austro-Hungaria, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia dhe Rusia) filluan t’i shqyrtonin ndryshimet territoriale në Konferencën e Londrës në dhjetorin e Vitit 1912.
Noel Malkolm. Kosova një histori e shkurtër e një treve ballkanike. (Prishtinë, Koha, 2011), 321-333.
1912 Aubrey Herbert: Një Takim me Isa Boletini
Unë hyra në një dhomë me përmasa të zakonshme, ku gjeta Isa Boletinin, një shqiptar shumë të gjatë e të shkathët, me sy të shqetësuar dhe një fytyrë të pashme, veshur në fustanin geg. Një nga djemtë e tij, më i madhi nga nëntë vëllezërit, i cili ishte një djalë shumë i pashëm, qëndroi në dhomë për të interpretuar në italisht, por kjo doli të ishte e panevojshme. Ai i nxori jashtë të tjerët, përveç një burri. Ne u ulëm në një divan të ulët pranë dritares..Ai tha se shqiptarët e donin Anglinë dhe shpresonte që anglezëve t’u pëlqejnë shqiptarët. Unë e pyeta: “A donin shqiptarët autonomi?” “Jo,”-tha ai, “nuk donin; ata donin që të mos u ndërhynin të tjerët. “A doni bashkim?”-pyeta unë “mes jugut the veriut?” “Epo,” -tha ai,”ne jemi një popull “, por ai vazhdoi duke thënë se bashkimi nuk do të ishte i dobishëm për veriun, sepse për toskët, ata të jugut ishin më të arsimuar dhe më të zgjuar se ata në veri. Shqipëria dëshironte të ishte nën sundimin e Sulltanit, por shqiptarët duhet të kishin armë për ta mbrojtur vendin e tyre, dhe këto armë ua kishin marrë turqit e marrë. Kur bessa (armëpushimi) të mbaronte në Bairam, ai nuk ishte i sigurtë se çfarë do të ndodhte. Gjithçka ishte e pallogaritshme. Shqiptarët do të donin t’i luftonin italianët (aty ku edhe u bashkuan me turqit), por ata nuk mund ta bënin këtë pa një flotë. Unë thashë që kishte vështirësi të mëdha në mënyrën e përfundimit të luftës, por zgjatja e saj nënkuptonte rrezikun e përçarjes së Turqisë dhe kështu rrezik të madh për Shqipërinë. Me siguri zgjidhja më e mirë për shqiptarët ishte të arrinin paqe të ndershme sa më shpejt që ishte e mundur? Ai më pyeti se cili ishte interesi ynë britanik për luftën turko-italiane. Unë thashë se interesi ynë ishte se ne ishim fuqia më e madhe muslimane dhe se donim t’i jepnim fund një situate që ishte shumë e dhimbshme për shumë nga subjektet tona muslimane. Gjithashtu, përçarja e Turqisë do të thoshte për ne që do të merreshin brigjet, kalatë dhe portet e bëra nga vendet e tjera jo aq miqësore për ne sa Turqia.
[Ekstrakt nga Aubrey Herbert: Ben Kendim, a Record of Eastern Travel (London: Hutchinson & Co., 1924), f. 198-213].


Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Historia e Popullit Shqiptar III. (Tiranë, Toena, 2007), 24.
Zekeria Cana. Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913 (dokumente). (Prishtinë, Instituti Albanaologjik i Kosovës, 1996), 6.
Hasan Prishtina si përfaqësues i lëvizjes në Vilajetin e Kosovës, i propozoi lëvizjes maqedono-bullgare (vrhovistëve) në Shkup që të ngriheshin së bashku kundër Turqisë dhe të krijonin shtetin autonom shqiptaro-maqedon. Por nuk u arrit kurrfarë marrëveshje, pasi që kjo organizatë maqedone ishte nën ndikimin e oborrit të Sofjes, kurse oborri i Sofjes dhe ai i Beogradit kishin plane të tjera, që nuk përputheshin me propozimin e Hasan Prishtinës. Pasi që nuk gjeti mirëkuptim te fqinjtë, Hasan Prishtina u përpoq të gjente mbështetje te shtetet evropiane për realizimin e planeve të lëvizjes kombëtare.
Shukri Rahimi. Vilajeti i Kosovës. (Prishtinë, Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, 1969), 167.
Dokumentar Historia e Kosovës pjesa 4.
Kryengritja e Madhe Shqiptare e vitit 1912 zgjati nga muaji janar deri në muajin gusht të vitit 1912 dhe si rezultat solli pranimin e shumicës së kërkesave (12 nga 14) të kryengritësve shqiptarë nga ana e Perandorisë otomane. Kërkesat më të rëndësishme ishin që të bashkohen katër vilajetet (i Kosovës, i Shkodrës, i Manastirit dhe i Janinës) në territorin e të cilave jetonin shqiptarët në një vilajet me emrin Vilajeti Shqiptar (edhepse shqiptarët nuk përbënin shumicën e popullatës në territorin e të katër vilajeteve ) dhe që shqiptarëve t’iu mundësohen të drejta më të mëdha politike në raport me popullatën joshqiptare krishtere. Vendosja e sërishme e popullatës krishtere të vilajeteve të Ballkanit të Perandorisë Osmane në pozitë të qytetarëve të rendit të dytë shërbeu si një nga arsyet për fillimin e Luftës së Parë Ballkanike fillimi i së cilës luftë bëri që kërkesat e kryengritësve shqiptarë të mos realizohen kurrë.
Prapavija
Artikulli kryesor: Rilindja Kombëtare Shqiptare

Isa Boletini, një nga udhëheqësit e kryengritjes.
Kryengritja shqiptare e vitit 1912 ishte më e madhja e një varg kryengritjesh të shqiptarëve në periudhën midis viteve 1905 – 1912. Pothuajse të gjitha kryengritjet filluan në territorin e Vilajetit të Kosovës (në korrik 1908 në Prizren, në qershor 1909 në Gjakovë, në pranverën e vitit 1910 në pjesën më të madhe të territorit të Vilajetit të Kosovës), dhe mandej, ato nganjëherë zgjeroheshin në pjesë të Vilajetit të Manastirit e nganjëherë në pjesët veriore të Vilajetit të Shkodrës.
Pas reformave të Perandorisë Osmane të cilat filluan nga turqit e rinj, shqiptarët në Evropë dhe arabët në Azi humbën pozicionet e privilegjuara që i kishin, veçanërisht gjatë sundimit të Sulltan Abdyl Hamitit II. Kryengritjet fillojnë në të gjithë Perandorinë Osmane në viset malore të banuara nga fiset nomade, larg nga ndikimi i qeverisjes qendrore. Kryengritjet më të mëdha shpërthejnë në Siri, në Gadishullin e Arabisë dhe Ballkan . Në Ballkan shqiptarët u ngritën në dy kryengritje të përmasave më të mëdha [2]. E para u zhvillua në vitin 1910 në pjesën e territorit të Vilajetit të Kosovës, kurse tjetra në janar të vitit 1912. Pakënaqësi të veçantë tek shqiptarët shkaktuan këto ndryshime të paraqitura më poshtë
- Rritja e tatimit
- Shërbimi i obligueshëm ushtarak
- Çarmatimi i popullatës civile
Kryengritja e Parë që shpërtheu në pranverën e vitit 1919 e shoi ekspedita e pushtetit të turqve të rinj në krye me Shefqet Turgut Pashën. Këtë kryengritje të parë e ndihmuan Mali i Zi dhe Bullgaria edhepse nuk morën pjesë në përgatitjen e saj.
Kryengritja e Dytë e përmasave më të gjera shpërtheu në janar të vitit 1912, e ndihmuar me armë dhe të holla nga ana e Serbisë dhe Malit të Zi. Furnizimi me armë bëhej përmes Malit të Zi. Serbia po ashtu i ndihmonte kryengritësit me armë dhe të holla sepse ishte në interesin e saj destabilizimi i Perandorisë Osmane. Përfaqësuesit shqiptarë, para organizimit të kryengritjes së vitit 1912, së pari u takuan me përfaqësuesit e pushtetit osman, por ky pushtet i refuzoi kërkesat e tyre. Prej fuqive të mëdha, vetëm Italia, atëherë në luftë me Perandorinë Osmane, qe e gatshme të ndihmojë me armë kryengritësit në Shqipërinë jugore.
Kryengritjen e udhëhoqi Komiteti i Përgjithshëm i Kryengritjes dhe atë në trevën e Vilajetit të Kosovës (Drenicë, Pejë, Gjakovë) dhe Shqipërisë së sotme veriore. Udhëheqësit e kryengritësve ishin Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Nexhip Draga, Riza-Be Kryeziu dhe të tjerë. Kryengritësit së pari pushtuan Gjakovën, duke i përzënë qeveritarët turq. Kah mesi i marsit të vitit 1912 në gazetën shqiptare në emigracion në Bullgari u publikuan kërkesat e para të kryengritësve: emërimi i shqiptarëve si nëpunës në vilajet, hapja e shkollave shqipe dhe shërbimi ushtarak për shqiptarët vetëm brenda kufijve të Vilajetit. Kryengritësit mandej u nisën kah Peja. Garnizoni në Pejë bëri rezistencë të madhe dhe e zmbrapsi sulmin e kryengritësve, pas së cilës erdhi deri tek një mbledhje e udhëheqësve shqiptarë, rreth 250 sosh, në Junik.
Gjatë takimit të udhëheqësve të kryengritjes në Junik u formuluan kërkesat për përcaktimin e kufijve të Shqipërisë, tërheqjen e zyrtarëve turq dhe futjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. Një nga ideologët kryesorë të kryengritësve shqiptarë ishte Hasan Prishtina, i cili e drejtoi politikisht rrjedhën e kryengritjes kundër autoriteteve turke. Kërkesat e kryengritësve janë formuluar në disa nga pikat e e paraqitura më poshtë:
- Të përcaktohen kufijtë e Shqipërisë
- Që të vendoset flamuri shqiptar në Shqipëri
- Që në Shqipëri të emërohet një Guvernator i Përgjithshëm të zgjedhur midis pjesëtarëve të familjeve të vjetra dhe të njohura
- Të tërhiqen zyrtarët turq dhe që në vendet e tyre të vendosen shqiptarët
- Që gjuha shqipe të bëhet gjuhë zyrtare në Shqipëri
- Që zbatimin e këtyre kërkesave ta garantojnë fuqitë e mëdha
Pas mbledhjes në Junik, kryengritësit pa luftë e marrin Mitrovicën, Vushtrrinë dhe Prishtinën.[5] Shqiptarët, të cilët përbënin shumicën e ushtarëve të Perandorisë Osmane në garnizonet e këtyre qyteteve, dezertuan masovikisht dhe kaluan në anën e kryengritësve sepse oficerët që ishin kundër turqve të rinj nuk iu kundërvunë në mënyrë më aktive kryengritësve[5]. Shqiptarëve nga Vilajeti i Kosovës së shpejti iu bashkangjitën Mirdita, Merturi dhe Nikajt. Në Shkodër u formua Komiteti i përbashkët i myslimanëve dhe katolikëve për ndihmë kryengritjes. Luftërat u zgjeruan edhe në Vilajetin e Shkodrës (Tiranë dhe Krujë). Kryengritësit në fillim patën edhe mbështetjen e oficerëve turq nga grupi i “Shpëtimtarëve të Atdheut”, të cilët deshën të rrëzojnë regjimin e turqve të rinj.
Për shkak të suksesit të kryengritjes shqiptare, qeveria e turqve të rinj jep dorëheqje. Pak kohë pas kësaj, në muajin korrik, një qeveri e re dërgon një delegacion për bisedime në Prishtinë. Delegacioni i Portës arriti në përfundimin se kërkesat shqiptare po shpienin drejt shkëputjes nga Perandoria dhe i refuzuan ato. Megjithëse kryengritësit mandej i riformuluan dhe zbutën kërkesat e tyre, përfaqësuesit e Perandorisë Osmane prapë i hodhën poshtë kërkesat për autonomi dhe përdorim të shqipes në shkolla dhe administratë.
Pas kësaj, kryengritësit nisen kah Shkupi dhe e marrin atë pa luftë. Deri në gjysmën e gushtit të vitit 1912, kryengritësit ia dolën që të zotërojnë tërë Vilajetin e Kosovës duke pasur në duart e tyre Prishtinën, Novi Pazarin, Sjenicën, Shkupin dhe qytetet tjera. Në Shqipërinë e mesme dhe jugore kryengritësit mbanin Përmetin, Leskovikun, Konicën, Elbasanin, kurse në Maqedoni Dibrën. Në këtë fazë të kryengritjes zhvillohen negociata intenzive me Serbinë, kurse Bajram Curri parashihte edhe mundësinë që Serbia t’i ndihmojë kryengritësit me ushtrinë e rregullt. Kontaktet me Serbinë në fillim i bëri Hasan Prishtina, por pasi që kishte dallime në interesat e tyre të ndërsjella lidhur me Kosovën, ai shumë shpejt u bë kundërshtar i ashpër i saj. Pas Shkupit, kryengritësit nisen në jug dhe pushtojnë qytete gjatë rrugës kah Selaniku. Kur kryengritësit arritën deri te Selaniku, Porta ishte e detyruar që të pranojë të gjitha kërkesat e tyre. Pasi që u arrit marrëveshja me autoritetet Osmane, kjo kryengritje masive u shua. U pranuan këto kërkesa të kryengritësve:
- Hapja e shkollave fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe në Vilajetet e Shkodrës, Janinës, Manastirit dhe Kosovës;
- Emërimi i Guvernatorit të Përgjithshëm për katër Vilajete, i cili zgjidhet nga popullata çdo katër vite, etj.
- Emërimi i funksionarëve që i njohin gjuhën dhe zakonet e shqiptarëve;
- Përdorimi i gjuhës shqipe nëpër gjykata;
- Kryerja e shërbimit ushtarak në pjesën evropiane të Turqisë;
- Zvogëlimi i tatimit;
- Mbajtja e lirë e armëve;
- Amnestimi i kryengritësve dhe zyrtarëve turq të cilët iu bashkangjitën kryengritjes;
Me këto vendime praktikisht iu vendosën themelet Vilajetit Shqiptar i cili do të përfshinte të katër Vilajetet, nga programi i Lidhjes së Prizrenit.
(Burimet: Ovim odlukama su praktično udareni pravni temelji Albanskog vilajeta koji bi obuhvatao sva četiri vilajeta, iz programa Prizrenske lige. ( „Intervju Dr. Slavenka Terzića”. Архивирано из оригинала на датум 25. 01. 2010. Приступљено 25. 03. 2010; Vladimir Ćorović, Istorija Srpskog naroda, (1885-1941), Balkanski ratovi; Arabs and Young Turks – Ottomanism, Arabism, and Islamism in the Ottoman Empire, 1908–1918, Hasan Kayalı, UNIVERSITY OF CALIFORNIA PRESS, Berkeley · Los Angeles · London, © 1997 The Regents of the University of California; „The Highland Uprising of 1911 – Romeo Gurakuqi, University of Shkodra “Luigj Gurakuqi” – Department of History, Phoenix Shkodra 2002”. Архивирано из оригинала на датум 25. 07. 2011. Приступљено 26. 03. 2010; СРБИЈА, ЦРНА ГОРА И КОСОВО – ПРЕГЛЕД 1878-1914; Dimitrije Bogdanović, Knjiga o Kosovu; Report of the International Commission to Inquire into the Causes and Conduct of the Balkan Wars (str. 47); Vojna enciklopedija, Beograd, 1972., knjiga četvrta, strana 656; Petrit Imami, Srbi i Albanci kroz vekove, Belgrade, 2016.Burimet:)
https://sr.wikipedia.org/sr-ec/Albanski_ustanak_(1912) (Downloaded 26 October 2019)