Trazirat e Marsit 2004

Në trazirat e marsit në Kosovë humbën jetën 19 persona, më shumë se 900 persona u plagosën dhe u dëmtuan rreth 800 shtëpi e 20 kisha e manastire

https://www.osce.org/kosovo/1770

Në këtë periudhë Kosova përjetoi konflikt të gjerë midis shqiptarëve dhe serbëve të shtrirë në të gjithë territorin e saj. Ngjarjet ndodhën dhe u zhvilluan me shpejtësi, në datat 17 dhe 18 mars 2004, por shenjat e një konflikti ndëretnik serbo-shqiptar në Kosovë u dhanë edhe më herët. Në datat 17 dhe 18 mars shpërtheu një valë përleshjesh ndëretnike, e cila përfshiu të gjitha vendbanimet serbe.

Gjatë dhunës së ushtruar u përfshinë sipas vlerësimeve mbi 50 mijë shqiptarë të Kosovës. Fillimisht u ngritën në protesta banorët shqiptarë të Prishtinës dhe Prizrenit. Një lajm i dhënë në mediat televizive më 16 mars, i cili tregonte sesi disa djem serbë kishin mbytur në lumin e Ibrit tre fëmijë shqiptarë, ishte momenti i fundit dhe shkak i mjaftueshëm që të nesërmen e gjithë Kosova të gdhihej në protesta dhe përleshje etnike. Mitrovica u bë pjesa më e kërcënuar në Kosovë, për shkak setë dy palët shqiptarët në Jug dhe serbët në Veri krijuan barrikada të përleshjeve midis tyre.

Gjatë trazirave humbën jetën gjithsej 21 civilë, 19 prej të cilëve shqiptarë dhe u plagosën 1100 të tjerë. Më 17 mars në mbrëmje në Beograd në shenjë revolte e reagimi të serbëve u dogj xhamia e këtij qyteti, një monument kulture i shekullit XVI. Kjo ngjarje i orientoi shqiptarët drejt djegies dhe shkatërrimit të kishave dhe manastireve serbe në Kosovë. Më 18 mars u shkatërruan gjithashtu 17 kisha e manastire. Në të vërtetë shkaqet kryesore të përleshjeve dhe trazirave të 17 e 18 marsit duhet kërkuar më thellë. Shqiptarët dhe serbët për shkak të brutalitetit serb në Kosovë vazhdonin të mbanin një qëndrim armiqësor dhe të ruanin urrejtje të thellë ndaj njëri-tjetrit. Dozën e kësaj urrejtjeje e shtuan provokimet dhe qëndrimet ekstreme të qeverisë së Serbisë kundër vendimit të shqiptarëve për të ndërtuar shtetin e tyre të pavarur. KFOR-i, megjithëse e ndiqte nga afër situatën, qe plotësisht i befasuar nga reagimi i shqiptarëve. Forcat paqeruajtëse u kritikuan nga qarqe të ndryshme për “paaftësi” në parandalimin e ngjarjeve dhe mungesë reagimi. Por reagimi i dhunshëm ndaj dhjetra mijë njerëzve të mobilizuar fuqishëm në protestat e tyre ndaj provokimeve të Serbisë në Kosovë ishte i pamundur.

Këto ngjarje u paraprinë nga disa ngjarje të tjera. Më 27 shkurt kishte filluar gjyqi në Hagë ndaj Fatmir Limajt, Hajredin Balajt dhe Isak Musliut të akuzuar për “krime lufte” në Kosovë. Këto ngjarje u panë nga shqiptarët si prirje e bashkësisë ndërkombëtare për të vënë shenjën e barazimit midis terrorit serb kundër tyre, ndërkohë që ata shihnin një preferencë të Prokurorisë së Përgjithshme të Hagës për të mbajtur një qëndrim të njëanshëm në vlerësimin e ndodhive në kohën e luftës në vend. Prokuroria serbe e krimeve të luftës shpalli njëkohësisht urdhra arresti ndërkombëtarë për udhëheqësit kryesorë të UÇk-së, Hashim Thaçin e Agim Çekun, ndërkohë që kriminelë serbë brenda Serbisë mbetën gjithnjë të pandëshkuar. Kurse misioni i OKB-së, UNMIK-u, në vend që të kryente detyrën e tij administrimin e Kosovës, shpeshherë zbatonte këshillat e Serbisë, veçanërisht në fushën e privatizimit. Vetëm KFOR-i u bë forca e vetme e paparagjykuar nga shqiptarët e Kosovës. Ndoshta dhe kjo qe një arsye më shumë që komanda e tij nuk veproi me forcë për ndalimin e dhunës e të protestavetë dhunshme të 17 dhe 18 marsit.

Nga pikëpamja politike, Kosova po zvarritej prej qëndrimeve kundërthënëse e kontradiktore të vendeve Perëndimore. Ishte shpallur platforma e “Standardeve para statusit”. Bashkimi Evropian dhe Grupi i Kontaktit kishin vendosur disa kushte për Kosovën, më parë se ajo të fillonte dialogun për statusin politik të saj. Kryeministri serb Vojisllav Koshtunica shpalli publikisht mohimin e së drejtës së Kosovës për vetëvendosje, konstestoi integritetin e saj territorial, duke dashur që ajo të përbëhej në kantone, pa pasur asnjë të drejtë politike, nacionale e njerëzore.

Por jo vetëm kaq. Papunësia e lartë, mungesa e zhvillimit ekonomik, bllokimi i investimeve dhe privatizimeve nga ana e UNMIK-ut i vunë shqiptarët në karantinë. Po t’i shtojmë këtu edhe faktin se në duart e popullsisë gjendej një sasi e madhe armësh e municionesh, atëherë do të duhej menduar qartë sesa eksplozive ishte situata në Kosovë.

KFORI-i u gjet i pafuqishëm për t’i zgjidhur problemet politike, të cilat i shkaktoi politika e njëanshme e UNMIK-ut dhe e disa shteteve evropiane në dobi të Serbisë dhe Rusisë. Më 16 mars u bënë demonstrata paqësore në 27 qytete të Kosovës, në të cilat u kërkua lirimi i komandantëve të UÇK-së nga arresti. Ndërsa më 17 dhe 18 mars ato u shndërruan në protesta të dhunshme dhe përleshje të përgjakshme me objektiv hakmarrjen ndaj pakicës serbe në Kosovë. Si organizatorë të demonstratave dhe protestave u shpall “Komiteti Organizator i Protestave” pa definuar ndonjë organizatë politike ose jopolitike apo joqeveritare.

Enver Bytyçi. Diplomacia imponuese e NATO-s në Kosovë. (Tiranë, Instituti i Studimeve të Evropës Juglindore, 2012), 296-299.


Në mars të vitit 2004, një numër i protestave, dhe akteve të mosbindjes civile  ndodhën në Kosovë. Ndërmjet 17 dhe 19 marsit, gjendja u kthye në mënyrë dramatike për të keq, si valë e trazirave që pushtuan tërë Kosovën. Këto trazira duket të jenë shkrepur nga ngjarjet e ditës së mëparshme. Më 16 mars, tre djem shqiptarë ishin përmbytur në lumin Ibër, afër Çabrës/Čabra, në komunën e Zubin Potokut. Mediat raportuan se djali i katërt i cili kishte qenë me ta dhe kishte mbijetuar pohoi se katër djemtë ishin ndjekur për në lum nga serbët e fshatit fqi me një qen. Në natën e 16 marsit, mediat kosovare raportuan për zhdukjen dhe supozuan përmbytjen e tre djemve. Përkundër apeleve për kujdes nga policia e UNMIK-ut, televizionet raportuan shpejtë dhe fuqimisht i atribuan vdekjet e djelmoshave sulmit të bërë nga serbët duke i dhënë këtij incidenti një potencial të menjëhershëm për të shtuar tensionet në marrëdhëniet ndëretnike në Mitrovicё/Mitrovica dhe vendet tjera anembanë Kosovës. Më 17 mars protestat për këto vdekje filluan në Mitrovicё/Mitrovica dhe shumë shpejtë eskaluan në një konflikt ndëretnik ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës afër urës së lumit Ibër e cila lidh pjesët e ndara veriore dhe jugore të qytetit. Kah fundi i ditës, protestat e ndërlidhura në secilin qytet të madh të Kosovës u transformuan në trazira të dhunshme kundër pjesëtarëve të pakicave, organeve për zbatimin e ligjit dhe forcave të sigurisë. Sipas raporteve të policisë së UNMIK-ut, 33 trazira të mëdha ishin numëruar, ku vlerësohej se rreth persona 51,000 kishin qenë të përfshirë. Personat e përfshirë në këto trazira ishin të moshave të ndryshme dhe statuseve të ndryshme shoqërore. Megjithatë, shumica e atyre që ishin akuzuar për vepra penale ishin të rinj, kryesisht të papunësuar dhe me arsimim të ulët. Në shumicën e rasteve, mosha e personave të akuzuar për vepra penale të kryera gjatë trazirave sillej prej 18 në 19 vjet, ku më i vjetri ishte i moshës 77 vjeçare dhe më i riu i moshës 15 vjeçare; për më tepër, arsimimi i tyre sillet nga ata analfabet deri te ata,në vetëm disa raste me arsimim të lartë.

Duke vendosur (shënim: gjykatat) dënime më të buta për shumicën e rasteve të ndërlidhura me trazirat, gjykatat kanë dështuar në dërgimin e mesazhit të qartë për dënimin e sjelljeve të tilla, dhe si duket nuk i kanë konsideruar veprat penale të cilat kanë rrjedhur nga trazirat e Marsit 2004 si aq serioze. Ky reagim relativisht i dobët i gjykatave ndaj veprave penale të kryera gjatë trazirave të marsit 2004, jo vetëm që i kontribon përshtypjes së mosndëshkueshmërisë në popull për këtë lloj krimesh me motive etnike, por edhe mund të konsiderohet si reagim joadekuat për parandalimin e akteve të ngjajshme të çrregullimeve publike në të ardhmen.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Departamenti i të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, Seksioni i monitorimit të sistemit juridik.

REAGIMI I SISTEMIT JURIDIK NDAJ TRAZIRAVE TË MARSIT 2004. (Dhjetor, 2005).


Situata e krijuar më 17 mars dhe në ditët në vazhdim nuk mund të veçohet nga raportimet në televizion më 16/17 mars.

Veçanërisht, gazetarët e televizionit dhe redaktorët e tyre nuk i janë përmbajtur etikës profesionale, kanë vepruar në bazë të emocioneve dhe i kanë dhënë përparësi detyrës “patriotike”, ashtu siç e kanë kuptuar ata.

Mediumi televiziv shqiptar i Kosovës vendosi ta cilësonte incidentin e mbytjes së tri fëmijve si një rast vdekje i shkaktuar direkt dhe pa asnjë dyshim prej serbëve kundërshtarë. Asnjë provë nuk u dha për ta dëshmuar këtë dhe fëmija i intervistuar nuk e deklaroi këtë aq qartë dhe fuqishëm sa u prezantua nga mediat. Mbulimi i protestave krijoi një dimension të ri të raportimit të njëanshëm kur referencat për dhunën parapriheshin nga “arsyetime”. Pamjet dramatike nuk emetoheshin për ngjallur reagim kundërshtues por për të nxitur.

OSBE, Roli I Mediave në ngjarjet e marsit në Kosovë, Vienë, 2005.

gazetaria2011.webs.com/RAPORTIOSBEPerkthimi (1).doc


Ditët pas ngjarjeve të marsit 2004 dhanë një mundësi që të dëshmohet se në Kosovë sundon ligji. Por, në vend të kësaj, duket se kanë konfirmuar gjendjen e çrregulluar të drejtësisë në Kosovë. Kanë theksuar paaftësinë e policisë që me sukses të hetojë rastet e rënda dhe ka shtuar brengën se policia nuk është e aftë që hetojë akuzat për abuzime përbrenda rangjeve të saj. Kanë zbuluar mosgatishmërinë apo paaftësinë e prokurorëve që të marrin krejtësisht mbi vete përgjegjësitë e reja si prokurorë hetues dhe kanë konfirmuar raportet për keqmenaxhim të rasteve si dhe për mungesë të mbikëqyrjes së gjyqeve. Kanë theksuar mungesën e qartësisë në ndarjen e përgjegjësive në kuadër të departamenteve të UNMIK-ut. Si dhe kanë hedhur dritë në mungesën fundamentale të respektit për viktimën individuale. Thënë shkurt, ditët pas trazirave të marsit 2004 ishin një rast i humbur.

Dështimi që të sjellin para drejtësisë shumë nga ata që janë përgjegjës për dhunën dhe shkatërrimet i shtohet dështimit të mëhershëm që të kërkohet përgjegjësi për krimet e luftës dhe dhunën serioze kundër pakicave që janë kryer në vitet 1998-2000. Hulumtimet e Human Rights Watch tregojnë se mungesa e progresit në bërjen e drejtësisë për këto krime serioze është bërë pengesë edhe për përparimin e Kosovës drejt një shteti funksional. Ekziston rreziku real që nëse vazhdon të mbretërojë ndjenja e mosndëshkueshmërisë, Kosova të bëhet “shtet i dështuar” në të cilin do të sundojnë paligjësia dhe arbitrariteti e jo demokracia e transparenca, pa marrë parasysh se kush do të udhëheqë me Kosovën.

Boshllëku në drejtësi ka kontribuar që të zbehet respekti i pakicave por edhe i popullatës shumicë për prezencën ndërkombëtare në Kosovë. Është vitale që bashkësia ndërkombëtare të shfrytëzojë rastin ndoshta të fundit dhe të adresojë të metat e këtij aspekti të rëndësishëm të administrimit të provincës.

Human Rights Watch, Askund në agjendë. Dështimi i vazhdueshëm për të kërkuar përgjegjësi në Kosovë pas marsit 2004, May 29, 2006

https://www.hrw.org/sq/report/2006/05/29/255430


Pogrom – Kosova dhe Mеtohia 17 mars 2004

Kanë kaluar 13 vite nga dhuna e motivuar etnikisht ndaj serbëve në mars të vitit 2004.
Krim pa dënim!

Gjatë tri ditëve të dhunës së shqiptarëve ndaj serbëve më 17, 18 dhe 19 mars 2004 humbën jetën 10 serbë, u rrënuan dhe dogjën 35 kisha dhe manastire, 935 objekte serbe, prej të cilave 738 shtëpi serbe, 10 objekte publike, shkolla, posta dhe shtëpi të shëndetit. Janë dëbuar 4.012 serbë nga gjashtë qytete dhe nëntë fshatra. – Dy fshatra janë fshirë, Sllatina dhe Svinjarе – Raportimin e rrejshëm, senzacionalistik dhe tendencioz të mediave shqiptare e gjykuan të gjithë. U mbushën 11 vite nga dhuna etnikisht e movituar në mars dhe dëbimit të serbëve nga ana e shqiptarëve më 17 dhe 18 mars 2004. Para syve të misionit ndërkombëtar ushtarak dhe civil, të personifikuar në KFOR dhe UNMIK, ndodhi një terror i paparë ndaj serbëve dhe dëbimi i tyre. Në atë kohë në Kosovë dhe Metohi gjendeshin 38,000 ushtarë të KFOR-it nga 39 shtete si dhe 8.000 policë të UN-it nga 52 shtete. Ky ishte, pas qershorit dhe korrikut të vitit 1999, dëbimi i dytë më i madh i serbëve nga Kosova dhe Metohia para syve të tërë botës dhe ushtarëve të KFOR-it dhe policisë së UNMIK-ut, të armatosur deri në dhëmbë.

Raportimi i pavërtetë!

Pasojat e dhunës së marsit nuk janë sanuar as sot e kësaj dite, kurse më tragjikja është ajo që disa vende prej atëherë kanë mbetur pa serbë kurse as pesë përqind e të dëbuarve të atëhershëm nuk janë kthyer në vendet e veta! Gjithçka filloi me raportimin senzacionalistik, tendencioz dhe të pavërtetë të mediave shqiptare, së pari atyre elektronike mandej edhe atyre të shkruara, gjë të cilën OSBE-ja e dënoi më vonë, për përmbytjen e dy djemve shqiptarë, më 16 mars, në lumin Ibër afër fshatit Çabër në komunën e Zubin Potokut në veriperëndim të Kosovës dhe Metohisë. Pa kurrfarë faktesh dhe argumentesh për këtë, mediat në Prishtinë i shpallën serbët si fajtorë? Raportimi sеnzacionalistik dhe i rrejshëm se serbët i kanë detyruar djemtë shqiptarë të hidhen në Ibër dhe të përmbyten i shtyu shqiptarët, që në mënyrë të orkestruar, në të gjitha pjesët e Kosovës dhe Metohisë, t’i sulen fizikisht serbëve, pronave serbe dhe kishave dhe manastireve serbe. Eskalimi, siç së shpejti u provua nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, i dhunës së përgatitur sipas planit dhe të motivuar, së pari filloi në Mitrovicë, mandej në Çagllavicë afër Prishtinës, Prizrеn, Pеjë, Gjakovë, Obiliq, Podujеvë, Gjilan, Svinjare dhe pothuajse në të gjitha vendet në jug të Ibrit ku kanë jetuar serbët.

Për dhunën masive, KFOR-i dhe UNMIK-u patë një përgjigjje të ”përgatitur” se kanë qenë të befasuar me një dhunë aq masive dhe brutale të shqiptarëve ndaj serbëve dhe që kjo ishte arsyeja e reagimit të tyre aq joadekuat dhe të vonuar. Policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i më vonë informuan që në atë dhunë të shqiptarëve më 17, 18 dhe 19 mars ndaj serbëve morën pjesë 60,000 shqiptarë. Është shënuar që gjatë asaj kohe janë dëbuar 4,012 serbë u dëbuan nga gjashtë qytete dhe nëntë fshatra. Nga Obiliqi janë dëbuar më shumë se 550 serbë, nga Prishtina më shumë se 100, nga Prizreni 60, Gjilani 300, Fushë Kosova 200, katër gra serbe të moshuara u dëbuan nga Gjakova… kurse fshatrat Sllatinë afër Vushtrrisë dhe Svinjare afër Mitrovicës me më shumë se 160 familje, u shtypën para syve të KFOR-it dhe policisë së OKB-së sepse të gjithë deri në serbin e fundit që ishin u dëbuan!?

Hеlikoptеri si shpëtimtar!

Pesë gra serbe u evakuuan nga shtëpia e famullisë së Kishës së Shën Nikollës në Gjakovë, dhe me helikopterin e KFOR-it francez u evakuuan murgeshat nga Manastiri Dеvič afër Skënderajt, para mësymjes së më shumë se 2,000 nasilnika shqiptarë.

KFOR-i gjerman me transportues të blinduar luftarak shpëtoi duke i evakuuar murgjit nga manastiri i Shën Engjullit të Shenjtë që iknin përgjatë lumit të Bistricës së Prizrenit, i cili manastir ishte djegur plotësisht. Në fshatin Bellopojë afër Pejës, me të kthyer serbë, diku rreth 40 të kthyer tiskalo në shtëpinë e famullisë sepse rreth njëqind shqiptarë po iu turreshin atyre kurse shtëpitë tashmë të ndërtuara ua kishin djegur. Kur ditën e dytë të dhunës, më 18 mars, shqiptarët u nisën që bukvalisht t’i djegin ata në shtëpinë e famullisë, një amerikane nga përbërja e policisë së UN-it, me një të shtënë nga revolja i paralajmëroi që të mos iu afrohen serbëve të tmerruar në  famulli. Mirëpo, ajo e shtënë në ajër nuk i ndaloi të dhunshmit porse u sulën edhe më të shfrenuar në drjetim të famullisë. Amеrikanja nga policia e UN-it mandej shtiu në personin në krye të masës së çmendur të shqiptarëve i cili ra i goditur për vdekje! Vetëm atëherë të dhunshmit u tërhoqën dhe mandej KFOR-i italian me automjete të blinduara, nën breshërinë e gurëve evakuoi serbët e kthyer nga fshati.

Të shtënat e amerikanes!

Duke mos dashur të vihet në rolin për të cilin kanë ardhur në Kosovë dhe Metohi, policia e KFOR-it dhe UNMIK-u madje këshilluan serbët që të largoheshin nga vendet e tyre – duke ua bërë të qartë se nuk do t’i mbronin!? Populli duarthatë nuk pati zgjedhje tjetër pos që nën kërcënimin e turmës së shfrenuar t’ia jepte ikjes dhe shpërnguljes së dhunshme? Pasojat e dëbimit të madh të marsit të serbëve janë ndjerë edhe sot, dhe madje pesë përqind e numrit të përgjithshëm të atyre që u dëbuan nuk u kthyen në vendet e tyre. Kështu, sot kanë mbetur edhe 40 serbë në Prishtinë, Prizren 18, Ferizaj dy, Gjakova tre, Obilic 20 … KFOR-i dhe UNMIK-u atëherë njoftuan se 242 persona, kryesisht shqiptarë, u paditën për dhunën e marsit, dhe 157 u paditën para gjykatësve për kundërvajtje. Ndërsa u arrestuan 350 shqiptarë, autorët e dhunës së marsit të motivuar etnikisht kundër serbëve, por pak u arrestuan dhe u sollën para drejtësisë. Si shumë herë më parë, organizatorët janë jashtë arritjes së ligjit!

Të lënduar nga të tjitha palët!

Nga dhuna etnike shqiptare e marsit ndaj serbëve pësuan më shumë se 954 të lënduar, duke përfshirë më shumë se 40 pjesëtarë të KFOR-it, 65 pjesëtarë të forcës policore ndërkombëtare të UNMIK-ut dhe 58 pjesëtarë të shërbimit policor të Kosovës.

Shqiptarët shkatërruan 72 automjete të UNMIK-ut. Njëmbëdhjetë shqiptarë u vranë (kryesisht nga snajperë të KFOR-it që qëlluan ndaj atyre shqiptarëve që mbanin dhe përdorën armë zjarri në publik) dhe dhjetë serbë nga shqiptarët. Në tërë Kosovën dhe Metohinë, 935, kryesisht seritë, objektet u shkatërruan dhe u dëmtuan, duke përfshirë 10 shkolla, zyra postare dhe qendra shëndetësore – sipas të dhënave zyrtare të OSBE-së….

Publication of the Ministarstvo za rad, zapošljavanjе, boračka i socijalna pitanja

https://www.minrzs.gov.rs/srb-lat/aktuelnosti/vesti/pogrom—kosovo-i-m%D0%B5tohija-17.-mart-2004.

Asnjëherë në historinë e saj Kisha Ortodokse Serbe, gjatë një kohe aq të shkurtër, nuk ka pësuar goditje më të rëndë edhe atë në territorin i cili konsiderohet si Jerusalemi serb. Pikërisht në qendrën e saj, në Prizren, nuk ka mbetur asnjë shenjë serbe që nuk është rrënuar, djegur apo përdhosur. Shkatërrimi sistematik e Shënmërisë Ljeviška ka zgjatur me orë, kurse ata që e dogjën, në këtë pasuri kulturore sollën goma të vjetra ashtu që flaka të gëlltiste sa më shpejt disa nga veprat më të mira të artit të pikturimit nga gjysma e parë e shekullit 14-të. Piktura të ngjyrave të gjalla, të një dinamike të re dhe ndjenjave të reja, që me qindra vite ka pritur që prej tyre të largohen llaçi dhe gëlqerja e pushtuesve otoman, tani përsëri binte në terr dhe nxirje të pogromit të 17 marsit. Sot, me mundime të mëdha, po hiqet bloza nga fytyra e Shënmërisë Virgjëreshës së Prizrenit, ushqyeses së të uriturve dhe po ringjallen lëvizjet mjeshtërore të piktorëve Nikola dhe Astrapi. Por, kjo nuk gjëja më e keqe që i ndodhi Prizrenit. Prej aty u zhduk qyteti, shpirti i qytetit, multietniciteti, u rrënua edhe bërthama e vjetër e qytetit, ajo orientale dhe fisnike. Serbët, për herë të parë pushuan së qeni njerëz të qytetit dhe u shëndrruan në persona të zhvendosur brenda vendit në qytetin e tyre, në bazën e KFOR-it gjerman.

Nëntë vite nga pogromi ndaj serbëve nga Kosova, Mendimi i Ri Serb,17 mars 2013

http://www.nspm.rs/hronika/devet-godina-od-martovskog-pogroma-nad-srbima-sa-kosova.html?alphabet=l


Karikatura të autorit Jeton Mikullovci në gazetën “Koha Ditore”, ku pasqyrohet situata në Kosovë gjatë trazirave të marsit të vitit 2004.

Qyteti Nishit në Serbi, 18 mars 2004. Një grup qytetarësh serbë në orët e para të mëngjesit ia kanë vënë flakën xhamisë së qytetit. (Reuters, 18 mars 2004)

Filmat dokumentarë

Associated Press:  Pamje nga përplasja e protestuesve shqiptarë me ushtarët e KFOR-it, Mitrovicë, mars 2004

KLAN Kosova: Intervistë me prindin e njërit prej fëmijëve të mbytur në lumin Ibër

MOST film:  Protesta dhe reagimi i KFOR-it më 17 mars në Mitrovicë.