11. Ripushtimi/riçlirimi i Kosovës më 1918 dhe kryengritjet e armatosura shqiptare 1918-1924

Deri në fund të vitit 1918 serbët e rikthyen Kosovën, e cila duke qenë gjeografikisht pjesë e Serbisë, u inkorporua në Mbretërinë e re të serbëve, kroatëve dhe sllovenëve. Trajtimi i shqiptarëve nga autoritetet e reja të Mbretërisë ishte me pak përmirësime. Ata nuk u lejuan të kishin shkollat e tyre shqiptare dhe as të përdorin zyrtarisht gjuhën shqipe, asnjë media shqiptare nuk ishte e lejuar. Një numër i madh familjesh humbën vendin dhe pronën e tyre nën refomën bujqësore dhe kolonizimin e serbëve në Kosovë. Mijëra migruan në Turqi. Këto zhvillime po ndodhnin në një sfond të vazhdueshëm të luftimeve dhe mizorive. Rebelët shqiptarë, kaçakët vazhduan opozitën e tyre të armatosur, e cila u mbështet nga Komiteti i sapo krijuar i Mbrojtjes Kombëtare, i udhëhequr nga Hasan Prishtina. Politika e Komitetit ishte të bënte fushatë për vetëqeverisje dhe institucione të të drejtave të pakicave. Politika e këtij komiteti ndalonte në mënyrë specifike që serbët lokalë të dëmtohen dhe kishat e shtëpitë e tyre të shkatërrohen. Pavarësisht nga veprimi i armatosur, në terren ka pasur bashkëpunim mes dy komuniteteve. Lëvizja kaçake më në fund përfundoi në vitin 1924 kryesisht si rezultat i politikës së kryeministrit shqiptar Ahmet Zogu, i cili i pa udhëheqësit e Kosovës si një kërcënim për veten dhe ishte i përgatitur të vepronte kundër tyre në bashkëpunim me Beogradin.

Në fund të vitit 1918 Kosova dhe viset e tjera shqiptare u ripushtuan nga Sërbia, e cila me anë të regjimit ushtarak e policor ushtroi terror e gjenocid shtetëror mbi shqiptarët, duke djegë dhe shkatërruar fshatra të tëra. Mijëra shqiptarë u larguan për në Shqipëri dhe në Turqi. Shumë shqiptarëve iu morën pronat dhe iu dhanë kolonëve sërbë e malazezë. Shqiptarëve iu mohua përdorimi i gjuhës shqipe dhe i flamurit shqiptar. Shqiptarët organizuan luftë të armatosur kundër pushtuesit sërb dhe krijuan zona të lira në të cilat për një kohë nuk arriti të depërtonte ushtria sërbe. Me synim çlirimin dhe bashkimin kombëtar, shqiptarët themeluan “Komitetin Mbrojtja Kombëtare”, me seli në Shkodër, e me degë në qendrat kryesore të Kosovës. “Komiteti Mbrojtja Kombëtare” udhëhoqi lëvizjen kombëtare gjatë viteve 1918-1924, bashkëpunoi me “Xhemijetin”, e vetmja parti politike ku aderonin shqiptarët, dhe me çetat e armatosura në Kosovë. Në vitin 1924 pushteti sërb vrau udhëheqësit e çetave kryengritëse, duke nisë nga Azem Bejta, dhe burgosi anëtarët e “Xhemijetit”, ku prijësin e kësaj partie, Ferhat Draga, e dënoi me 100 vjet burg.

[Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 5. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 80-81; Rexhepi, Fehmi. Historia 9. Libri Shkollor, 2013, faqe 62-71, 76-78; Bajraktari, Jusuf, Fehmi Rexhepi dhe Frashër Demaj. Historia 10. Prishtinë: Libri Shkollor, 2011, faqe 101, 127-130; Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 11. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 131-137; Bajraktari, Jusuf dhe Arbër Salihu. Historia 12. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 184-86.]

Në nëntor 1918 ushtria sërbe e çliroi gjithë territorin e Sërbisë (në hartë, si territor i Sërbisë figuron edhe Kosova). Nuk përmenden vrasjet e shqiptarëve nga forcat sërbe, të kryera kryesisht në fund të vitit 1918 e në fillim të vitit 1919. Nuk paraqiten fare kryengritjet e armatosura shqiptare kundër forcave sërbe 1918-1924.

[Đurić, Đorđe dhe Momčilo Pavlović. Istorija 8. Beograd: Zavod za udžbenike, 2010, faqe 74, 103; Đurić, Đorđe dhe Momčilo Pavlović. Istorija 3. Beograd: Zavod za udžbenike, 2010, faqe 95, 96, 124, 155.]

Veprimtaria e lëvizjes kaçake vështirësohet pas shkatërrimit të bazës së kaçakëve në fshatin Junik në zonën neutrale mes kufirit të Shqipërisë dhe të Mbretërisë Sërbo-Kroate-Sllovene, e as se në fund të vitit 1923, Kryeministri i Shqipërisë, Ahmet Zogu, e dërgon në këtë zonë ushtrinë shqiptare për t’i luftuar kaçakët. Në këtë zonë vendosen trupa të përbashkëta shqiptaro-jugosllave për ta pamundësuar kthimin e kaçakëve në të. Po ashtu, në Shqipëri dënohet zyrtarisht me vdekje në mungesë kryekaçaku Azem Bejta, e më vonë edhe Hasan Prishtina, që ishte njëri prej udhëheqësve të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës.

Azem Bejta bën marrëveshje me autoritetet lokale sërbe për të jetuar i patrazuar, me kusht që të lëvizë vetëm brenda tri fshatrave. Kryekaçaku Azem Bejta kishte takime me zyrtarë të lartë sërbë, ku kërkonte që Kosova të ketë të drejtë për vetëqeverisje. Një numër i madh shqiptarësh bashkëpunonin me autoritetet dhe punonin në administratën lokale, dhe se prandaj disa prej tyre ishin cak i sulmeve të kaçakëve, bash sikur edhe kolonët sllavë. Po ashtu, formimi i çetave nga sërbët lokalë për të kryer operacione antikaçake, nxiti sulme të kaçakëve ndaj disa fshatrave sërbe, ndonëse rregullat e lëvizjes kaçake, mes të tjerash, parashihnin që të mos dëmtoheshin sërbët lokalë.

Shqiptarët, përveç rrugës kryengritëse, ndjekin edhe atë parlamentare, të përfaqësuar nga Shoqata e të Drejtës për Mbrojtjen e Islamit (Islam Muhafaza-yi Hukuk Cemiyeti), që shkurtimisht njihej si “Xhemijet”. Ky formacion politik, që konsiderohej si “parti e bejlerëve”, kërkonte autonomi religjioze, e nganjëherë edhe protestonte për kushtet e jetës në Kosovë. Ky formacion politik bashkëpunonte me dy partitë kryesore politike sërbe në Jugosllavi – demokratët dhe radikalët – e nganjëherë edhe e ndante të njëjtën listë elektorale me to.

[Malcolm, Noel. Kosovo – A Short History. London: Pan Macmillan, 2002, faqe 258-288; Schmitt, Oliver. Kosova: histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike. Prishtinë: Koha, 2012, faqe 143-160; Schmitt, Oliver. Shqiptarët – një histori midis Lindjes dhe Perëndimit. Tiranë: K&B, 2012, faqe 168-179; Bartl, Peter. Shqipëria – nga mesjeta deri sot. Prizren: Drita, 1999, faqe 170-207.Judah, Tim. Kosova – Lufte dhe Hakmarrje. Prishtinë: Koha, 2002, faqe 41-42; Fischer, Bernd. Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri. Tiranë: Çabej, 2000, faqe 29-51; Schwartz, Stephen. Kosovo: Background to a War. London: Anthem Press, 2000, faqe 75.]