16. Rezistenca civile në fund të viteve 1980 dhe gjatë viteve 1990

Në vitin 1988 demonstratat e reja u drejtuan nga minatorët e Trepçës, që protestonin për largimin e udhëheqësve lokal partiak nga Millosheviçi. Minatorët marshuan në Prishtinë, numri i demonstruesve u shtua jashtëzakonisht shumë nga punëtorët dhe studentët. Minatorët rinisën protestat e tyre në fillim të vitit 1989, duke bllokuar veten në minierë për të protestuar ndaj përgatitjeve që po bëheshin në Beograd për të frenuar fuqitë autonome të Kosovës. U mbajtën protesta të tjera më të gjera. U shpallë gjendja e jashtëzakonshme. Në mars 1989, Kuvendi i Kosovës, i rrethuar nga ushtria dhe policia u mbledhë për të pranuar ndryshimet në Kushtetutë. Janë mbajtur protesta të mëtejshme. Pak muaj më vonë u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Ibrahim Rugova. Gjatë dy viteve të ardhshme shumica e deputetëve shqiptarë u mbledhën jashtë institucioneve. Ata miratuan një Kushtetutë të ndryshuar që e deklaroi Kosovën republikë brenda federatës jugosllave dhe u mbajt një referendum për pavarësinë. Beogradi u përgjigj duke hequr shqiptarët nga vendet e tyre të punës në sektorin shtetëror, u dëbuan nga universiteti dhe fabrikat u mbyllën. LDK e bazoi politikën e saj mbi rezistencën pasive dhe loboi te komuniteti ndërkombëtar për të mbështetur qasjen e tyre. Megjithatë, po bëhej e qartë, sidomos pas Marrëveshjes së Dejtonit, që durimi me rezistencë joefektive pasive po mbaronte.

Udhëheqja politike në Kosovë, e cila që nga vitit 1981 e deri më 1989 ishte instrument në duart e politikës sërbe, me vonesë filloi ta kuptonte lojën për suprimimin e autonomisë. Më 1989 shpërthyen demonstrata gjithëpopullore për ruajtjen dhe avancimin e autonomisë. Minatorët e Trepçës në shenjë protestë u ngujuan në zgafelle për dy javë rresht me kërkesën për ta mbrojtë pavarësinë e institucioneve të Kosovës dhe për ta shqyrtuar fatin e Kosovës në OKB. Më 23 mars 1989, Kuvendi i Kosovës, i rrethuar me tanke, dha pëlqimin për ndryshimin e kushtetutës. Gjatë manifestimeve kundër ndryshimit të kushtetutës, ranë 30 dëshmorë. U izoluan 254 intelektualë dhe kuadro udhëheqëse shqiptare. Një formë shumë e rëndë e represionit policor sërb ishte edhe helmimi i 7 mijë nxënësve shqiptarë. Inteligjenca shqiptare më 23 dhjetor 1989 themeloi Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), e cila, nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, angazhohej për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve në Jugosllavi në bazë të parimit të vetëvendosjes. Më pas u formuan edhe parti të tjera dhe Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, që mbështeste Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, mbështeste kërkesën e shqiptarëve në Maqedoni për të qenë element shtetformues, ndërkaq për shqiptarët në Luginën e Preshevës kërkonte autonomi në shkallë të lartë me të drejtë bashkimi me Kosovën. Me qëllim të homogjenizimit të popullit shqiptar nisi pajtimi i gjaqeve, ku u falën mbi 1.200 gjaqe. Më 2 korrik 1990 Kuvendi i Kosovës e shpalli Deklaratën Kushtetuese mbi pavarësinë dhe barazinë e Kosovës në Jugosllavi. Më 7 shtator 1990 u miratua Kushtetuta e Kosovës. Në shtator 1991 u mbajt referendumi për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Më 24 maj 1992 u mbajtën zgjedhjet parlamentare e presidenciale. Pushteti sërb dëboi nxënësit dhe studentët shqiptarë nga shkollat dhe fakultetet, por shqiptarët organizuan sistemin e pavarur të arsimit në shtëpi-shkolla. Po ashtu, pushteti sërb dëboi nga puna mijëra shqiptarë, shumë prej tyre u detyruan të emigronin. Shqiptarët, të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, e bindën botën se e donin lirinë. Bota u bind se Kosova e meriton lirinë.

[Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 5. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 99-106; Rexhepi, Fehmi. Historia 9. Libri Shkollor, 2013, faqe 62-71, 76-78; Bajraktari, Jusuf, Fehmi Rexhepi dhe Frashër Demaj. Historia 10. Prishtinë: Libri Shkollor, 2011, faqe 199-207; Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 11. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 211-221.]

Nuk ka asgjë për rezistencën civile në fund të viteve 1980 e as për rezistencën civile gjatë viteve 1990 në Kosovë.

[Đurić, Đorđe dhe Momčilo Pavlović. Istorija 3. Beograd: Zavod za udžbenike, 2010, faqe 251-253. Đurić, Đorđe dhe Momčilo Pavlović. Istorija 8. Beograd: Zavod za udžbenike, 2010, faqe 186-187.]

Në fund të vitit 1988 qindra mija shqiptarë protestojnë në Kosovë kundër heqjes së autonomisë së Kosovës nga Sërbia e Slobodan Milošević-it. Protestuesit e kundërshtonin ndërrimin e udhëheqësve komunistë të Kosovës. Po kështu, grevat e minatorëve të Kosovës, të cilët në shkurt 1989 ngujohen për dhjetë ditë në zgafelle me kërkesën kryesore kundër rrënimit të autonomisë së Kosovës, dhe për “vëllazërim-bashkim dhe rrugën e drejtë të Titos”. Pas këtyre grevave dhe protestave, në Kosovë vihet gjendja e jashtëzakonshme dhe arrestohen qindra intelektualë, profesorë e udhëheqës ndërmarrjesh shoqërore. Arrestohet dhe gjykohet edhe ish-udhëheqësi politik i shqiptarëve të Kosovës, Azem Vllasit, që lirohet nga burgu mbas afro një viti.

Me gjithë këto protesta e greva të shqiptarëve të Kosovës, Sërbia e përfundon procesin e suprimimit të autonomisë së Kosovës, kur më 23 mars 1989 këtë e miraton Kuvendi i Kosovës me shumicë shqiptare. Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ishte e rrethuar me polici e ushtri sërbe. Ky kuvend kishte shumicë shqiptare dhe dhjetë deputetë shqiptarë të Kuvendit të Kosovës votojnë kundër heqjes së autonomisë të vitit 1974. Disa muaj pas suprimimit të autonomisë së Kosovës formohet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës brenda pak kohësh bëhet bindshëm partia më e madhe politike që udhëheq Kosovën. Fillimisht programi i saj ishte për autonomi.

Në mars e prill të vitit 1990, mija nxënës të Kosovës dërgohen në spitale drejt nga shkollat, për shkak të dhimbjeve të barkut, të kokës dhe vjelljeve nga, siç thuhej asokohe, helmimet masive të fëmijëve shqiptarë. Më vonë një ekspert toksikologjie i Kombeve të Bashkuara, në bazë të analizave të gjakut dhe urinës erdhi në përfundimin se kishte gjetë prani të substancave sarin dhe tabun. Në vitin 1995 bëhet publike se Armata e Jugosllavisë ka prodhuar sarin. Në disa pjesë të Kosovës ngjajnë dhjeta sulme ndaj sërbëve lokalë nga shqiptarë që besonin se fëmijët u ishin helmuar nga pushteti sërb në Kosovë.

Më 2 korrik 1990, të mbështetur edhe nga LDK-ja, deputetët e Kuvendit të Kosovës, para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në Prishtinë, e shpallin Kosovën republikë në kuadër të Jugosllavisë. Pas kësaj shpalljeje Sërbia i suprimon të gjitha organet legjislative, ekzekutive e gjyqësore të Kosovës; pushon nga puna shumicën dërrmuese të shqiptarëve të punësuar; mbyll televizionin, radion, gazetat, spitalet, fabrikat dhe studentëve dhe mësimdhënësve shqiptarë ua ndalon t’i shfrytëzojnë ambientet e UP-së. Pas dy muajsh, më 7 shtator 1990, Kuvendi i Kosovës shpall Kushtetutën e Republikës së Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, kurse më 26-30 shtator 1991 organizon referendumin për njohjen e Kosovës si shtet sovran e të pavarur me të drejtë lidhjeje me Jugosllavinë. Kuvendi i Republikës së Kosovës më 19 tetor 1991 e ndryshon Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe shkëput çdo lidhje me shtetin e Jugosllavisë. Në këtë periudhë, nën udhëheqjen e LDK-së krijohet sistemi paralel në disa fusha: arsim, shëndetësi, financa, media, kulturë e sport, organizohen zgjedhje presidenciale e parlamentare, dhe në rrafshin diplomatik lobohet për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

 Deri në mesin e viteve 1990, rezistenca paqësore pasive e udhëhequr nga LDK-ja nën Ibrahim Rugovën ishte e pakonkurrencë. Në këtë kohë, Adem Demaçi, që kishte vuajtur 28 vjet nëpër burgjet e Jugosllavisë së Titos për shkak të angazhimit për bashkimin e viseve shqiptare nën Jugosllavi me Shqipërinë, përfshihet në Partinë Parlamentare të Kosovës (PPK) për të bërë rezistencë paqësore aktive. Kjo mbasi në Kosovë, sipas tij, po lindte një shtresë e njerëzve të pakënaqur nga politika e rezistencës paqësore pasive e që kërkonin zgjidhje të armatosur. Demaçi nuk rezulton i suksesshëm në synimin e tij për të bërë rezistencë paqësore aktive. Në shtator të vitit 1996 me ndërmjetësimin e shoqatës Shën Exhidio, Ibrahim Rugova nënshkruan me Slobodan Milošević-in marrëveshjen për kthimin e nxënësve dhe të studentëve shqiptarë në objektet shkollore dhe universitare, të uzurpuara nga organet shtetërore të Sërbisë.

Maliqi, Shkëlzen. Nyja e Kosovës – as Vllasi as Milošević-i. Lubljanë: Knjizna zbirka KRT, 1990, faqe 254; Malcolm, Noel. Kosovo – A Short History. London: Pan Macmillan, 2002, faqe 334-356; Clark, Howard. Civil Resistance in Kosovo. London: Pluto Press, 2000, faqe 58, 70-157; Ismajli, Rexhep, Hivzi Islami, Esat Stavileci dhe Ilaz Ramajli. Akte të Kuvendit të Republikës së Kosovës – 2 korrik 1990-2 maj 1992. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, 2005, faqe 7-8 dhe 9-41, 98-101, 119 dhe 141-142; Gashi, Shkëlzen. Adem Demaçi biografi e paautorizuar. Prishtinë: Rrokullia, 2010, faqe 118-140.