23. Deklarata e Pavarësisë (2008)

Deklarimi i njëanshëm i pavarësisë së Kosovës u miratua nga Kuvendi më 17 shkurt 2008. Deklarimi u mbështet nga fuqitë kryesore evropiane dhe SHBA. Kosova u njoh shpejt si një shtet i pavarur nga shumica e demokracive perëndimore evropiane, shtetet anëtare të BE-së, SHBA dhe të tjerët. Serbia refuzoi ta njohë Kosovën. Ditën tjetër, parlamenti serb miratoi rezolutën e vet duke e anuluar deklarimin si të paligjshëm, pasi që sipas kushtetutës serbe Kosova ishte pjesë integrale e atij vendi. Rusia mbështeti Serbinë, duke refuzuar të njohë Kosovën e pavarur. Disa shtete u shqetësuan se pavarësia e Kosovës mund të jetë precedent për lëvizjet e tjera separatiste.

Pas dështimit të përpjekjeve ndërkombëtare për statusin final, Qeveria e Republikës së Kosovës përgatiti shpalljen e pavarësisë së vendit. Pas përgatitjeve gjithëpërfshirëse, me kërkesën e Presidentit Sejdiu dhe të Kryeministrit Thaçi, më 17.02.2008, thirret seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, i cili e shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Kuvendi miratoi Deklaratën e Pavarësisë. Deklaratën pastaj e nënshkruan të gjithë deputetët, përveç atyre sërbë, të cilët nuk morën pjesë në seancën parlamentare.

Një ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, vendin tonë e njohën: SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Shqipëria. Më vonë vazhdoi njohja nga shtete të tjera dhe deri tash Kosovën e kanë njohur si shtet të pavarur një numër i konsiderueshëm i shteteve anëtare të OKB-së. Rëndësi të ve,cantë për Republikën e Kosovës ka padyshim njohja nga vendet fqinje: Maqedonia dhe Mali i Zi.

Përderisa Kosova u njoh nga shtetet më të mëdha të Evropës Perëndimore dhe SHBA-të, udhëheqja e Sërbisë e shpalli si akt ilegal dhe të jashtëligjshëm. Në këtë drejtim udhëheqja e Beogradit e kishte përkrahjen e Rusisë, e cila, po ashtu, Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës e konsideronte jolegjitime dhe rrezik për stabilitetin në rajon. Pavarësisht këtyre qëndrimeve sërbo-ruse, njohja ndërkombëtare e shtetit të Kosovës vazhdoi edhe më tej. Në shenjë revolte, ekstremistët sërbë në Sërbi sulmuan ambasadat e atyre vendeve që kishin njohur pavarësinë e Kosovës, si: të SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Turqisë, etj. Sulmi më brutal ishte në Ambasadën e SHBA-ve. Ky akt vandal dhe brutaliteti i shprehur nga ekstremistët sërbë në ambasadat e këtyre vendeve u gjykua nga mbarë bota demokratike.

Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës njëzëri votoi për Kosovën e pavarur nga Republika e Serbisë. Më 18 shkurt 2008, Qeveria dhe Parlamenti i Serbisë e shfuqizuan këtë vendim si akt kundërkushtetues.

Pavarësia e Kosovës shkaktoi ndarje në bashkësinë ndërkombëtare. Disa vende e kanë njohur Kosovën e disa nuk e kanë njohur.

Noel Malcolm,  Marc Weller

Disa sulme ndodhën që nga vera e vitit 1996 e tutje, duke përfshirë vrasjen e dy policëve në Mitrovicë, një shpërthim bombe në Podujevë dhe një sulm ndaj Rektorit serb të Universitetit të Prishtinës; asnjë organizatë nuk mori përgjegjësinë, dhe shumë shqiptarë mendonin se këto ishin akte artificiale të provokimit. Por, në verën e vitit 1997, një zëdhënës i organizatës që e quante veten ‘Ushtria Çlirimtare e Kosovës’ jepte intervista në Zvicër, ku thoshte se organizata e tij ishte përgjegjëse për disa nga vrasjet e fundit të policëve serbë dhe deklaronte: “Kjo është lëvizje që ka mbështetjen e popullit”. Çfarëdo shkalle të mbështetjes që ka marrë kjo ushtri duhet të interpretohet si shprehje e zhgënjimit popullor për pamundësinë evidente të Ibrahim Rugovës (presidenti i Kosovës dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK) për të fituar ndonjë njohje të re të interesave të Kosovës nga bota e jashtme pas Dejtonit.
Këto sulme fillestare në përgjithësi shënjestronin policinë apo pikat e tjera të sigurisë edhe pse autoritetet e RFJ/Serbisë sugjeronin në atë kohë, me disa justifikime se sulmet ishin pjesë e një strategjie me qëllim të frikësimit të civilëve serbë.

 

Oliver Schmitt, Marc Weller

UÇK-ja doli nga grupet e shpërndara të ekstremit të majtë, të cilat u përmendën më herët, dhe të cilat qenë aktive në fillim të viteve tetëdhjetë, duke simpatizuar ideologjinë e Enver Hoxhës. Në shtratin e kësaj ideologjie ishte një tendencë shqiptaromadhe, mendësia komuniste së shpejti kaloi në plan të dytë. Parakushtin politik për luftën e armatosur e krijoi shkatërrimi i shtetit në Shqipëri (në fillim të vitit 1997), kur nga magazinat e ushtrisë shqiptare u vodhën gjithsej një milion armë, të cilat pastaj u përhapën përmes tregtisë me armë dhe pjesërisht përfunduan në duart e UÇK-së. Në kaosin e vitit 1997 u rrëzua Qeveria dhe presidenti Sali Berisha u detyrua të jepte dorëheqjen, ai kishte mbajtur lidhje të ngushta me lbrahim Rugovën dhe në të shumtën e rasteve kishte mbështetur politikën e tij. Kështu Rugova humbi një mbështetje të rëndësishme mu në momentin kur u sfidua nga UÇK-ja. Pas hapjes së kufirit shqiptar (me rrëzimin e regjimit komunist më 1991), UÇK-ja mund ta përdorte territorin shqiptar si hapësirë të mbrojtur dhe për tërheqje. Po ashtu u ringjallën lidhjet e vjetra familjare në të dyja anët e kufirit. Qyteza të varfra dhe me rrugë të këqija në verilindje të Shqipërisë si: Kukësi, Tropoja dhe Bajram Curri shërbyen si qendra për furnizim me armë, por njëkohësisht ishin edhe nyja për forma të ndryshme të kontrabandës, nga fitimet e së cilës pjesërisht u financua edhe lufta. Tropoja është rajoni prej nga rrjedh Sali Berisha, i cili në vitin 1997 e kishte humbur kontrollin edhe në vatrat e tij të vjetra politike dhe kështu nuk ishte në gjendje t’i mbante nën kontroll kundërshtarët e Rugovës në Kosovë.

Më 28 nëntor 1997 u shfaqën publikisht tre luftëtarë të maskuar me rastin e varrimit të një mësuesi në fshatin Llaushë, i cili do të bëhej qendër e lëvizjes. Mbështetje të theksuar UÇK-ja gëzoi në rajonet tradicionalisht kryengritëse si Drenica dhe Rrafshi i Dukagjinit.

Deri në vjeshtën e vitit 1998 UÇK-ja nuk luftoi si ushtri e organizuar dhe me komandë qendrore: për më tepër ajo ndoqi traditat e vjetra balIkanike të luftës guerile, ngjashëm me kaçakët në fillim të viteve njëzet. Shpesh fjala ishte për mbrojtës katundi, të cilët ishin burra të familjeve të mëdha. Në dimrin e viteve 1997/98 nunri i guerilëve vlerësohej në 2.000. Ata shfrytëzuan klimën dhe territorin: dimrit shumë vende vështirë mund të arriheshin për shkak të rrugëve shpesh të paasfaltuara apo të asfaltuara keq. Automjetet e blinduara policore dhe ushtarake me zor mund të kalonin nëpër këto rrugë. Autoritetet serbe kontrollonin rrugët e asfaltuara, derisa guerilja siguronte furnizimin përmes shtigjeve të vjetra përmes territorit kodrinor nga Shqipëria në Kosovë: si mjete transporti shërbenin mushkat. Lufta pjesërisht u zhvillua me metoda paramoderne. Disa prej përleshjeve më të ashpra u zhvilluan në vitin 1998 gjatë përpjekjes së forcave serbe të sigurisë për t’i mbyllur këto shtigje. Fillimisht lufta iu përshtat edhe kalendarit tradicional dhe klimatik të betejave. Guerilët e mbështetur nga fshatarët u treguan më mobilë, ndonëse sa i përket armatimit ata në këtë fazë ishin në disfavor të madh.

Në etapën e hershme të kryengritjes guerilët u koncentruan në bllokimin e herëpashershëm të rrugëve, sidomos natën, dhe në kryerjen e sulmeve kundër forcave të sigurisë. Reagimi i ashpër i policisë serbe goditi kryesisht popullsinë civile dhe ndikoi që luftëtarë të rinj t’i bashkoheshin rezistencës. Ky model ishte i njohur edhe nga luftërat tjera guerile. Nga fundi i dimrit 1998, Qeveria serbe vendosi ta eliminonte UÇK-në me një ofensive të gjerë. Ajo u mbështet në 30.000 pjesëtarë të armatës dhe të policisë speciale dhe disa qindra paramilitarë dhe mori përkrahje nga popullsia civile serbe, pjesa më e madhe e së cilës ishte e armatosur. Lufta mes fshatrave dhe lufta mes njësive guerile dhe ushtrisë së rregullt zhvillohej paralelisht. Në mars të vitit 1998 njësitë serbe pushtuan “rajonin e çliruar të Drenicës”, gjatë sulmit kundër shtëpisë së familjes Jashari në Prekaz (Adem Jashari ishte njëri nga themeluesit e UÇK-së) u vranë 54 njerëz, shumica e tyre joluftëtarë. Represioni i ashpër ngjalli një solidarizim të madh të popullsisë qytetare shqiptare me kryengritjen, e sidomos me rajonin e Drenicës. Tani e tutje Adem Jashari shihej si martir, kështu kryengritja u pajis me një figurë simbol.

Në vijim UÇK-ja ndryshoi taktikën e saj dhe pa përfillur popullsinë civile filloi t’i sfidonte autoritetet serbe të sigurisë. Me këtë UÇK-ja synonte të tërhiqte vëmendjen ndërkombëtare dhe të arrinte një ndërhyrje të fuqive të mëdha perëndimore. Reagimi serb ishte i ashpër: fshatrat u sulmuan me artileri, më 5 qershor 1998 Juniku u bombardua nga forcat ajrore. Në kufirin shqiptar trupat serbe vendosën një rrip me mina në gjatësi prej 130 kilometrash dhe u përpoqën të krijonin një zonë sigurie të gjerë 10 kilometra, për shkak të pajisjeve pjesërisht të këqija, mungesës së trupave dhe terrenit të vështirë një gjë e tillë nuk mund të realizohej. Në qershor të vitit 1998 UÇK-ja nisi një ofensivë: me këtë rast aty-këtu në Kosovën Qendrore serbët u dëbuan nga vatrat e tyre. Në rrethinën e Gjakovës, në Malishevë dhe në Drenicë guerilja ndihej aq e sigurt, saqë ndërtoi edhe struktura të rregullta administrative. Por këto u shkatërruan mes mesit të korrikut dhe mesit të gushtit nga njësitë e rregullta serbe: në vjeshtë 1998 UÇK-ja ishte pothuaj plotësisht e mposhtur, pjesa më e madhe e luftëtarëve të saj u tërhoqën në Shqipëri. Kështu trupat guerile dukshëm humbën reputacionin te popullsia, e cila ishte e pambrojtur nga represioni serb
edhe pse ndjenja e krizës kombëtare u pa nga disa vëzhgues si krijim i një ndjenje të solidaritetit kombëtar, që shpesh transpozohej tek UÇK-ja, pasi që dukej se ofronte të vetmen strehë ndaj situatës gjithnjë e më dëshpëruese. Tashmë ishin vrarë 2.000 njerëz, 5.000 ishin plagosur, gjithsej 400.000 njerëz ishin arratisur, 40.000 shtëpi ishin shkatërruar: sipas vlerësimeve shqiptare (nga LDK) 95 për qind e viktimave qenë civilë.

 

Noel Malcolm

Kosova mbeti territor osman derisa u pushtua nga forcat serbe në vitin 1912. Serbët do të thoshin “u çlirua”; por edhe vetë vlerësimet e tyre e vënë popullsinë serbe ortodokse në më pak se 25%. Shumica e popullësisë ishte shqiptare dhe nuk e mirëpriti sundimin serb, kështu që “e pushtoi” duket se është fjala e duhur. Por ligjërisht, Kosova nuk u përfshi në mbretërinë serbe në vitin 1912; ajo mbeti territor i pushtuar edhe për një kohë pas vitit 1918. Më në fund, ajo u përfshi, jo në një shtet serb, por në atë jugosllav. Dhe me një ndërprerje të madhe (Lufta e Dytë Botërore) mbeti pjesë e një lloji të shtetit jugosllav deri në qershor të vitit 2006. Deri në shkatërrimin e Jugosllavisë së vjetër nga Millosheviqi, Kosova kishte status të dyfishtë.

U quajt pjesë e Serbisë; por u quajt edhe njësi e federatës. Në të gjitha mënyrat praktike, kuptimi i fundit mbizotëronte: Kosova kishte parlamentin dhe qeverinë e vet dhe përfaqësohej drejtpërsëdrejti në nivel federal, së bashku me Serbinë. Ishte, në fakt, një nga tetë njësitë e sistemit federal. Pothuajse të gjitha njësitë e tjera tani janë bërë shtete të pavarura. Historikisht, pavarësia e Kosovës vetëm e përmbyllë atë proces. Prandaj, Kosova është bërë një shtet ish-jugosllav, ashtu siç mund t’ju tregojë çdo historian.

 

Oliver Schmitt

Në fillim të vitit 2008 te një pjesë e shteteve perëndimore u rrit përkrahja që Kosova njëanshëm të shpallte Deklaratën e Pavarësisë, gjë që edhe ndodhi më 17 shkurt 2008. Edhe ato shtete, të cilat e pranuan Kosovën në javët në vijim, këtë hap e ndërmorën duke qenë të vetëdijshme se kjo nuk ishte mundësia më e mirë, por me gjasë e vetmja. Kundërshtarët e pavarësisë theksonin se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës mund të ketë karakter precedent për lëvizje të tjera separatiste. Në javët e para pas pavarësisë së Kosovës kjo zgjidhje u përmend si shembull për konfliktet nga krahina e baskëve në Spanje deri në Tibet.

(Fehmi Rexhepi ‘Historia 9’. Prishtinë: Libri Shkollor, 2010; Jusuf Bajraktari, Fehmi Rexhepi, Frashër Demaj ‘Historia 10’. Prishtinë: Libri Shkollor, 2011. Đorđe Đurić and Momčilo Pavlović ‘Istorija 8’. Belgrade: Zavod za udžbenike, 2010; Đorđe Đurić and Momčilo Pavlović ‘Istorija 3’. Belgrade: Zavod za udžbenike, 2010. Oliver Schmitt ‘Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike’, Prishtinë, Koha, 2012; ‘Is Kosovo Serbia? We ask a historian’, The Guardian, 26 February 2008 – https://www.theguardian.com/world/2008/feb/26/kosovo.serbia )