1. Origjina e Shqiptarëve

Gjithmonë është e vështirë të gjejmë informacione për origjinën e një race. Duhet të përpiqemi të shmangim përcjelljen e përkufizimeve të sotme të nacionalitetit në një situatë që ka ekzistuar më shumë se 2000 vjet më parë. Ky është një anakronizëm. Historianët duhet të shmangin përdorimin e gjuhës së identitetit, i cili shumë kohë më parë nuk kishte rëndësi. Mund të sugjerojnë që identiteti i një kombi kishte një ekzistencë të pandërprerë që nga antikiteti, por nuk e kishte. Mund të ketë disa tregues të vazhdimësisë iliro-shqiptare, por ka mungesë të dëshmive të mjaftueshme për të bërë ndonjë përfundim vendimtar. Njerëzit dhe fiset kanë qenë në lëvizje që nga kohra të lashta, që përfshinë periudhën para Perandorisë Romake, kur ka pasur lëvizje të mëdha njerëzish, atë që në përgjithësi sot e quajmë emigracion. Këta njerëz nuk ishin entitete monolite. Shqiptarët dhe Ilirët nuk do të thërrisnin veten me këta emra, por këta emra janë përdorur që nga shekulli 19. Këta njerëz do ta shihnin veten si anëtarë të një familje të veçantë, të një klani, një rajoni dhe më vonë një feje. Paraardhësit tanë nuk vijnë të gjithë nga të njëjtët njerëz, ne jemi një përzierje e ndikimeve të ndryshme njerëzore, pavaresisht çfarë anëtarësie kombëtare e konsiderojmë sot si tonën. Shekuj të bashkëjetesës në një perandori multietnike, e bëjnë pothuajse të pamundshme të përcaktojnë qartë kufijtë kulturorë dhe gjuhësorë që ndajnë njerëzit.

Pellazgët kanë qenë popullsia më e vjetër e Ballkanit, ndërsa ilirët pasardhësit e tyre, kurse «gjuha pellazge ka qenë shumë e ngjashme me gjuhën ilire dhe prej saj ka rrjedhë gjuha ilire, ndërkaq traditat dhe zakonet e pellazgëve kanë qenë shumë të përafërta me ato ilire». Ilirët janë stërgjyshër të shqiptarëve: «ilirët kishin zakone të veçanta, të ngjashme me ato të shqiptarëve të sotëm»; «mikpritja e ilirëve mund të krahasohet me mikpritjen që i bëjnë mysafirit shqiptarët e sotëm»; «mënyra e veshjes së ilirëve ngjan me mënyrën e veshjes së shqiptarëve të sotëm» sepse «ilirët në kokë mbanin kësulë leshi, ashtu siç mbajnë plis të bardhë sot malësorët shqiptarë». «Gjuha ilire ishte shumë e ngjajshme me gjuhën e sotme shqipe» sepse shqipja ka «shumë fjalë nga ilirishtja që përdoren edhe sot, si emrat: Gent, Teutë, Agron, Bardhyl…». «Në territorin e Ilirisë ishin ngritë shumë qytete, gjurmët e të cilave gjenden edhe sot në të gjitha trojet etnike shqiptare dhe më gjërë». Ilirët janë paraardhës të padiskutueshëm të shqiptarëve dhe si popullsi vendase në trevat e Ballkanit, dikur të banuara prej tyre në gati gjithë territorin e ish-Jugosllavisë.

Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj.Historia 5. Prishtina: Libri Shkollor, 2013, faqe 8-21; Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj.Historia 6. Prishtina: Libri Shkollor, 2013, faqe 24, 70-98 dhe 105; Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj.Historia 10. Prishtina: Libri Shkollor, 2013, faqe 26-59.

Tekstet e historisë së Sërbisë nuk bëjnë fjalë për prejardhjen e shqiptarëve, ndonëse ilirët i përmendin si njërin prej popujve që në kohërat e lashta jetonte në bregdetin Adriatik dhe në brendi të gadishullit të Ballkanit.

Smirnov-Brkiq, Aleksandra.Historia 5. Belgrade: Zavod za udžbenike, 2011, faqe 148-51; Mihaljčić, Rade.Istoria 6. Belgrade: Zavod za udžbenike, 2011, faqe 42; Katić, Tatjana dhe Dušan Ilijin. Istorija za I razred gimnazije. Belgrade:Zavod za udžbenike, 2013, faqe 184-187.

«Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve» është një prej hipotezave, ndonëse më e spikatura dhe më mbizotëruesja, sepse përveç hipotezës që i identifikon shqiptarët e hershëm si ilirë (shqipja e ka prejardhjen nga ilirishtja) përvijohet edhe hipoteza rivale që i konsideron shqiptarët e hershëm si thrakë (shqipja e ka prejardhjen nga thrakishtja).
Pohimet e autorëve mbi ngjashmërinë mes zakoneve shqiptare dhe atyre ilire, janë krejt të përgjithësuara dhe duhen marrë me shumë rezervë kur kundrohen secili brendapërbrenda kontekstit kohor vetjak, që fiset e ilirëve antikë i bën dukshëm të ndryshëm nga shqiptarët e sotëm.
Njëlloj, nuk mund të thuhet në mënyrë të prerë se gjuha ilire ngjante shumë me shqipen e sotme, sa kohë nuk zotërohet as edhe një tekst i ruajtur në ilirisht. Ekzistojnë disa «glosa», pra komente që shpjegojnë domethëniet e fjalëve, por dëshmitë mbeten margjinale dhe të pamjaftueshme për të nxjerrë konkluzione. Përdorimi i sotëm i emrave të njerëzve, si Gent, Teutë, Agron, Bardhyl, e me radhë, nuk mund të përdoret si argument për të dëshmuar ngjashmërinë mes ilirishtes dhe shqipes së sotme. Përdorimi i sotëm i këtyre emrave pasqyron një ndikim të caktuar politik e kulturor të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Toponimet, pra emrat e vendeve, kryesisht janë mbetje të gjuhëve të mëhershme. Gjithashtu, qytetet, rrënojat e të cilave gjenden edhe sot në hapësirat ku jetojnë shqiptarët, nuk mund të konsiderohen provë e vazhdimësisë iliro-shqiptare, sepse nuk kemi prova nga mbetje materiale që të tregojnë se çfarë gjuhe kanë folë banuesit e tyre, përveç nëse ka mbishkrime, të cilat këtu mungojnë.
Mund të ketë tregues të një vijimësie iliro-shqiptare, por mungojnë dëshmitë e mjaftueshme për deklarime përfundimtare. Në fund të fundit, siç e thotë me të drejtë Noel Malcolm:
– prejardhjet bëhen misterioze po i hetuam thellë në të kaluarën e pothuajse të gjithë popujve;
– popujt ose fiset që kanë lëvizë më herët nuk mund të konsiderohen si ndonjë tërësi monolite që nuk i janë nënshtruar ndryshimeve në identitet prej zhvendosjes nga një vend në tjetrin;
– prejardhjet e të gjithë individëve janë të përziera dhe nuk mund të supozojmë se të gjithë paraardhësit tanë kanë qenë të të njëjtës popullatë.[3]

Malcolm, Noel.Kosovo: A Short History. London: Pan Books, 2002, faqe 22-40; Schmitt, Oliver.Shqiptarët – një histori midis Lindjes dhe Perëndimit. Tirana: K&B, 2012, faqe 41-49; Matzinger, Joachim.Shqiptarët si pasardhës të ilirëve nga këndvështrimi i gjuhësisë historike. Botuar në librin e përgatitur nga Oliver Schmitt dhe Eva Anne Frantz.Historia e Shqiptarëve – gjendja dhe perspektivat e studimeve. Tirana: Botimet Përpjekja, 2012, faqe 13-39.