17. Lufta në Kosovë 1998-1999

Konflikti tre mujor i Kosovës më 1999, ndërhyrja e NATO-s, ishte rezultat i një procesi të dështuar politik për të vendosur një dialog për të zgjidhur krizat politike dhe humanitare që u zhvilluan në Kosovë. Përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për t’i sjellë shqiptarët e Kosovës dhe RFJ-në dhe serbët për të gjetur një zgjidhje për statusin e Kosovës përmes dialogut, nuk dhanë ndonjë marrëveshje. Ky dështim u përkeqësua pas 1997 nga sulmet e forcave ushtarake serbe dhe forcave të sigurisë mbi shqiptarët e Kosovës dhe nga shfaqja dhe veprimtaria e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Konflikti tre-mujor u zhvillua në një fatkeqësi masive humanitare derisa politika e dëbimit etnik dhe vrasjeve të civilëve zbatohej nga forcat e RFJ-së. Kishte një numër të madh të viktimave të pafajshme të krimeve të luftës në të dy anët, veçanërisht në mesin e shqiptarëve të Kosovës, duke përfshirë zhvendosjen e qindra mijërave. Armiqësitë u përfunduan në qershor me nënshkrimin e Marrëveshjes Ushtarake dhe Teknike midis KFOR-it dhe RFJ-së e Serbisë.

Represioni sërb ndikoi që më 1 tetor 1997 të shpërthejnë protestat e popullsisë dhe të studentëve të UP-së kundër pushtetit okupues. Ushtria dhe policia sërbe vriste dhe masakronte shqiptarët anekënd Kosovës, prandaj për ta mbrojtë dhe çliruar popullin e Kosovës, në skenë doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), e cila u paraqit për herë të parë më 28 nëntor 1997. Platforma e saj për liri e pavarësi, për shoqëri të hapur e demokraci, u përkrah nga mbarë populli shqiptar. Lufta e UÇK-së u intensifikua pas luftës heroike të familjes Jashari në Prekaz, të udhëhequr nga Adem Jashari.
Pushteti okupues sërb futi në veprim një makineri të fuqishme ushtarako-policore e propagandistike, jo vetëm kundër UÇK-së, por edhe kundër popullatës civile, rrjedhojë e të cilave janë skenat e llahtarshme të barbarisë së eskadronëve gjakatarë, vrasjet e masakrimet e njerëzve të pafuqishëm e të pafajshëm, djegiet e shtëpive, burgosjet masive, etj.

Politika paqësore dhe lufta e UÇK-së dhanë rezultatet e veta. Lufta e UÇK-së hyri në një fazë të re pas masakrës së Reçakut dhe dështimit të bisedimeve në Rambuje. Për t’ia ndalur hovin krimeve të Sërbisë ndaj shqiptarëve, ndodhi ndërhyrja ushtarake e bashkësisë ndërkombëtare. Pas tre muaj bombardimesh të NATO-s dhe aksioneve të vazhdueshme të UÇK-së, Ushtria Jugosllave u detyrua të tërhiqej nga Kosova. Në Kosovë, pos njësiteve të UÇK-së, hynë edhe forcat e NATO-s. OKB vendosi pushtetin civil, kurse NATO atë ushtarak. UÇK u shndërrua në TMK.

Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 5. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 99-106; Rexhepi, Fehmi. Historia 9. Libri Shkollor, 2013, faqe 62-71, 76-78; Bajraktari, Jusuf, Fehmi Rexhepi dhe Frashër Demaj. Historia 10. Prishtinë: Libri Shkollor, 2011, faqe 199-207; Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 11. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 211-221.

Aksionet e çdoditshme të armatosura të grupeve terroriste shqiptare, të shpallur si Ushtria Çlirimtare e Kosovës, plaçkitjet dhe konfrontimet e tyre me forcat e rendit, në të cilat kanë pësuar më shumë civilët, në mënyrë të theksuar e kanë përkeqësuar gjendjen në Kosovë.
Më në fund, shtetet perëndimore u përzien, duke u dhënë përkrahje të hapur shqiptarëve. Pas bisedimeve të pasuksesshme në Rambuje dhe Paris dhe pas refuzimit të palës sërbe që t’i nënshkruante kërkesat ultimative për tërheqjen e ushtrisë dhe policisë nga Kosova në shkurt të vitit 1999, pasoi agresioni i NATO-s, i cili zgjati prej 24 mars 1999 deri më 10 qershor 1999.
Pas 78 ditësh të bombardimeve të pandërprera, ushtria dhe policia u tërhoqën nga Kosova. Sipas dispozitave të Marrëveshjes së Kumanovës më 9 qershor 1999, ushtria duhej të tërhiqej 5 kilometra brenda territorit të vet nga kufiri administrativ me Kosovën (zona e sigurisë). KS i OKB-së miratoi Rezolutën 1244 për Kosovën, me të cilën garantohet integriteti territorial i Jugosllavisë.

Đurić, Đorđe dhe Momčilo Pavlović. Istorija 3. Beograd: Zavod za udžbenike, 2010, faqe 251-253. Đurić, Đorđe dhe Momčilo Pavlović. Istorija 8. Beograd: Zavod za udžbenike, 2010, faqe 186-187.

Abuzimet e të drejtave të njeriut të kryera nga regjimi serb kundër shqiptarëve të Kosovës inkurajuan shfaqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, e cila u bë e dukshme në 1997. Më 1 tetor 1997 studentët e Universitetit të Prishtinës organizuan protesta duke kërkuar të drejtën që studentët shqiptarë të kthehen në Universitet.

Sulmet nga forcat serbe në zonat e Drenicës u shkallëzuan në shkurt të vitit 1998, duke kulminuar në sulmin ndaj familjes Jashari në Prekaz në mars të vitit 1998. Raportet që vinin tregonin për një numër në rritje të civilëve të vrarë nga forcat sërbe. Serbët, gjithashtu po vriteshin dhe rrëmbeheshin. Politika serbe ishte zhvendosur nga një diskriminim legjislativ në sulm ushtarak.

Në atë kohë, nuk ishte e qartë se çfarë ishte UÇK-ja, dhe shumë kosovarë, duke përfshirë Ibrahim Rugovën, e panë atë si një provokim serb. Ndërkombëtarët, përfshirë ShBA-të, ishin gjithashtu të painformuar dhe në shkallë të madhe nuk kishin dijeni për sulmet që po ndodhnin tashmë. Në mes të vitit 1998 filluan të mësojnë më shumë dhe të kenë kontakte me formacionet e UÇK-së. Veprimtaritë e UÇK-së u konsideruan si akte terrorizmi, siç thuhet në rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Komuniteti ndërkombëtar në këtë kohë po përpiqej të zgjidhte krizën e Kosovës përmes procesit politik dhe ishte në bisedime të vazhdueshme me Sllobodan Millosheviçin.

Grupi i Kontaktit, anëtare e të cilit ishte edhe Rusia, dhe OKB-ja ishin lojtarët kryesorë në konsolidimin e përpjekjeve për të zgjidhur krizën e Kosovës. Rezolutat e OKB-së bënin thirrje për dialog, tërheqje të policisë speciale serbe dhe ndërprerje të veprimtarisë së forcave të sigurisë, që prekte popullsinë civile. Një shqetësim i veçantë u shpreh për situatën humanitare me tendenca të përkeqësimit të vazhdueshëm. Në shtator 1998, Këshilli i Sigurimit sinjalizoi shqetësimin e veçantë për rritjen e përdorimit të forcës nga forcat serbe të sigurisë dhe ushtria jugosllave, që kishte rezultuar me viktima të shumta civile dhe zhvendosje të mbi 230,000 shqiptarëve të Kosovës. Ata ishin viktima të vërteta, derisa UÇK-ja në përputhje me taktikat e ushtrisë guerile, nuk kishte as fuqinë e as pajisjet për të përballuar drejtpërdrejt forcat kundërshtare, prirej të shkriheshin fshatrave që sulmoheshin.

Rezoluta 1199 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me Kosovën, e miratuar në shtator të vitit 1998, bëri thirrje për ndërprerjen e armiqësive t të dyja palët, për hapat që duhen marrë për të shmangur një katastrofë humanitare dhe për një dialog kuptimplotë pa parakushte, me përfshirje ndërkombëtare. Në korrik 1998, Grupi i Kontaktit kishte bërë thirrje për një përpjekje më të madhe për fillimin e negociatave për statusin e Kosovës. Këto do të udhëhiqeshin nga Christopher Hill, ambasadori i SHBA në Shkup të Maqedonisë. Bisedimet e tij ishin diplomaci fluturuese, fliste me të dyja palët veç e veç. Ky proces ka përfunduar në dhjetor 1998, pasi të dyja palët e hodhën poshtë propozimin e tij, edhe pse ky projekt ishte kryesisht bazë për bisedimet e Rambujesë.

Në tetor Richard Holbrooke ishte dërguar nga Shtetet e Bashkuara si i dërguar i posaçëm për negociata të drejtpërdrejta me Millosheviqin. U arrit një marrëveshje në Beograd, ku prania e policisë së RFJ në Kosovë u tërhoq në nivelet para shkurtit 1998 dhe filluan negociatat serioze. Një Misioni Verifikues i Kosovës, KVM, u dakordua gjithashtu me OSBE-në për të monitoruar pajtueshmërinë me Rezolutën 1199 të KS të OKB-së. KVM u krijua. Kjo marrëveshje u pa si e paqartë dhe e keqkuptuar, pasi përfshinte dispozita të cilat do të ishin krejtësisht të papranueshme për Kosovën. Delegacioni i Kosovës, i cili ishte pjesë e procesit Hill, ndjeu se marrëveshjet kishin dëmtuar në mënyrë kritike procesin.

Më 13 tetor NATO kishte lëshuar një urdhër aktivizimi, një hap i paparë në proceset ndërkombëtare. Qëllimi i tij ishte të shmangte një katastrofë të menjëhershme dhe të madhe në Kosovë, pra kishte një qëllim humanitar. Deri në këtë kohë në Kosovë kishte rreth 300,000 persona të zhvendosur. Rreth 30% kishin arritur të gjenin strehim në vendet fqinje. Këto shifra pritej të rriteshin dhe u përvijua kërcënimi i dimrit.

Marrëveshja Holbrooke pati një efekt të kufizuar me rreth 100,000 persona të zhvendosur që ktheheshin në shtëpitë e tyre në Kosovë. Dhuna, vrasjet dhe rrëmbimet vazhduan në të dy anët.

Momenti i përplasjes në krizë erdhi me vrasjet e shqiptarëve të Kosovës në Raçak në janar të vitit 1999. Këto janë parë si teprime të hapura humanitare të kryera nga forcat serbe. Kjo ndodhi në një sfidë të një ofensive të rinovuar ushtarake jugosllave, e cila kishte filluar në dhjetor. Pas kësaj, Grupi i Kontaktit ftoi të dy palët të zhvillojnë bisedime në Rambuje jashtë Parisit për të arritur një marrëveshje të përkohshme trevjeçare mbi statusin e Kosovës. Konferenca u mbështet nga një kërcënim i NATO-s për të përdorur forcën. Jugosllavia ishte në dijeni të kredibilitetit të dyshimtë lidhur me kërcënimin për përdorim të forcës.

Bisedimet në Rambuje filluan më 6 shkurt. Delegacioni i Kosovës përfshinte përfaqësuesit e UÇK-së, pasi komuniteti ndërkombëtar besonte se ata duhet të kishin pronësinë e procesit dhe të mos mbeteshin jashtë për të bërë opozitë. Hashim Thaçi dhe jo Ibrahim Rugova e udhëhoqën delegacionin. Negociatat vazhduan më shumë sesa ishin planifikuar fillimisht, por të dyja palët në fund refuzuan të nënshkruajnë projekt-marrëveshjen, opozita kryesore në delegacionin e Kosovës vinte nga UÇK-ja. Dy javë më vonë palët u kthyen në Paris duke iu dhënë kohë për t’u konsultuar për marrëveshjet me popullatat e tyre. Marrëveshja u quajt Marrëveshja e Përkohshme për Paqe dhe Vetëqeverisje. Pala kosovare ra dakord të nënshkruaj, por delegacioni sërb nuk pranoi. Negociatorët ndërkombëtarë pastaj udhëtuan në Beograd për të bërë një përpjekje të fundit për të marrë përlqimin serb për Marrëveshjen e Rambujesë dhe për të ndaluar operacionet sulmuese, të cilat po kryheshin nga forcat jugosllave në Kosovë. Ata dështuan. NATO pastaj autorizoi fillimin e një operacioni ushtarak “për të shmangur një katastrofë humanitare”.

Fushata ajrore e NATO-s filloi më 24 mars dhe përfundoi më 10 qershor 1999. Kohezioni politik i Aleancës u mbështet gjatë gjithë fushatës pavarësisht nga mosmarrëveshjet. NATO në fushatën e saj të bombardimeve bëri përpjekje të konsiderueshme për të shmangur viktimat civile, por kishte disa gabime serioze të NATO-s, përkatësisht bombardimet e ambasadës kineze, bombardimet e personave të zhvendosur të Korishë dhe bombardimi i një treni pasagjerësh.

Gjatë këtyre tre muajve u pa se forcat e RFJ-së ishin angazhuar në një fushatë të mirë-planifikuar për t’i përzënë shqiptarët e Kosovës nga Kosova, për të shkatërruar themelet e shoqërisë së tyre dhe për të mos lejuar kthimin e tyre. Ky plan ushtarak u quajt Operacioni Patkoi. Fushata e NATO-s derisa nuk ishte përgjegjëse për këtë reagim serb nuk kishte përfshirë në planifikimin e sulmeve të tilla të rënda ndaj popullsisë dhe zhvendosjen masive të popullsisë, e cila ndikoi në rreth 90% të popullsisë shqiptare të Kosovës. Shumica e viktimave, rreth 12,000, ishin civilë. Pavarësisht nga natyra ushtarake e ndërhyrjes, kishte shumë pak viktima ushtarake.

Konflikti përfundoi në qershor 1999 pas nënshkrimit të Marrëveshjes Ushtarake dhe Teknike në Kumanovë, Maqedoni. Ajo u nënshkrua nga Forca Ndërkombëtare e Sigurisë, KFOR, RFJ dhe Serbia. Para nënshkrimit kishte pasur një aktivitet intensiv diplomatik. Përfaqësuesi i BE-së, Presidenti Ahtisaari i Finlandës, Viktor Chernomyrdin dhe Strobe Talbott, kishin negociuar drejtpërdrejt me Millosheviçin. Këto negociata mundësuan mbylljen e fushatës së NATO-s dhe nënshkruan Marrëveshjen e Kumanovës. Kjo marrëveshje kërkoi largimin dhe tërheqjen e të gjitha forcave jugosllave nga Kosova dhe siguroi një rezolutë të mëtejshme të Këshillit të Sigurimit.

Numri i shqiptarëve të Kosovës të vrarë ishte rreth 10,000, shumica dërrmuese e të cilëve u vranë nga forcat e RFJ-së në rrethimet dhe ekzekutimet e jo luftëtarëve. Përdhunimi i grave shqiptare gjatë konfliktit ishte veçanërisht i përhapur, si një formë e terrorit politik dhe sigurisht një krim lufte. Plaçkitja, djegja dhe zhvatja e pronës së shqiptarëve të Kosovës ishte gjithashtu e përhapur. Pas përfundimit të konfliktit në qershor 1999, vrasjet, përdhunimet dhe krime të tjera u kryen kundër popullatës serbe të Kosovës, mijëra prej të cilëve u larguan nga Kosova.

Judah, Tim, Kosovo: War and Revenge, London, 2002; Weller, Mark, Contested Statehood, Kosovo’s Struggle for Independence, Oxford, 2009; Independent International Commission on Kosovo, The Kosovo Report: Conflict, International Response, Lessons Learned, Oxford, 2000; Kandic Natasa , Liber Kujtimi I Kosoves 1998-2000, Pristina: Human Rights Fund, p.457.