8. Lidhja e Prizrenit

Lidhja e Prizrenit, e cila u takua së pari në 1878, shihet përgjithësisht si fillimi i lëvizjes së pavarësisë shqiptare. Ajo kaloi nëpër faza të ndryshme të zhvillimit dhe kishte objektiva të ndryshme. Anëtarët ishin kryesisht nga zonat e Kosovës dhe malësitë e veriut të Shqipërisë. Ata ishin me shumicë dërrmuese muslimanë dhe në fillim Abdyl Frashëri ishte vetëm një nga dy shqiptarët e jugut, duke pasur një qasje më pak tradicionale dhe më përparimtare. Aktiviteti fillestar i Lidhjes arriti kulmin në pranimin e një programi autonomie brenda Perandorisë Osmane, edhe pse më vonë do të synonte pavarësinë e plotë. Mbështetja osmane për Lidhjen u ndërpre pasi osmanët shpejt arritën të kuptonin kërkesat autonomiste si kërcënim. Gjatë periudhës së funksionimit, Lidhja duket se ka arritur të krijojë rend të mirë publik në pjesën veriore të Shqipërisë dhe një pjesë të Kosovës. Në vitin 1881 Lidhja u shkatërrua nga osmanët që përdorën forcat e armatosura për të shtypur atë. Pas betejave në Ferizaj, Prizren, Gjakovë dhe Pejë kundër forcave më të dobëta të Lidhjes, osmanët sërish vendosën administratën e tyre.

Edhe pas shuarjes së Lidhjes së Prizrenit vazhdoi lufta e shqiptarëve për çlirim e për bashkim kombëtar. Për këtë arsye më 1899 u formua Lidhja e Pejës. Ideologu i formimit të kësaj lidhjeje gjithëshqiptare ishte Haxhi Zeka. Në Kuvendin e Lidhjes së Pejës morën pjesë rreth 500 përfaqësues nga shumë vise shqiptare dhe u vendos të formoheshin degë të Lidhjes në gjithë Shqipërinë. Në disa tekste thuhet edhe se: Detyrë e Lidhjes së Pejës ishte lufta kundër copëtimit të trojeve shqiptare nga shtetet fqinje, por kërkesa për autonomi nuk u shtrua nga Haxhi Zeka dhe përkrahësit e tij, për shkak të situatës jo të favorshme politike dhe qëndrimit të elementëve konservatorë.

[Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 5. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013. faqe 57-60; Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 10. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013. faqe 53-65; Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 11. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013. faqe 37-47; Bajraktari, Jusuf dhe Arbër Salihu. Historia 12. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013. faqe 52-65.]

Lidhja Shqiptare e Prizrenit (e ashtuquajtura Lidhja e Prizrenit 1878-1881) u mundua që tërë territorin e Sërbisë së Vjetër, Shqipërisë dhe Maqedonisë ta paraqiste si territor të pakontestueshëm shqiptar. Për këtë arsye, Sërbia e Vjetër (Kosova) do të jetë hapësirë prej të cilës popullata sërbe përherë dhe pandëshkueshëm do të shtypet edhe do të shpërngulet prej përzënieve nga ana e shqiptarëve.

[Dušan Bataković. Istorija 7. Beograd: Zavod za udžbenike, 2011, faqe 174-175.]

Në Prizren nuk janë mbledhë të gjithë përfaqësuesit e trojeve shqiptare, ngaqë shumica dërmuese e përfaqësuesve në Kuvendin e Prizrenit kanë qenë nga Kosova dhe nga Malësia, kurse nga Shqipëria e Jugut kanë qenë vetëm dy përfaqësues, njëri prej të cilëve Abdyl Frashëri. Lidhur me përkatësinë fetare të pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit, vetëm pesë nga delegatët e mbledhur në Prizren ishin të krishterë, madje në fund të dokumentit të parë të nxjerrë nga Lidhja e Prizrenit thuhet ‘ky dokument është nënshkruar nga 47 deputetë myslimanë, që të gjithë nga qytete të Shqipërisë Veriore e të Bosnjës’. Në këtë dokument, që quhet Kararname ose Akti i Vendimeve, miratuar më 18 qershor 1878, nuk thuhet kurrgjë për shkollat, për bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet, për autonominë, e aq më pak për shtetin e pavarur shqiptar.

Në fillim pushteti osman kishte simpati të madhe për Lidhjen e Prizrenit dhe nuk krijoi kurrfarë pengesash për formimin e saj, sepse kjo e fundit synonte po ashtu t’i ruante hapësirat e banuara me shqiptarë që deri atëherë ishin nën sundimin e Perandorisë Osmane. Prandaj, qysh në nenin 1 të Kararnames thuhet se Lidhja e Prizrenit formohet me qëllim që të kundërshtonte çdo qeveri, përveç asaj të Portës së Lartë, kurse në nenin 2 theksohet se qëllimi i Lidhjes së Prizrenit është “…t’i mbrojë të drejtat perandorake të personit të papërlyeshëm të madhërisë së Tij Sulltanit, sundimtarit tonë”. Tutje, ky dokument i referohet sheriatit për sa i takon mbrojtjes së jetës, të pasurisë dhe të nderit të shokëve besnikë të besimit jomysliman, ndërkaq në nenin e fundit thuhet se “Lidhja do të kalojë brez pas brezi, tek fëmijët e fëmijëve tonë dhe ai që shkëputet prej saj do të konsiderohet ‘tradhtar i fesë islame’ e do të mallkohet e përbuzet prej anës sonë.”

Bashkëpunimi i Lidhjes së Prizrenit me Perandorinë Osmane merr fund pasi që një turmë e mllefosur shqiptarësh e vrau në Gjakovë Mehmet Ali Pashën, të dërguarin e Perandorisë së Osmane që vinte për t’i bindur shqiptarët t’i pranojnë vendimet e Kongresit të Berlinit për ndryshimin e kufijve. Vetëm një vit e pak pas themelimit të Lidhjes së Prizrenit, në tetor 1879, në një mbledhje që mbahet në Prizren, Lidhja pajtohet ta pranojë programin e autonomisë, kurse pas gati tre vjetëve, në një tubim të madh në Prizren, Lidhja deklaron se do të angazhohet për pavarësinë e plotë, gjë që përforcon vendosmërinë e Perandorisë Osmane për ta shtypë atë. Pas shtypjes së dhunshme të Lidhjes së Prizrenit nga Perandoria Osmane, gjatë tri dekadave të ardhshme pati kryengritje të ndryshme në Kosovë, por të gjitha ishin lokale dhe jetëshkurtra. Në Lidhjen e Prizrenit ekzistonin dy rryma: tradicionalistët myslimanë, të cilët kanë dominuar sidomos në Kosovë dhe intelektualët autonomistë, të cilët gëzonin simpati kryesisht jashtë Kosovës.

[Malcolm, Noel. Kosovo – A Short History. London: Pan Macmillan, 2002, faqe 181-201 dhe 217-238; Schmitt, Oliver. Kosova: histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike. Prishtinë: Koha, 2012, faqe 47-133; Schmitt, Oliver. Shqiptarët – një histori midis Lindjes dhe Perëndimit. Tiranë: K&B, 2012, faqe 136-168; Bartl, Peter. Shqipëria – nga mesjeta deri sot. Prizren: Drita, 1999, faqe 78-105; Gawrych, George. Gjysmëhëna dhe shqiponja – sundimi otoman, islamizimi dhe shqiptarët 1874-1913. Tiranë: Bota Shqiptare, 2007.]