9. Kryengritja Shqiptare 1912

Kryengritja e vitit 1912 u drejtua nga Hasan Prishtina. Ajo ishte kryesisht e drejtuar kundër politikës së turqve të rinj dhe kishte për qëllim autonomi, edhe pse natyra e asaj autonomie nuk ishte përcaktuar plotësisht. Kryengritja pati fitore të njëpasnjëshme të shqiptarëve rebelë kundër osmanëve, që kulmuan kur rebelët morën Shkupin, kryeqytetin e Villajtit të Kosovës. Turqit më pas pranuan shumicën e 14 pikave të Hasan Prishtinës dhe luftëtarët shqiptarë filluan të shpërndahen. Këto ngjarje patën dobësuar edhe osmanët dhe, për rrjedhojë, shtetet e tjera të Ballkanit, Lidhja Ballkanike, panë shansin e tyre për të korrur fitore nga dobësia turke.

Shqiptarët kërkonin me ngulm shtetin e tyre të pavarur, por Perandoria Osmane nuk pranonte t’ua njihte dhe prandaj shqiptarët në të gjitha trevat u hodhën në luftë kundër pushtuesve. Por, shqiptarët u gjendën në pozitë të vështirë, pasi në njërën anë duhej të luftonin kundër osmanëve për t’u çliruar, kurse në tjetrën kundër shteteve fqinje – Sërbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë – për t’u mbrojtur. Në fillim Perandoria Osmane nuk i pranoi kërkesat për autonomi, por kur kryengritësit iu drejtuan Shkupit, kryeqytetit të vilajetit të Kosovës dhe e çliruan atë, ajo i pranoi ato kërkesa, por me disa ndryshime. Për shkak të provokimeve të armatosura të Malit të Zi, kryengritësit pranuan marrëveshjen me osmanët dhe shpallën përfundimin e kryengritjes.

Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 5. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 68-77; Bajraktari, Jusuf, Fehmi Rexhepi dhe Frashër Demaj. Historia 10. Prishtinë: Libri Shkollor, 2011, faqe 74-81; Abdyli, Ramiz dhe Emine Bakalli. Historia 11. Prishtinë: Libri Shkollor, 2012, faqe 188-195; Bajraktari, Jusuf dhe Arbër Salihu. Historia 12. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 144- 154.

Nuk pasqyrohet hiç kryengritja shqiptare e vitit 1912.

Kryengritja e përgjithshme e vitit 1912, e udhëhequr nga Hasan Prishtina, fillimisht synonte autonomi territoriale brenda Perandorisë Osmane, me njohje zyrtare të kufijve të territorit me shumicë shqiptare dhe me autoritete civile e ushtarake të kombësisë shqiptare. Pas futjes nën kontroll të territorit të Kosovës, në verë të vitit 1912, udhëheqësit kryengritës shqiptarë, për arsye të përçarjeve të brendshme, ndryshe prej platformës politike fillestare për autonomi territoriale, paraqitën një platformë të re politike me 14 kërkesa (që njihen si 14 pikat e Hasan Prishtinës) e që parashihte autonomi joterritoriale, sepse në të nuk kishte fjalë eksplicite as për ushtrinë e as për kufijtë e Shqipërisë. Në këto pika trajtoheshin kryesisht arsimi, bujqësia, tregtia e transporti, por përfshihej edhe shpallja e amnistisë së përgjithshme për kryengritësit, dëmshpërblimi për shpitë e shkatërruara dhe hedhja në gjyq e kabineteve qeveritare të Turqve të Rinj.

Shqiptarët në këtë kohë ishin të përçarë: nga njëra anë shumica e përfaqësuesve të qyteteve – bejlerë e agallarë – që kundërshtonin autonominë, e në tjetrën udhëheqësit e kryengritjes që synonin autonominë, e që po ashtu ishin të përçarë, pasi që një pjesë e tyre pëlqenin me mbetë fuqimisht të lidhur me Perandorinë Osmane. Këto përçarje ishin arsyeja kryesore e ndryshimit të synimit politik nga autonomi territoriale në autonomi joterritoriale. Përçarjet mes udhëheqësve kryengritës shqiptarë ishin të nxitura edhe prej përfaqësuesve të Sërbisë, të cilët i furnizonin me armë disa prej udhëheqësve kryengritës shqiptarë. Pasqyrimi i këtyre ndarjeve është boshtor, sepse ato patën ndikim vendimtar për ndryshimin e platformës politike prej autonomisë territoriale në autonomi joterritoriale. Mirëpo, kryengritësit shqiptarë nuk e realizojnë as autonominë joterritoriale sepse, në vend që t’i krijonin organet e pushtetit, shpërndahen fill pasi Perandoria Osmane ua pranon zyrtarisht të 14 pikat, duke përjashtuar inicimin e proceseve gjyqësore kundër qeverive të Turqve të Rinj.