6. Kryengritja e Pjetër Bogdanit

Kryengritja e Pjeter Bogdanit e vitit 1689 ishte një rebelim më i gjerë sesa vetëm shqiptar. Beteja e saj përfundimtare në Kaçanik në vitin 1690, ku gjithashtu luftuan luftëtarë me prejardhje të ndryshme etnike në të dy anët, nxiti një eksod të madh, kryesisht serbësh, të cilët u shpërngulën në Hungari jugore. Kjo lëvizje e popullsisë njihej si ‘Migrimi i Madh’. Gjatë viteve të ardhshme ka pasur fluks njerëzish nga Shqipëria në jug, shumë prej të cilëve u shpërngulën në shtëpitë e braktisura në territorin e Kosovës. Numrat për këtë janë të diskutueshëm nga historianët dhe është vështire të vendoset.

Përpjekjet e shqiptarëve për ta fituar lirinë e humbur pas vdekjes së Skënderbeut, nuk pushuan asnjëherë. Në Kosovë më 1689 shpërtheu një kryengritje e përgjithshme antiosmane me rreth 20 mijë kryengritës, në krye të të cilëve ishte arqipeshkvi nga Shkupi, Pjetër Bogdani. Kjo kryengritje nuk u përkrah nga popujt e tjerë të Ballkanit dhe nuk pati sukses. Në fillim të vitit 1690 në Kaçanik ushtria austriake bashkë me kryengritësit shqiptarë u mposht nga ushtria osmane. Tërheqja e austriakëve dhe disfata e shqiptarëve krijoi një gjendje të rëndë për popullsinë vendase. Bashkë me ushtarët austriakë u tërhoqën edhe disa banorë kosovarë, por nuk mund të flitet për ndryshim demografik të Kosovës në atë kohë.

[Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 5. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 37-54 dhe 55-74; Bicaj, Isa dhe Arbër Salihu. Historia 7. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 58-72 dhe 113-132; Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 10. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 169-185.]

Kur turqit filluan të korrnin suksese në luftën kundër austriakëve, sidomos pas Betejës së Kaçanikut, atëherë pasoi e ashtuquajtura Shpërngulje e Madhe e sërbëve në vitin 1690. Patriku Arsenije 3, duke ikur nga turqit në përcjelljen e klerikëve dhe popullit nga hapësira e Maqedonisë, Kosovës e Metohisë dhe Rashkës, i mori me vete vlerat kishtare. Sërbët e shpërngulur e kaluan Savën dhe Danubin dhe u shpërngulën në hapësirat e Hungarisë jugore. Supozohet se janë shpërngulur rreth 60.000 frymë. Në Kosovë dhe Metohi, pas vitit 1690, vatrat e lëshuara sërbe në masë të madhe filluan të popullzohen me fiset e islamizuara shqiptare nga Shqipëria e Veriut dhe e Mesme. Shpërngulja e ardhshme e rëndësishme, sërish për në Hungari, ndodhi gjysmë shekulli më vonë, në kushte të ngjashme, gjatë luftës austro-turke ‎(1737-1739). Kjo shpërngulje ishte numerikisht më e vogël dhe përveç sërbëve përfshiu edhe fisin shqiptar Kelmendi.

[Smilja Marjanović-Dušanić dhe Marko Šuica. Istorija za II razred gimnazije. Beograd: Zavod za udžbenike, 2009, faqe 217; Radoš Ljušić. Istorija za I razred gimnazije. Beograd: Zavod za udžbenike, 2008, faqe 75, 88-89.]

Sa i takon përleshjes mes forcave osmane dhe atyre austriake në vjeshtë të vitit 1689, tekstet e Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë e paraqesin vetëm pjesëmarrjen e shqiptarëve, në krye me argjipeshkvin katolik shqiptar, Pjetër Bogdani, në anën e forcave austriake që udhëhiqeshin nga Enea Piccolomini. Këto tekste kryengritjen e Pjetër Bogdanit (tekstet e Shqipërisë thonë gabimisht “kryengritja e Frang Bardhit”) e pasqyrojnë si një prej përpjekjeve të parreshtura të shqiptarëve për ta fituar lirinë e humbur pas vdekjes së Skënderbeut.

Mirëpo, këto tekste nuk përmendin se forcat osmane, që luftonin kundër forcave austriake, udhëhiqeshin nga shqiptari Mahmut Mahmutbegolli, i cili ishte pashë i Pejës dhe kishte rreth 10 mijë ushtarë, shqiptarë e sërbë. Të njëjtat tekste nuk shënojnë as se në këtë kohë – përjashtim këtu bëjnë tekstet e Maqedonisë – kryevezir osman ishte Mehmet Kypryly, pjesëtar i një dinastie të fuqishme shqiptare në shërbimet publike të Perandorisë Osmane. Po ashtu, këto tekste e shpërfillin tërësisht pjesëmarrjen e sërbëve në këtë kryengritje, përkrah forcave austriake e kundër atyre osmane, në krye me patriarkun Arsenije Črnojević, madje tekstet e Kosovës thonë se kjo kryengritje antiosmane dështoi ngaqë nuk u përkrah nga popujt e tjerë ballkanikë.

Në anën tjetër, tekstet e Sërbisë dhe ato të Malit të Zi nuk e paraqesin fare pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë përleshje mes forcave osmane dhe atyre austriake. Tekstet e Sërbisë e paraqesin vetëm pjesëmarrjen e sërbëve në luftë kundër forcave osmane dhe përqendrohen veçanërisht te tërheqja e ushtrisë austriake në ditët e para të vitit 1690 pas vërsuljes së ushtrisë osmane, e cila kishte plaçkitur, vrarë e dëbuar shumë banorë nga Kosova. Këto tekste pretendojnë se nga territori i Kosovës janë larguar vetëm sërbët dhe se ky dëbim, i njohur si ‘Shpërngulja e Madhe’, ka pasë përmasa të mëdha.

Historiografia sërbe përgjithësisht pretendon se të larguarit ishin vetëm nga Kosova dhe numri i tyre shkonte në 400-500 mijë, mirëpo tekstet e Sërbisë vënë në pah se të larguarit nuk ishin vetëm nga territori i Kosovës, por edhe nga hapësira e Maqedonisë dhe e Sërbisë, kurse për numrin e të shpërngulurve thonë se supozohet të ketë qenë rreth 60 mijë. Megjithatë, sa i takon numrit të të shpërngulurve, studiuesit ndërkombëtarë, si Malclom, thonë se ishte rreth 30-40 mijë. Tekstet e Sërbisë pretendojnë se vatrat e braktisura nga sërbët në Kosovë e Metohi në masë të madhe u populluan prej fisesh të islamizuara shqiptare nga Shqipëria e Veriut dhe e Mesme. Tekstet e Kosovës thonë se bashkë me ushtarët austriakë u tërhoqën edhe disa banorë kosovarë, por se nuk mund të flitet për ndryshim demografik të Kosovës në atë kohë. Në të vërtetë, shumica e të shpërngulurve nga territori i Kosovës kishin qenë sërbë dhe është e padiskutueshme se struktura etnike e Kosovës ka ndryshuar për shkak të kësaj shpërnguljeje dhe ardhjes së shqiptarëve nga territori i Shqipërisë së sotme – kjo ardhje ndodhte për arsye ekonomike dhe të gjakmarrjes, por edhe për të neutralizuar grupet plaçiktëse e kryengritëse të popullsisë.

[Malcolm, Noel. Kosovo – A Short History. London: Pan Macmillan, 2002, faqe 181-201 dhe 116-180; Schmitt, Oliver. Kosova: histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike. Prishtinë: Koha, 2012, faqe 87-127; Schmitt, Oliver. Shqiptarët – një histori midis Lindjes dhe Perëndimit. Tiranë: K&B, 2012, faqe 56-81 dhe 120-135; Bartl, Peter. Shqipëria – nga mesjeta deri sot. Prizren: Drita, 1999, faqe 44-78; Gawrych, George. Gjysmëhëna dhe shqiponja – sundimi otoman, islamizimi dhe shqiptarët 1874-1913. Tiranë: Bota Shqiptare, 2007; Revista Përpjekja 28-29. Skënderbeu i kërkimit shkencor. Tiranë: 2012.]