14. Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore

Rezolucioni i Bujanit

Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore

Ashtu sikurse në gjithë Shqipërinë edhe në Kosovë dhe në vise të tjera shqiptare u kundërshtua pushtimi fashist. Shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë u organizuan në grupe vullnetarësh për të shkuar dhe mbrojtur trojet e tyre, mirëpo këtë nuk e lejuan organet jugosllave të cilat i mbyllën kufijtë. Pas pushtimit dhe shpërbërjes së Jugosllavisë (1941), fashistët italianë me dekretin e 7 gushtit 1941, bashkuan trojet etnike shqiptare nën administrimin e Italisë. Aty përveç Shqipërisë me kufijtë e vitit 1913, përfshiheshin edhe Kosova dhe vise të tjera shqiptare.

Bashkimi i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare me Shqipërinë edhe pse u bë nga pushtuesit fashist, megjithatë pati ndikim dhe rëndësi të madhe për popullin shqiptar, sepse u vunë kontaktet ekonomike, politike, arsimore, kulturore, shpirtërore, etj., mes pjesëve të coptuara të kombit tonë. Edhe pse ky bashkim nuk i përfshiu të gjitha territoret etnike, megjithatë shprehte një aspiratë të kahmotshme të shqiptarëve për të jetuar në një shtet dhe për të krijuar Shqipërinë Etnike.

Në administratën e viseve të bashkuara u vendosën nëpunësit shqiptarë, u hapën shkollat shqipe u botuan libra e gazeta në gjuhën shqipe , u hapën radiostacione, u kremtuan festat kombëtare etj. Këto veprime Italia fashiste i bëri me qëllim që të mos armiqësohej skajshmërisht me shqiptarët, por duke bashkuar viset shqiptare, të krijohej një simpati për shtetin italian. Megjithëkëtë, shqiptarët ishin të bindur se duhej luftuar kundër çdo pushtuesi e me këtë rast edhe kundër italianëve.

Megjithë rrethinat e rënda edhe në Kosovë që nga vitit 1941 filloi lufta çlirimtare antifashiste. Në prill të vitit 1941, shqiptarët demonstruan kundër pushtimit të trojeve të tyre nga fashistët bullgarë dhe nazistët gjermanë. Janë të njohura posaçërisht demonstratat antifashiste në Shkup me parullën ‘Shkupi është i yni”. Po këtë vit, më 28 nëntor, organizohen demonstrata antifashiste të udhëhequra kryesisht nga komunistët, në Prizren, Gjakovë, Dibër, Prishtinë, Mitrovicë, etj. Përveç sabotimeve, protestave, e demonstratave, në Kosovë u organizua edhe rezistenca e armatosur kundër sudnimit fashist, sidomos në zonën e pushtuar gjermane dhe atë bullgare. Si rezultat i luftës së armatosur kundër fashizmit në vitin 1941 ranë heroikisht në fushën e betejës shumë të rinj shqiptarë.

Lidhja e Dytë e Prizrenit

Pas kapitullimit të Italisë, në shtator 1943, gjermanët vendosën pushtetin e tyre edhe në Shqipëri edhe në territorin e Kosovës. Pas vendosjes së pushtetit gjerman, një grup nacionalistësh pretendonin ta ruanin bashkimin kombëtar të shpallur më parë, qoftë edhe përmes bashkëpunimit dhe ndihmës së Gjermanisë. Në këto kushte më 16-20 shtator 1943 në Prizren mbahet Kuvendi Themelues i Lidhjes së Dytë të Prizrenit.
Në programin e vet Lidhja e Dytë e Prizrenit angazhohej për një Shqipëri Etnike. Lidhja kishte edhe organin e vet “Lidhja e Prizrenit” përmes të cilës propagandohej domosdoshmëria e mbrojtjes së kufijve etnikë. Nazistët gjermanë e mbështetën Lidhjen e Dytë Prizrenit për qëllimet e tyre, kurse në anën tjetër edhe Lidhja u angazhua ta shfrytëzojë praninë gjermane për qëllimet e veta.

Konferenca e Bujanit dhe Çlirimi i Kosovës

Lufta Nacionaçlirimtare dhe bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm ishin motivet kryesore që nxitën organizatorët e luftës të mbanin Konferencën e Parë të Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit. Më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944 në Bujan të Malësisë së Gjakovës, që ishte territor i lirë, u mbajtë Konferenca e Bujanit. Në të morën pjesë 49 delegatë që përfaqësonin popullin e Kosovës dhe forcat politike të rreshtuara në Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar. Konferenca shqyrtoi tri ditë radhazi problemet që dilnin nga lufta kundër pushtuesit.
Me vendimet e Konferencës së Bujanit popullit shqiptar në Kosovë i njihej e drejta për vetëvendosje dhe bashkim me Shqipërinë. Populli i Kosovës i priti me entuziazëm vendimet e Konferencës së Bujanit, kurse udhëheqja e Partisë Komuniste të Jugosllavisë i kundërshtoi. Ajo nuk njohu vendimet e Konferencës së Bujanit sepse binin ndesh me planet e saj për aneksimin e Kosovës. Edhe Partia Komuniste e Shqipërisë nuk i mbështeti plotësisht vendimet e Bujanit dhe me këtë rast u la anash interesi kombëtar i të gjitha shqiptarëve për të jetuar në një shtet.
Në gjysmën e dytë të nëntorit 1944 edhe Kosova u çlirua nga fashizmi. Në operacionet luftarake për çlirimin e Kosovës, përveç Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës (UNÇK) morën pjesë edhe disa njësite të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë (UNÇSh).
Krahas luftës për çlirim nga fashizmi, shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera bënë përpjekje për t’u çliruar edhe nga pushtuesit jugosllavë. Mirëpo, lufta e shqiptarëve për liri e bashkim kombëtar mbeti aspiratë e parealizuar, sepse pas kapitullimit të fashizmit, pushteti jugosllav vendosi regjimin e hekurt dhe diskriminues për shqiptarët.

Jusuf Bajraktari, Fehmi Rexhepi, Frashër Demaj “Historia 10 – gjimnazi matematikë dhe informatikë dhe gjimnazi i shkencave natyrore”, Shtëpia Botuese ‘Libri Shkollor’, Prishtinë, 2011, faqe 154-156.

Regjioni i Kosovës dhe Metohisë u aneksuan nga Shqipëria italiane.

Shqiptarët në Kosovë dhe Metohi kryen terror ndaj sërbëve.

Djordje Djuric, Momcilo Pavlovic “Istorija 8 – za osmu razreg osnovne skole”, Zavod za Udzbenike, Beograd, 2011, faqe 137.

Shqipërisë, teorikisht një mbretëri e veçantë, që rastësisht po sundohej nga mbreti i Italisë, iu dha pjesa më e madhe e Kosovës. Pjesën më të madhe të Kosovës, në të vërtetë, e patën pushtuar trupat gjermane, mirëpo në një takim të ministrave të punëve të jashtme të Italisë e Gjermanisë në Vjenë, më 21 prill, ishte arritur marrëveshja që pjesa më e madhe e këtij territori të banuar me shqiptarë të vihej nën pushtetin italian dhe të bashkohej me Shqipërinë, me qëllim që të parandalohej shndërrimi i irredentizmit të shqiptarëve etnikë në një lëvizje shtytëse të rezistencës antigjermane. S’do mend, Italia ishte shumë e interesuar që ta fuste në dorë tërë Kosovën për shkak të burimeve të pasura minerale: në një raport të hollësishëm, të përgatitur për Musolinin nga një ekspert i xeheve, më 20 prill, theksohej se në qofë se Italia do ta kishte në dorë xeheroren e Trepçës, ajo do të bëhej eksportuesja më e madhe e plumbit dhe e zinkut në mbarë Evropën. Në pajtim me këtë, mëkëmbësi italian i mbretit në Shqipëri, tashmë kishte mbledhur një grup ish-politikanësh shqiptarë të mërgimit dhe i kishte inkurajuar që t’i dërgonin Musolinit një “telegram për çlirimin e rajonit të Kosovës”. (Në këtë grup ishin përfshirë edhe Rexhep Mitrovica, i cili ka qenë ministër i Arsimit i Shqipërisë, në vitet 1923-1924, si dhe Bedri Pejani, i cili kishte qenë anëtar i Parlamentit të Shqipërisë në vitet 1922-1924). Por natyrisht, edhe Gjermanët ishin po aq të interesuar që ta merrnin zonën e Trepçës, ndaj dhe ishin të vendosur që të mbanin nën kontroll vijën hekurudhore ndërmjet Mitrovicës dhe Kaçanikut. Më në fund, u arrit marrveshja që pjesa më veriore e Kosovës, duke përfshirë Trepçën, Mitrovicën dhe Vuçitërnën, do të mbetej territor nën pushtimin gjerman, kurse italianëve u mbetej Prishtina (të cilën e pushtuan në qershorin e vitit 1941), me kusht që gjermanët të kishin personelin e tyre në vijën hekurudhore.

[…] Karabinierët, si dhe “policia italiane e financave” u dislokuan, po ashtu, në Kosovë, e cila u nda në tri rajone administrative: të Prishtinës, Prizrenit dhe Pejës. Në përgjithësi, italianët kishin në Kosovë afro 20 mijë ushtarë. Përpjekja për ta bashkuar ose ribashkuar Kosovën me Shqipërinë, u mor me seriozitet në bazë të dekreteve të tetorit të vitit 1941 dhe të shkurtit 1942, të gjithë banorët e Kosovës së pushtuar nga Italia (duke përfshirë, sipas dekretit të dytë, edhe banorët sllavë), bëheshin shtetas shqiptarë. Italianët bënë përpjekje të mirëfillta për ta përhapur arsimimin në gjuhën shqipe, duke hapur së paku 173 shkolla fillore në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore. Por, një masë më pak popullore ishte rivendosja e taksave feudale mbi fshatarësinë, të cilët duhej t’ua jepnin ish-pronarëve të tokave një të pestën e prodhimit të tyre; administratorët italianë, e kishin të qartë se Kosova rurale kishte ende një shoqëri tradicionale, ku ata do ta kishin të vështirë pa ndihmën e familjeve të vjetra të pronarëve të tokave.

[…] Disa ditë pas pushtimit, më 21 prill 1941, komandanti i divizionit gjerman, gjenerali Eberhard, mbajti një takim me krerët shqiptarë vendës të Mitrovicës. Në këtë takim kishin ardhur përfaqësuesit e disa qyteteve, por figura më e dalluar nga Mitrovica ishte një njeri i cili do të dominojë në historinë e Kosovës së pushtuar: Xhafer Deva, i cili, siç thuhet shpeshherë, kishte punuar për Shërbimin informativ gjerman që para luftës. Në këtë takim, u arrit marrëveshja që shqiptarët të kishin pushtetin lokal në rajonet e banuara me shqiptarë, që ata të kishin të drejtë të hapnin shkolla “sipas dëshirës së tyre”. Qeveria kuislinge serbe në Beograd (e kryesuar, së pari, nga ish-Ministri i Punëve të Brendshme, Millan Aqimoviq, më pas, që nga gushti i vitit 1941, nga gjenerali i ushtrisë Millan Nediq) reagoi ashpër kundër çdolloj njohjeje të karakterit shqiptar të këtij rajoni, kështu që zyrtarët gjermanë në Beograd, e pezulluan marrëveshjen; megjithatë, disa elementë të kësaj marrëveshjeje më pas u rifuqizuan, kështu që gjatë dy vjetëve të ardhshëm vetëm në rajonin e Mitrovicës u hapën së paku 40 shkolla fillore. Vetë Xhafer Deva u bë kryeshef i administratës lokale të Mitrovicës. Dhe gjermanët i kthyen taksat feudale; dhe, duke u bërë edhe një lëshim tjetër traditave shqiptare, lejuan që një Kuvend i pleqve dhe bajraktarëve të nxirrnin një sërë rregullash, në bazë të normave të Sheriatit dhe të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Këto norma përfshinin edhe sistemin e ri të gjobave: deri në verën e vitit 1944, 652 gjaqe u pajtuan në këtë mënyrë.

Një ndër temat kryesore që u shqyrtuan në takimin ndërmjet gjeneralit Eberhard dhe parisë së shqiptarëve, më 21 prill 1941, ishte dëbimi i kolonëve serbë dhe malazezë nga Kosova. Eberhardi u premtoi ndihmë për largimin e tyre, por insistoi “se ata nuk duhet të merrnin masa të ngutura, por duhet pritur që çdo gjë në këtë fushë të bëhet në një mënyrë të arsyeshme dhe të qetë”. Këto shpresa, për fat të keq, qenë iluzore. Sulmet e shqiptarëve kundër fshatrave serbe kishin filluar që gjatë invadimit të Kosovës: në disa raste këto sulme duhet të kenë qenë edhe reagime për aksionet e ndërmarra nga ushtria jugosllave (e cila kishte marrë peng shqiptarë dhe kishte sulmuar fshatrat shqiptare), por, megjithatë, qëllimi i përgjithshëm ishte thjesht shporrja e kolonëve dhe kthimi i tokave të konfiskuara që u ishin dhënë atyre. Në fund të majit 1941, një oficer italian kishte vënë re se një numër i madh i kolonëve malazezë nga rrethi i Pejës ishin dëbuar nga shqiptarët vendës, “por jo pa shumë episode dhune e gjakderdhjeje”, disa ditë pas shpartallimit të Jugosllavisë. Gjermanët, të cilët e kishin futur më parë në dorë këtë rajon, jo vetëm që e lejuan këtë, por madje u kishin dhënë urdhër malazezve që të largoheshin brenda 24 orësh. Kur italianët e morën këtë rajon, ata u thanë malazezve se mund të ktheheshin, por shumica syresh kishin frikë që të ktheheshin. I pari “komisar civil”, Karllo Umillta, i cili arriti në Kosovë në fund të majit, ishte befasuar me numrin e madh të shtëpive të djegura nëpër fshatra. Ai kishte parë se shkatërrimi i shtëpive nuk kishte qenë i njëanshëm (“sllavët dhe shqiptarët i kishin djegur shtëpitë e njëri-tjetrit”; por, ishte e qartë se malazeztë dhe serbët ishin viktima kryesore. Është vlerësuar se brenda dy apo tre muajve të parë, kishin ikur 20 mijë veta. Ishin djegur afro 10 mijë shtëpi dhe të gjitha fshatrat kolone, pos dy fshatrave, Vitomirica dhe Dobrusha, të cilat rezituan deri në vjeshtë, ishin zbrazur. Vetëm nga fundi i tetorit, filluan të përmirësohen deri diku kushtet për kolonët (edhe për shumë serbë të tjerë ruralë) në rajonin e pushtuar nga gjermanët, kur u lidh një besë formale ndërmjet krerëve shqiptarë dhe atyre serbë, me ç’rast u dha zotimi, që së paku, të bëhej evakuimi paqësor i të gjithë atyre që dëshironin të largoheshin. Ndërkohë, në territorin e pushtuar italian, përleshjet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve u intensifikuan në tetor dhe në nëntor; Karllo Umillta vëren se autoritetet ushtarake italiane dhe ushtarët e rëndomtë italianë morën haptaz anën e serbëve në këtë konflikt.

Në ditët e para, pas kapitullimit të Italisë, para se të kristalizohej politika gjermane ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, një grup zyrtarësh dhe nëpunësish kryesorë shqiptarë të Kosovës (duke përfshirë Devën) kishte vendosur të formonte Lëvizjen për organizimin e fushatës për bashkimin etnik. Pikësynimi i tyre kryesore ishte që të siguronin që Kosova dhe Shqipëria të mbeteshin të bashkuara, së bashku me rajonet e tjera që i ishin bashkuar Shqipërisë; më 1941, siç ishte Dibra; ata, po ashtu, bënë disa përpjekje të pasuksesshme, për bashkimin e pjesës veriore të Kosovës me shtetin etnik shqiptar. Nga gjysma e shtatorit, organizuan një miting të madh publik në Prizren, ku shpallën “Lidhjen e Dytë të Prizrenit”. U ngrit edhe një Komitet ekzekutiv, kryesues i të cilit u zgjodh Rexhep Mitrovica dhe u hartuan statutet, qëllimi kryesor i të cilëve ishte: “Mbrojtja e trojeve të çliruara (nga Jugosllavia), si edhe e trojeve të tjera të ish-Jugosllavisë.”

Lidhja e Dytë e Prizrenit organizoi vullnetarët e vet, kështu që nga fundi i nëntorit u angazhua në përleshje kundër malazezve dhe serbëve në rrethin e Pejës. […] Meqë krerët e Lidhjes së Dytë të Prizrenit ishin të gjithë njerëz të cilët kishin bashkëpunuar me italianë dhe gjermanë, rritja e kësaj lëvizjeje, për të cilën thuhej se siguroi një anëtarësi prej 12-15 mijë vetash, mund të duket se tregon se shqiptarët e Kosovës, në periudhën përfundimtare të luftës, po bëheshin kolaboracionistë gjithnjë e më aktivë. Por, Lidhja e Prizrenit i drejtohej, para së gjithash, nacionalizmit shqiptar (dhe, si rezultat i kësaj, ishte antikomuniste, meqë komunistët mendohej se kërkonin kthimin e sundimit jugosllav), dhe si e tillë, dhe jo ndjenjave progjermane.

[…] Nga 31 dhjetori i vitit 1943 deri më 2 janar të vitit 1944, delegatët u mblodhën në fshatin Bujan, afër Tropojës, në Shqipërinë Verilindore. Në këtë konferencë morën pjesë 409 delegatë, ndër të cilët 42 ishin shqiptarë etnikë. Ata ranë dakord që të ngrinin një këshill rajonal për mbarë rajonin e “Kosovë-Metohisë” ose të “Kosovë-Dukagjinin” dhe, njëherësh, miratuan një “rezolutë”, si dhe një “proklamatë”. Në një fragment kyç të rezolutës thuhet:

“Kosova e Metohia është një rajon me shumicën e popullatës shqiptare, e cila tash, si edhe gjithmonë në të kaluarën, dëshiron të bashkohet me Shqipërinë…Mënyra e vetme për bashkimin e shqiptarëve të Kosovë e Metohisë me Shqipërinë është lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorëve dhe shërbëtorëve të tyre. Sepse, e vetmja mënyrë me të cilën mund të arrihet liria, është në qoftë se të gjithë popujt, duke përfshirë edhe shqiptarët, kanë mundësi për të vendosur për fatin e tyre, me të drejtën për vetëvendosje, deri në ndarje.”

Noel Malcolm, Kosova – Një histori e shkurtër, KOHA, 2011, Prishtinë, faqet 372-375, 388-391.