14. Gjendja e shqiptarëve në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore

Në vitet e pasluftës deri në mesin e viteve 1960, rezistenca kosovare vazhdoi kundër sundimit jugosllav. Ajo u udhëhoq nga një sërë grupesh politike, përfshirë Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve të Adem Demaçit. Njëkohësisht politikat shtypëse u imponuan për popullatën shqiptare, që përfshinin përdorimin e dhunës gjatë grumbullimit të armëve dhe inkurajimin aktiv të migrimit të rreth 100,000 shqiptarëve të Kosovës në Turqi. Në korrik 1966, Aleksandar Rankoviç, ministri federal i Punëve të Brendshme, i cili kishte drejtuar këto politika represive, u hoq nga pushteti dhe situata gradualisht filloi të përmirësohej në Kosovë.

Populli shqiptar iu kundërvu me qëndresë të përhershme rivendosjes së pushtetit sërb, e këtu dallohej Komiteti Nacional Demokratik i Shqiptarëve. Represioni vazhdoi deri në vitin 1966. Forma të represionit ishin edhe aksioni i mbledhjes së armëve 1955-6, ku u rrahën 3 mijë shqiptarë (në disa tekste autorët e njëjtë thonë 300 mijë) e vdiqën nga torturat 100 veta, pastaj u shpërngulën me dhunë 250 mijë shqiptarë (në disa tekste autorët e njëjtë thonë 400 mijë) për në Turqi, që nga fillimi i viteve 1950 e deri më 1966. Pas rënies së Aleksandër Ranković-it (1966), shqiptarët filluan të përdornin më lirshëm gjuhën dhe flamurin e tyre.

[Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 5. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 85-98; Rexhepi, Fehmi. Historia 9. Libri Shkollor, 2013, faqe 110-123, 156-174; Bajraktari, Jusuf, Fehmi Rexhepi dhe Frashër Demaj. Historia 10. Prishtinë: Libri Shkollor, 2011, faqe 154-157 dhe 193-199; Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 11. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 159-163 dhe 208-211.]

Nuk ka asgjë për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore e deri te rënia e Aleksandar Ranković-it (1966) .

[Đurić, Đorđe dhe Momčilo Pavlović. Istorija 8. Beograd: Zavod za udžbenike, 2010, faqe 137; Đurić, Đorđe dhe Momčilo Pavlović. Istorija 3. Beograd: Zavod za udžbenike, 2010, faqe 208, 235, 243, 245, 248.]

Sa i takon gjendjes së shqiptarëve në periudhën 1945-1966, kur pushteti jugosllav detyron dhjeta mija shqiptarë në Jugosllavi të shpërngulen drejt Turqisë, duke përdorë trysni të ndryshme, si aksioni për mbledhjen e armëve, shifrat: 250 mijë, përkatësisht 400 mijë shqiptarë që shpërngulen nga Jugosllavia drejt Turqisë, janë të fryra. Prej vitit 1945 e deri në mes të viteve ‘60, grupe e organizata të ndryshme politike të shqiptarëve në Kosovë e kundërshtojnë pushtetin jugosllav, kryesorja nga të cilat ishte organizata ilegale Komiteti Nacional Demokratik i Shqiptarëve, i cili, si edhe grupimet e tjera, asgjësohet shpejt. Kishte organizata tjera ilegale që e kundërshtonin pushtimin jugosllav, ndër kryesoret ishte Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSh), e udhëhequr nga Adem Demaçi. Në këtë kohë në Kosovë ekzistonin dy rryma politike: njëra legale dhe tjetra ilegale. Gjatë viteve 1960, vit pas viti janë miratuar amendamente në Kushtetutën e Sërbisë dhe atë të Jugosllavisë në favor të Kosovës, kurse në korrik 1966 merret vendimi që njeriu i dytë pas Titos në pushtetin e Jugosllavisë, Ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandar Ranković, të shkarkohet nga pushteti. Me këtë marrin fund shpërnguljet e zullumet e tipit të kërkimit masiv për armë dhe gjithçka e ngjashme me atmosferën e kontrollit të periudhës së Ranković-it.

Malcolm, Noel. Kosovo – A Short History. London: Pan Macmillan, 2002, faqe 289-334; Schmitt, Oliver. Kosova: histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike. Prishtinë: Koha, 2012, faqe 164-233; Fischer, Bernd. Shqipëria gjatë Luftës, 1939-1945. Tiranë: Çabej, 2000, faqe 124-129; Krieger, Heike (ed.). The Kosovo Conflict and International Law. Cambridge: Cambridge University Press, 2001, 2-8; Surroi, Veton. Fadil Hoxha në vetën e parë. Prishtinë: Koha, 2010, faqe 233-255.