5. Epoka e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

Është pranuar se Skënderbeu ka arritur të rezistojë ndaj sulmit osman dhe disa  zgjerimeve osmane për 25 vjet, në mes 1443 dhe 1468, kur ai vdiq. Ai ishte ngritur nën kontrollin e Sulltanit, pasi ishte rrëmbyer me forcë nga familja e tij, si një fëmijë
nëntë vjeç. Ai arriti të shpëtojë nga zotërinjtë e tij osmanë në fillim të viteve 1440 dhe filloi të organizonte një forcë ushtarake për t’i luftuar ata. Kundërshtimi i tij ndaj zgjerimit osman u bazua kryesisht në mbrojtjen e krishterimit, edhe pse me kalimin e
kohës fitoret e tij janë përdorur gjithnjë e më shumë për të ndërtuar identitetin kombëtar shqiptar. Fushatat e Skënderbeut ishin me ushtritë e përbëra nga luftëtarë të trashëgimive të ndryshme etnike, e jo vetëm shqiptarë.

Rekrutimi me forcë i fëmijëve të krishterë prej vendeve europiane ishte tatimi më i vështirë. Këta fëmijë dërgoheshin në oborrin e Sulltanit, ku shkolloheshin e konvertoheshin dhe, pasi bëheshin njerëzit më besnikë të sulltanit, arrinin deri në pozitat më të larta shtetërore. Kjo formë rekrutimi i përfshinte të gjitha viset e pushtuara e më së shumti Arbërinë, qëndresa e të cilës ndaj sundimit osman nuk pushoi asnjëherë. Principata e Kastriotëve udhëhiqej nga familja fisnike e Kastriotëve me origjinë nga Hasi. Gjon Kastrioti ishte i martuar me Vojsavën, e cila vinte nga një familje bujare e Tetovës. Djali i tyre më i vogël, Gjergji, në moshën 9 vjeçare u mor peng nga osmanët, ku ndoqi shkollat ushtarake të Sulltanit dhe për meritat e treguara mori emrin Skënder dhe titullin Bej, ndaj u quajt Skënderbe. Meqë ishte ushtarak i dalluar, Sulltani e kishte emëruar Skënderbeun sundimtar të Krujës, gjë që i mundësoi ta njihte gjendjen në vendlindje dhe ta planifikonte në heshtje kthimin në atdhe. Skënderbeu e kishte pritë momentin e volitshëm për t’u kthyer në atdhe dhe kështu më 3 nëntor 1943, në betejën e osmanëve kundër hungarezëve (të cilët udhëhiqeshin nga Janosh Huniadi), e gjeti rastin për t’u larguar. Kjo bëri që osmanët të pësonin humbje. Më 28 nëntor 1943, Skënderbeu e ngriti flamurin me shqipnonjën dykrenare në Krujë. Më 2 mars 1444 në Lezhë u themelua Besëlidhja Shqiptare në krye me Skënderbeun, ku u bashkuan të gjithë princat shqiptarë, u krijua ushtria shqiptare dhe u çliruan qytetet shqiptare, me ç’rast u hodhën themelet e shtetit shqiptar të asaj kohe. Skënderbeu zhvilloi shumë beteja, sidomos me Perandorinë Osmane, por edhe me Venedikun; më të rëndësishmet beteja ishin rrethimi i parë i Krujës korrik-tetor 1450, luftërat shqiptaro-osmane më 1452-1465, rrethimi i dytë i Krujës maj-korrik 1466 dhe rrethimi i tretë i Krujës maj-tetor 1467. Në vjeshtë të vitit 1448 hungarezët i sulmuan osmanët, mirëpo pësuan disfatë të rëndë në Fushë Kosovë për shkak se Skënderbeu nuk arriti t’u shkonte në ndihmë hungarezëve, ngaqë u pengua nga despoti serb Đurađ Branković. Më 1455 Skënderbeu synoi ta fuste nën sundim Beratin, por dështoi dhe kjo ishte humbja e tij e vetme gjatë 25 vjetëve – disa prijës arbërorë, si Moisi Golemi e Hamza Kastrioti, kaluan në anën e osmanëve, mirëpo Skënderbeu tregohej i mëshirshëm dhe human edhe me ata që e kishin tradhtuar e që më vonë ishin penduar. Skënderbeu dhe arbërit shikoheshin si mbrojtës të krishterimit në Ballkan, andaj Papët e Romës e mbështetën atë moralisht e materialisht. Skënderbeu kishte raporte të mira me Papën, Napolin, Venedikun, Dubrovnikun, Zetën dhe Hungarinë. Vepra e Skënderbeut ngriti lart respektin për të kudo nëpër Ballkan e në Europë. Luftërat e Skënderbeut i penguan osmanët ta pushtonin Europën. Skënderbeu është figurë madhështore kombëtare e europiane. Osmanët e shfrytëzuan vdekjen e Skënderbeut për t’i futë sërish viset shqiptare nën sundim dhe në shenjë hakmarrjeje vranë shumë shqiptarë dhe shumë të tjerë i detyruan të shpërnguleshin nga atdheu.

Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 5. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 37-54 dhe 55-74; Bicaj, Isa dhe Arbër Salihu. Historia 7. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 58-72 dhe 113-132; Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 10. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 169-185.

Pas shpërbërjes së mbretërisë sërbe, në territorin e Shqipërisë, në skenën politike dolën në rrafshin e parë familje të mëdha shqiptare, si Shpataj, Matrënga dhe Topiaj, e më vonë edhe Muzaka, Kastrioti, Dukagjini e Arianiti, të cilat krijuan krahinat e tyre. Rreziku osman, i cili shtrihej mbi tërë Ballkanin, përfshiu edhe rajonet shqiptare. Luftërat ndërmjet familjeve të mëdha shqiptare, karakteristike për tërë territorin e Ballkanit, e lehtësuan ndërhyrjen e ndikimit osman, sidomos gjatë kohës së Sulltan Bajazitit 1. Pjesa më e madhe e dinastëve shqiptarë kaluan në vasalë të osmanëve. Në dekadat e para të shekullit 15 ndodhën pushtimet e reja osmane të territoreve shqiptare. Në këtë kohë u formua sanxhaku shqiptar si pjesë integrale e Perandorisë Osmane. Ky regjionalizim përfshiu rrethin e familjes së Kastriotëve. Gjergj Kastrioti, djali i Gjon Kastriotit, i quajtur nga turqit Skënderbeg, gjatë viteve 40 të shekullit 15, u shmang nga pushteti osman, pushtoi qytetin e Krujës dhe filloi luftën për çlirimin e territoreve. Rreth tij u grumbulluan dinastët e tjerë shqiptarë dhe deri në vdekjen e tij (1468) me sukses u rezistuan sulmeve osmane. Skënderbeu u bë sinonim i rezistencës shqiptare kundër pushtetit osman, personalitet qendror i traditës popullore e më vonë edhe temë e patejkalueshme e formimit të identitetit kombëtar. Pas vdekjes së tij, osmanët i shtypën edhe fiset e tjera të mëdha dhe vazhduan pushtimin tutje.

Smilja Marjanović-Dušanić dhe Marko Šuica. Istorija za II razred gimnazije. Beograd: Zavod za udžbenike, 2009, faqe 217; Radoš Ljušić. Istorija za I razred gimnazije. Beograd: Zavod za udžbenike, 2008, faqe 75, 88-89.

Kryengritjet e shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane në periudhën 1443-1468, të udhëhequra nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, bënë që shqiptarët për herë të parë të mbërrijnë në vetëdijen e Perëndimit. Këto nuk ishin kryengritjet e vetme, por falë figurës karizmatike të Skënderbeut, ishin kryengritjet më të forta të të krishterëve në Ballkan. Skënderbeu u arratis prej Sulltanit e u kthye në Krujë, duke shfrytëzuar vështirësitë e osmanëve në kohën e luftës së vitit 1443-44, gjatë betejës me hungarezët në Nish, dhe duke i marrë sekretarit të Sulltanit një dokument me vulë të Sulltanit, sipas të cilit Skënderbeu emërohej sundimtar i Krujës.
Kryengritjet e Skënderbeut, ndonëse ishin zhvilluar në një territor të vogël dhe kryesisht në male e jo në qytete, ishin të përmasave të jashtëzakonshme, ngaqë kishin përballë perandorinë më të madhe të kohës. Por, këto kryengritje ishin bërë të mundshme, mes të tjerash, falë vasalitetit të Skënderbeut karshi shteteve italiane, që në tekstet e Kosovës paraqitet si aleancë. Më tej, tekstet e Kosovës i paraqesin luftërat e Skënderbeut kryesisht si një varg fitoresh, e jo si luftëra me fitore e humbje, siç vërtet ishin. Madje, edhe kur paraqesin ndonjë humbje të Skënderbeut, atë ua faturojnë ekskluzivisht ‘tradhëtarëve’ si Moisi Golemi e Hamza Kastrioti. Motivet e kryengritjeve të udhëhequra nga Skënderbeu, në tekstet e Kosovës paraqiten si kombëtare – për ta udhëhequr popullin shqiptar drejt lirisë – por, motivet e tyre ishin kryesisht fetare, pronësore, e edhe hakmarrje për babanë e vrarë me urdhër të Sulltanit. Ta zëmë, Kuvendi i Lezhës paraqitet si bashkim ose besëlidhje kombëtare dhe nuk potencohet askund se në këtë kuvend kishte edhe sundimtarë të familjeve të etnive të tjera, siç ishte familja Crnojević. Po ashtu, në të vërtetë kjo nuk ishte lidhje kombëtare, por ushtarake dhe secili anëtar i kësaj lidhjeje ruante mëvetësinë e plotë, ku Skënderbeu ishte vetëm i pari në mesin e të parëve, e jo, siç thuhet në këto tekste, sundimtar i ndonjë shteti shqiptar.
Kur thuhet se Skënderbeu e ngriti flamurin me shqiponjën dykrenare në Krujë, në asnjërin prej teksteve nuk saktësohet se flamuri që ngriti ai ishte me shqiponjën e Bizantit. Pastaj, në asnjërin prej këtyre teksteve nuk përmendet se babai i Skënderbeut vinte nga Dibra, një trevë e përzier (shqiptare, sërbe, bullgare e vllahe), as se ai ishte i martuar me një grua nga një derë shumë e njohur sërbe, Vojsava Branković, e as që fëmijëve u kishte vënë emra bizantinë ortodoksë (Konstantin, Gjergj) e sllavë (Reposh, Stanisha, Mamica, Vllaica, Jela).

Malcolm, Noel. Kosovo – A Short History. London: Pan Macmillan, 2002, faqe 181-201 dhe 116-180; Schmitt, Oliver. Kosova: histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike. Prishtinë: Koha, 2012, faqe 87-127; Schmitt, Oliver. Shqiptarët – një histori midis Lindjes dhe Perëndimit. Tiranë: K&B, 2012, faqe 56-81 dhe 120-135; Bartl, Peter. Shqipëria – nga mesjeta deri sot. Prizren: Drita, 1999, faqe 44-78; Gawrych, George. Gjysmëhëna dhe shqiponja – sundimi otoman, islamizimi dhe shqiptarët 1874- 1913. Tiranë: Bota Shqiptare, 2007; Revista Përpjekja 28-29. Skënderbeu i kërkimit shkencor. Tiranë: 2012.