2. Dyndja e sllavëve në Ballkan

Historia e pranon ardhjen e sllavëve në zonën e Ballkanit në shekullin e gjashtë. Ky migrim ndikoi në të dy palët: në vetë sllavët dhe në popullatat vendase që tashmë jetonin në këto hapësira. Territoret iliro-shqiptare u reduktuan dhe popujt që jetonin aty ndryshuan origjinën e tyre etnike si rezultat i bashkëjetesës dhe asimilimit reciprok.


Fiset sllave dynden në Ballkan nga viti 550-700 dhe formojnë shtetin e tyre në Bullgarinë e sotme, ndërkaq më pas në tokat e të parëve tanë, deri buzë brigjeve të Adriatikut dhe Jonit, vendosen sërbët, kroatët dhe sllovenët. Në viset ku sot ndodhen Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Sërbia, popullsia “arbërore-shqiptare” u zhduk dalngadalë nga banorët sllavë; vetëm në trojet e Shqipërisë së sotme, të Kosovës, dhe të disa krahinave të Maqedonisë, të Malit të Zi e të Greqisë, populli i lashtë shqiptar nuk u zhduk dhe ruajti gjuhën, zakonet dhe kulturën e lashtë, të cilat shqiptarët i trashëguan brez pas brezi. Në Dardaninë e lashtë – Kosova e sotme, popullsia ilire i ka qëndruar politikës asimiluese të romakëve, të bizantinëve e të sllavëve; shumë toka iliro-arbërore u kolonizuan nga banorë të ndryshëm, veçmas nga sllavët e kjo rezultoi me përzierjen e vendasve dhe të ardhurve, çka në shumë treva diktoi humbjen e identitetit iliro-arbëror.

Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 5. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 23-32; Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 6. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 97-108; Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 10. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 155-161.

Sllavët e jugut fillimisht i sulmonin territoret e Perandorisë Bizantine për t’i plaçkitur, e veç nga mesi i shek. 6 zunë të vendoseshin në gadishullin ballkanik, dhe vetëm në fillim të shek. 7 e pushtuan atë, duke i gjetë këtu grekët, trakët, keltët dhe ilirët e romanizuar – këta të fundit tashmë e kishin pranuar kulturën romake dhe flisnin dialekte të ndryshme të gjuhës latine. Fiset sllave u përzien me vendasit dhe popujt fqinj, prandaj një numër i vogël i këtyre fiseve i ka humbur karakteristikat etnike. Vendasit që jetonin së bashku dhe që tuboheshin në grupe më të mëdha nuk janë sllavizuar; shqiptarët i kanë ruajtur zakonet, gjuhën dhe karakteristikat e tjera kombëtare; një pjesë sllavësh të ardhur ua morën gjuhën dhe zakonet shqiptarëve duke u përzier.

Mihaljčić, Rade. Istoria 6. Beograd: Zavod za udžbenike, 2011, faqe 42; Katić, Tatjana dhe Dušan Ilijin. Istorija za I razred gimnazije. Beograd: Zavod za udžbenike, 2013, faqe 184-87.

Gotët gjermanë, hunët dhe bullgarët, kishin provuar të vendosen në këto treva para sllavëve, por sllavët nuk ishin të parët që u vendosën në këto hapësira duke kërkuar jetë më të mirë. Asnjë popull tjetër nuk la gjurmë në Ballkan sikur sllavët, të cilët e shkatërruan kulturën antike qytetare, organizimin kishtar të krishterë dhe e ndryshuan përbërjen etnike të popullsisë, por shtrirja e tyre në Ballkan u bë në grupe të vogla e pa struktura të qarta, madje shpesh të komanduara nga elita luftarake josllave. Vendosja e sllavëve në Ballkan përshkruhet si ngushtim i territoreve iliro-arbërore. Edhe po ta marrim të mirëqenë prejardhjen ilire të shqiptarëve, kjo nuk nënkupton se të gjitha fiset ilire që jetonin nëpër gadishullin ballkanik – Sërbi, Mal i Zi, Bosnjë, Kroaci e Slloveni – janë paraardhës të shqiptarëve. Me pohimin se “populli shqiptar nuk u zhduk vetëm në Shqipëri, Kosovë, disa pjesë të Maqedonisë, Malit të Zi e Greqisë”, sikur tentojmë ta projektojnë qenësinë e sotme etnike të shqiptarëve edhe në mesjetë, por edhe shtrirjen e tanishme të tyre në Ballkan. Ky pohim bie ndesh me të dhënën se pas dyndjes së sllavëve në Ballkan, një pjesë e popullsisë vendase u shpërngul në qytetet bregdetare, ndërsa një tjetër gjeti strehim rajoneve të padepërtueshme malore, kryesisht në viset veriore të Shqipërisë së sotme.
Ndërkaq, përzierjet e popullsisë vendase me sllavët, tekstet e Kosovës i prezentojnë njëkahshëm: “humbje e identitetit iliro-arbëror”, por kështu bëjnë edhe tekstet e Sërbisë: “humbje të karakteristikave etnike të fiseve sllave, që morën gjuhën dhe zakonet e shqiptarëve”. Këto përzierje kanë qenë reciproke: “kur sllavët u ngulën në Ballkan, diku i asimiluan vendasit, e diku u asimiluan nga ata”.

Malcolm, Noel. Kosovo: A Short History. London: Pan Books, 2002, faqe 40-44; Schmitt, Oliver. Shqiptarët – një histori midis Lindjes dhe Perëndimit. Tiranë: K&B, 2012, faqe 49-59; Schmitt, Oliver. Kosova: histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike. Prishtinë: Koha, 2012, faqe 37-39; Schmitt, Oliver. “Monada e Ballkanit” Shqiptarët në Mesjetë. botuar në librin e përgatitur nga Oliver Schmitt dhe Eva Anne Frantz. Historia e Shqiptarëve – gjendja dhe perspektivat e studimeve. Tiranë: Botimet Përpjekja, 2012, faqe 67-90; Bartl, Peter. Shqipëria nga Mesjeta deri Sot. Prizren: Drita, 1999, 24-31.