7. Deportimi i shqiptarëve myslimanë nga Sanxhaku i Nishit 1877-1878

Dëbimet e dhunshme të shqiptarëve dhe myslimanëve të tjerë nga Sanxhaku i Nishit pasuan ndryshimet territoriale që rezultuan nga Marrëveshjet e Traktateve të Shën Stefanit dhe të Berlinit të vitit 1878. Këto dëbime u kryen me brutalitete ekstreme dhe privim, dhe rezultuan në një numër të madh viktimash. Rreth 50,000 njerëz u dëbuan. Këto akte ishin politikat e pushteteve qendrore në Beograd dhe në përgjithësi nuk ishin iniciuar nga serbët lokalë. Kjo rezultoi që deri më 1912 serbët u detyruan të largoheshin nga zonat në të cilat shqiptarët u vendosën, shpesh si rezultat i sulmeve hakmarrëse. Numri i serbëve të larguar ka qenë ndoshta rreth 60,000. Dëbimet kanë lënë një shenjë të veçantë në kujtesën kolektive të të gjitha viktimave.

Ushtria sërbe ka kryer gjenocid e terror ndaj popullsisë shqiptare në vitet 1877-1878, i ka detyruar të shpërngulen me dhunë nga 640 vendbanime nga trevat e Sanxhakut të Nishit dhe të tjera përreth 160 mijë banorë shqiptarë, të cilët u detyruan të strehohen në thellësi të Vilajetit të Kosovës – e që edhe sot njihen si muhaxhirë (refugjatë). Këto shpërngulje të dhunshme e masive bënë spastrimin etnik të këtyre vendbanimeve shqiptare dhe kolonizimin e tyre me popullsi sërbe.

[Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 5. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013. faqe 57-60; Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 10. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013. faqe 53-65; Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 11. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013. faqe 37-47; Bajraktari, Jusuf dhe Arbër Salihu. Historia 12. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013. faqe 52-65.]

Nga Sërbia jugore e çliruar, në Kosovë arritën shqiptarët e dëbuar nga Toplica e Jabllanica. Shqiptarët, për shkak të humbjes së pasurive në Sërbi, iu hakmorën sërbëve të Kosovës. Për shkak të kësaj, një numër i madh sërbësh nga zonat kufitare kaloi në Mbretërinë e Sërbisë, duke ua lënë pasurinë e vet shqiptarëve.

[Bataković, Dušan. Istoria 7. Beograd: Zavod za udžbenike, 2011, faqe 174-175.]

Megjithëse mungojnë shifra të sakta, një studim bashkëkohor bie në përfundimin se në krejt këtë rajon kishte pasë 110 mijë shqiptarë, kurse numri i muhaxhirëve (refugjatëve) që ishin vendosë në territorin e Kosovës në vitet 1877-1878, nga një vlerësim i përafërt, del të jetë rreth 50 mijë. Në territorin e tanishëm të Kosovës u vendos edhe një numër i vogël sllavësh myslimanë. Një komandant i armatës sërbe nuk kishte pranuar t’i dëbonte shqiptarët nga qyteti Vranjë me arsyetimin se ata ishin të urtë dhe të qetë. Ky dëbim i shqiptarëve myslimanë nga këto treva dhe vendosja e tyre në territorin e tanishëm të Kosovës ka ndikuar që të ashpërsohen raportet mes myslimanëve dhe të krishterëve në Kosovë – muhaxhirët (refugjatët) kishin një qëndrim tejet armiqësor ndaj të krishterëve vendas, sidomos ndaj sërbëve ortodoksë. Pjesërisht edhe për shkak të këtij qëndrimi, ka pasur një shpërngulje të vazhdueshme të sërbëve nga Kosova (natyrisht, kishte edhe arsye të tjera të shpërnguljes si: amullia e përgjithshme, administrata e dobët, jeta më e mirë në Sërbi, e me radhë). Lidhur me shifrat e sërbëve të shpërngulur nga Kosova në periudhën 1878-1912, 60 mijë duket të jetë supozim i arsyeshëm.

[Malcolm, Noel. Kosovo – A Short History. London: Pan Macmillan, 2002, faqe 181-201 dhe 217-238; Schmitt, Oliver. Kosova: histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike. Prishtinë: Koha, 2012, faqe 47-133; Schmitt, Oliver. Shqiptarët – një histori midis Lindjes dhe Perëndimit. Tiranë: K&B, 2012, faqe 136-168; Bartl, Peter. Shqipëria – nga mesjeta deri sot. Prizren: Drita, 1999, faqe 78-105; Gawrych, George. Gjysmëhëna dhe shqiponja – sundimi otoman, islamizimi dhe shqiptarët 1874-1913. Tiranë: Bota Shqiptare, 2007.]