15. Demonstratat 1968 | Kushtetuta 1974 | Demonstratat 1981

Demonstratat shpërthyen në Kosovë në nëntor 1968 dhe bën thirrje që Kosova të bëhet republikë. Protestat u shuan brutalisht nga autoritetet, por reagimi i Beogradit ishte më pajtues sesa mund të ishte pritur. Në vitin 1974 u miratua Kushtetuta e re dhe Kosovës iu dhanë të drejtat e një province autonome, Universiteti i Prishtinës u themelua dhe të drejtat politike dhe kulturore shqiptare u përmirësuan. Marrëdhëniet midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë u përmirësuan gjithashtu. Pas vdekjes së Titos në vitin 1980, marrëdhëniet midis dy komuniteteve filluan të përkeqësohen, një ndryshim i cili pjesërisht i atribuohet raporteve të mediave, kryesisht të pabazuara për krimet shqiptare të vrasjeve, shkatërrimit të pronave dhe përdhunimeve të serbeve. Këto ngjarje ndodhnin në pjesën jugore të Serbisë, e cila ishte më pak e zhvilluar dhe kishte nivelin më të lartë të papunësisë në Jugosllavi. Demonstratat shpërthyen serish në Prishtinë në vitin 1981. Ato filluan nga studentët që protestonin në mënyrë paqësore për kushtet e tyre të jetesës, por kërkesat e tyre u përshkallëzuan në një nivel më të madh politik. Si rezultat, spastrimet u bënë brenda udhëheqjes komuniste në Kosovë.

Shqiptarët kurrë nuk u pajtuan me pushtetin sërb, dhe për ta shfaqur këtë pakënaqësi, më 1968 organizuan demonstrata, ku kërkuan Republikë, Kushtetutë dhe Universitet. Sakrificat qenë të mëdha, por edhe efektet, sepse u shpejtua themelimi i Universitetit të Prishtinës, u miratua Kushtetuta e Kosovës, u themelua Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe u rrit veprimtaria botuese, kulturore, shkencore, etj. Filloi bashkëpunimi i shqiptarëve të Kosovës me Shqipërinë në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, sportit, tregtisë. Në vitin 1981 studentët, të përkrahur nga populli shqiptar, organizuan prapë demonstrata me kërkesën “Kosova Republikë”. Policia arrestoi, vrau dhe plagosi qindra protestues shqiptarë.

[Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 5. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 85-98; Rexhepi, Fehmi. Historia 9. Libri Shkollor, 2013, faqe 110-123, 156-174; Bajraktari, Jusuf, Fehmi Rexhepi dhe Frashër Demaj. Historia 10. Prishtinë: Libri Shkollor, 2011, faqe 154-157 dhe 193-199; Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 11. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 159-163 dhe 208-211.]

Në mbarim të nëntorit të vitit 1968 në Kosovë shpërthyen demonstratat, ku u theksua kërkesa që Kosova të bëhej republikë. U kërkua kushtetuta e re, shkëputja dhe bashkimi i rajoneve në të cilat jetojnë shqiptarët, brohoritej për Enver Hoxhën. Megjithëse kishin pika masive dhe separatiste, Titoja i cilësoi si trazira të rëndomta, duke kritikuar ata “që ende po jetojnë në sfera të vjetra dhe që nuk janë të kënaqur se të gjitha kombet e kombësitë në vendin tonë gëzojnë të njëjtat të drejta”. Me këtë mendonte për sërbët. Pas kësaj ngjarjeje (demonstratat u shuan me dhunë) vazhduan diskutime të ashpra për ndryshimin e karakterit të federatës. Krahinat autonome në Republikën e Sërbisë fituan autorizime më të mëdha. Ndryshimet e karakterit të federatës, të bëra me amendamentet e viteve 1969 e 1971, sollën deri te forcimi i pozitës së republikave, por edhe të krahinave. Me amendamente u sigurua pavarësia më e madhe e krahinave, të cilat fituan statusin e elementit kushtetues të federatës, megjithëse nuk kishin karakter të njësive federale. Krahinat mund të merrnin pjesë në marrjen e vendimeve në republikë, kurse republika nuk kishte të drejtë të përzihej në punët e krahinës. Kushtetuta e re u miratua në shkurt të vitit 1974 dhe menjëherë u quajt “kartë e shoqërisë vetëqeverisëse”. Së shpejti u miratua edhe Kushtetuta e Sërbisë, si dhe kushtetutat e Vojvodinës e të Kosovës, me rastin e shpalljes së të cilave nuk u ftua askush nga udhëheqësit politikë të Sërbisë. Me këto ndryshime kushtetuese u mundësua forcimi i mëtejmë i pavarësisë së republikave dhe i krahinave, por edhe dobësimi i përbashkësisë, parcializimi i ekonomive dhe brejtja e Jugosllavisë si shtet i përbashkët. Megjithatë, krerët e LKJ-së edhe më tej flisnin me optimizëm për bashkimin, stabilitetin dhe progresin. Krahinat fituan autorizime të gjera në pushtetin ligjdhënës dhe ekzekutiv, kështu që praktikisht kishin status të barabartë të anëtarëve, d.m.th. të shteteve, të federatës. Republika e Sërbisë, me këto kushtetuta, edhe vetë fitoi elemente të konfederalizmit. Krahinat fituan të drejtën që të vendosin, me të drejta të barabarta me republikat, për punët e federatës – madje sipas parimit të konsensusit (pajtimit). Pa votën e tyre nuk mund të merreshin vendimet në federatë. Shenjat e para të destabilizimit të Jugosllavisë u shfaqën në Kosovë. Shpërthimi i nacionalizmit dhe i separatizmit shqiptar në pranverë të vitit 1981 shënoi zgjimin e nacionalizmave të fjetur, fatalë për bashkësinë. Republikat do të fillojnë lojën rreth Kosovës. Përballë propagandës së përhapur, elita politike shqiptare tanimë sundonte sovrane në Kosovë. Vazhdonin presionet ndaj sërbëve, dhunimet, shkatërrimi i pasurisë, madje edhe vrasjet nga urrejtja nacionale. Kjo vetëm e forcoi shpërnguljen e sërbëve, që, në të vërtetë, po zgjaste që nga viti 1945 dhe që shkaktoi rënien e numrit të popullsisë sërbe në gjithsej 13,2%. Ngjarjet në Kosovë e Metohi ushtruan ndikim negativ në marrëdhëniet e tërësishme në Jugosllavi. Milošević-i, me çështjen e zgjidhjes së problemeve në Kosovë e Metohi, e filloi reformën e Lidhjes së Komunistëve në Sërbi dhe të marrëdhënieve në federatë. Në shumë mitingje iu dha mbështetje masive personalitetit të Milošević-it dhe politikës së tij. Kjo pati për pasojë ndërrimin e udhëheqjes në Kosovë e Metohi, në Vojvodinë e Mal të Zi.

[Đurić, Đorđe dhe Momčilo Pavlović. Istorija 8. Beograd: Zavod za udžbenike, 2010, faqe 137; Đurić, Đorđe dhe Momčilo Pavlović. Istorija 3. Beograd: Zavod za udžbenike, 2010, faqe 208, 235, 243, 245, 248.]

Më 27 nëntor 1968, organizata ilegale e ashtuquajtur “Grupi 68”, shumë prej anëtarëve të të cilit kishin qenë pjesë e LRBSh-së, organizuan demonstrata në disa qytete të Kosovës, me kërkesën kryesore “Kosova Republikë”. Zyrtarët legalë politikë të Kosovës i patën cilësuar ato si armiqësore e shoviniste. Këto demonstrata ndikuan në avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në Sërbi e Jugosllavi, por për këtë avancim, veç zyrtarëve legalë politikë të Kosovës, kishte ndikuar edhe rivendosja e marrëdhënieve Shqipëri-Jugosllavi.

Pavarësia e krahinave kurorëzohet në vitin 1974 me miratimin e Kushtetutës së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), e cila dy Krahinave Autonome, Kosovës e Vojvodinës, që ishin pjesë përbërëse e Republikës së Sërbisë, u siguronte status për shumëçka të ngjashëm me atë të gjashtë republikave jugosllave, sidomos në vendimmarrjen ekonomike dhe disa fusha të politikës së jashtme. Kuvendi i RSFJ-së përbëhej nga Dhoma Federative, ku republikat kishin të drejtë t’i dërgonin nga 30 delegatë, kurse krahinat nga 20, si dhe nga Dhoma e Republikave dhe Krahinave, ku republikat kishin të drejtë t’i dërgonin nga 12 delegatë, kurse krahinat nga 8. Në pjesën hyrëse të Kushtetutës së RSFJ-së dhe të Kushtetutës së Sërbisë përmendet e drejta e secilit komb për vetëvendosje deri në shkëputje, në Kushtetutën e Krahinës Autonome të Kosovës këto nuk figurojnë. Për më tej, në bazë të këtyre kushtetutave të vitit 1974, shqiptarët konsiderohen kombësi dhe jo komb.

Demonstratat që shpërthejnë në mars e prill të vitit 1981, u organizuan fillimisht nga studentë të UP-së për kushte më të mira, e më pas edhe nga grupe të ndryshme politike e ilegale të shqiptarëve të Kosovës, me kërkesën “Kosova Republikë”. Këto demonstrata u cilësuan prej zyrtarëve të lartë politikë shqiptarë të Kosovës si shoviniste, separatiste, tubime huliganësh e organizatash kundërrevolucionare shqiptare.

Marrëdhëniet mes shqiptarëve e sërbëve acarohen edhe më tutje pas demonstratave të vitit 1981, kur Sërbia bën planet për t’ia heqë autonominë Kosovës duke nisë fushata propagandistike mediale kundër “…presioneve ndaj sërbëve, dhunimeve, shkatërrimeve të pasurisë, madje edhe vrasjeve nga urrejtja nacionale”. Sa u takon dhunimeve në Kosovë, Komiteti i Juristëve Sërbë dhe Ekspertëve për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në analizën e publikuar më 1990, analizon statistikat e dhunimeve dhe të tentim-dhunimeve gjatë viteve 80 dhe konstaton se shpeshtësia e këtij krimi ishte shumë më e ulët në Kosovë se në pjesët e tjera të Jugosllavisë, dhe se në shumicën dërrmuese të rasteve, sulmuesi dhe viktima ishin të të njëjtit komb. Po ashtu, sa u përket shpërnguljeve, duhet thënë se ndër arsyet kryesore të tyre ishin keqmenaxhimi i ekonomisë në Kosovë dhe shkalla e papunësisë që ishte më e larta në Jugosllavi.

Malcolm, Noel. Kosovo – A Short History. London: Pan Macmillan, 2002, faqe 289-334; Schmitt, Oliver. Kosova: histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike. Prishtinë: Koha, 2012, faqe 164-233; Fischer, Bernd. Shqipëria gjatë Luftës, 1939-1945. Tiranë: Çabej, 2000, faqe 124-129; Krieger, Heike (ed.). The Kosovo Conflict and International Law. Cambridge: Cambridge University Press, 2001, 2-8; Surroi, Veton. Fadil Hoxha në vetën e parë. Prishtinë: Koha, 2010, faqe 233-255.