4. Beteja e Kosovës 1389

Krahas shumë të tjerëve, shqiptarët morën pjesë në Betejën e Kosovës të vitit 1389, duke luftuar në radhët e të dyja palëve. Ishte një betejë e hidhur me shumë humbje, që shënon fundin e ndikimit sllav dhe një moment fort të rëndësishëm në pushtimin osman të të gjitha vendeve dhe zonave të Ballkanit, duke ndryshuar pakthyeshëm historinë e rajonit. Kjo betejë ka qenë burim i shumë manipulimeve dhe mitologjive në kujtesën dhe mësimdhënien e historisë përgjatë viteve.

Në gjysmën e dytë të shekullit 14, për t’i bërë ballë kanosjes së pushtimit osman, feudalët shqiptarë, sërbë, bullgarë, rumunë, etj., formuan një bashkim ushtarak, në krye me princin sërb Lazar, ku merrnin pjesë edhe repartet shqiptare të drejtuara nga princat e tyre: Muzaka, Balsha, etj. Në vitin 1389 u zhvillua një betejë e ashpër afër Prishtinës, ku mendohet se luftëtari Millosh Kopili, nga fshati Kopiliq i Drenicës, e vrau Sulltan Muratin. Të dy ushtritë pësuan humbje të mëdha. Në këtë betejë u vra edhe princi shqiptar Teodor Muzaka dhe shumë princa të vendeve të tjera. Në përfundim të luftës, ushtritë ballkanike u thyen. Osmanët vazhduan pushtimin e vendeve ballkanike një nga një.

Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 5. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 25-36; Bicaj, Isa dhe Arbër Salihu. Historia 7. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 40-52, 55-57; Rexhepi, Fehmi dhe Frashër Demaj. Historia 10. Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, faqe 155-168.

Sulltan Murati kishte mbledhë skuadra nga pjesë aziatike dhe europiane të Perandorisë Osmane dhe ishte ndihmuar edhe nga luftëtarë të krishterë. Djemtë e tij Bajaziti dhe Jakupi ishin udhëheqës ushtarak. Mbreti Lazar nuk kishte arritë t’i mbledhte të gjithë fisnikët dhe luftëtarët sërbë. Nga sundimtarët regjional sërb i ishte bashkuar Vuk Branković, sundimtar i Kosovës, si dhe Mbreti boshnjak Tvrtko I. Beteja është zhvilluar më 28 qershor 1389 në Fushë Kosovë afër Prishtinës. Rezultatet përfundimtare të betejës nuk dihen. Në të dy anët ka pasë mjaft të vdekur, ku kanë humbë jetën të dy sundimtarët, Mbreti Llazar dhe Sulltan Murati, i cili u vra nga luftëtari fisnik serb Miloš Obilić (Kobilić), për të cilin historia nuk ka të dhëna të tjera. Dhëndri i Mbretit Lazar, Vuk Branković, nën sundimin e të cilit ka qenë territori ku është zhvilluar beteja, ka marrë pjesë në betejë, por jo edhe dhëndri tjetër i Lazarit, Gjuragj II Balshić, i cili kishte pasë lidhje me turqit. Tekstet e Sërbisë nuk e vënë fare në pah pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë betejë.

Mihaljčić, Rade. Istoria 6. Beograd: Zavod za udžbenike, 2011, faqe 86-98, 104-114, 118-119; Katić, Tatjana dhe Dušan Ilijin. Istorija za I razred gimnazije. Beograd: Zavod za udžbenike, 2013, faqe 243- 245.

Shqiptarët kanë marrë pjesë në Betejën e Kosovës 1389, por sërbo-shqiptari Gjergj Balshaj ka gjasa të mos ketë marrë pjesë fare në betejë, ngaqë kur ishte zhvilluar ajo, ndodhej në Ulqin. Duke marrë parasysh situatën e ndërlikuar politike në territorin e Shqipërisë dhe ndikimin e vendosur osman në disa pjesë të Shqipërisë, ka mjaft mundësi që në Betejën e Kosovës disa shqiptarë, e madje edhe disa vazalë sërbë, të kenë marrë pjesë në anën e osmanëve. Përkatësia etnike e vrasësit të Sulltan Muratit është e paqartë; ai mund të ketë qenë sërb, shqiptar, vlleho-shqiptar, hungarez, e me radhë.

Malcolm, Noel. Kosovo: A Short History. London: Pan Books, 2002, faqe 42-95; Schmitt, Oliver. Kosova: histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike. Prishtinë: Koha, 2012, faqe 39-46; Schmitt, Oliver. “Monada e Ballkanit” Shqiptarët në Mesjetë. botuar në librin e përgatitur nga Oliver Schmitt dhe Eva Anne Frantz. Historia e Shqiptarëve – gjendja dhe perspektivat e studimeve. Tiranë: Botimet Përpjekja, 2012, faqe 67-90; Bartl, Peter. Shqipëria nga Mesjeta deri Sot. Prizren: Drita, 1999, 24-31. Schmitt, Oliver. Shqiptarët – një histori midis Lindjes dhe Perëndimit. Tiranë: K&B, 2012, faqe 49-59.