Deportimi i shqiptarëve myslimanë nga Sanxhaku i Nishit 1877-1878

Fillimi i Krizës Lindore i gjeti shqiptarët në marrëdhënie të acaruara me Perandorinë Osmane. Asnjë nga kërkesat e ngritura prej tyre gjatë djetëvjeçarëve të mëparshëm nuk ishte pranuar nga Porta e Lartë. Shqipëria nuk gëzonte asnjë të drejtë kombëtare.

Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878 me rend dite rishkimin e Traktatit të Shën Stefanit. Në të morën pjesë Gjashtë Fuqitë e Mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Me ftesën e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania dhe Mali i Zi) dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat parashtruan dhe mbrojtën në seanca të veçanta të Kongresit kërkesat e tyre politike e territoriale. Edhe shqiptarët, sidomos organizmat e Lidhjes së Prizrenit i parashtruan kërkesat e tyre Kongresit të Berlinit.

Me këmbënguljen e Austro-Hungarisë u vendos që serbia të mos zgjerohej nga ana Jugore (në drejtim të Novi Pazarit, të Mitrovicës, Prishtinës, të cilat Vjena i lakmonte për vete), por nga ana Juglindore, duke i dhënë asaj krahinat e Pirotit, të Trenit, Vranjës, e të Nishit; këto, me Traktatin e Shën Stefanit i qenë premtuar Bullgarisë. Me përkrahjen e Anglisë e të Francës, Kongresi i Berlinit mori në shqyrtim  edhe kërkesat e Greqisë, e cila gjithashtu nuk kishte marrë pjesë në Luftën Ruso-Turke. Athina pretendonte të aneksonte Thesalinë, Maqedoninë, Kretën dhe sidomos Epirin (Vilajetin e Janinës).

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë. Historia e Popullit Shqiptar I. (Tiranë, Toena, 2002), 134-163.


Në këtë periudhë ashpërsohen raportet ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve të Kosovës. Shkaku kryesor i kësaj ishte dëbimi në masë të madhe i myslimanëve nga tokat e pushtuara Serbia, Bullgaria, dhe nga Mali i Zi më 1877-1878. Pothuajse të gjithë myslimanët me përjashtim të disa romëve, ishin dëbuar nga rajoni i Luginës së Moravës, ku kishte pasur qindra fshatra shqiptare, si dhe një përqindje e konsiderueshme e popullatës shqiptrare në qytetet Prokuple, Leskovc dhe Vranjë.

Një mësuesi serb në Leskovc do t’i kujtohet më vonë se myslimanët e ishin dëbuar në dhjetorin e vitit 1877 në një acar të madh: “Skajeve të rrugës, në Grykën e Gudelicës, deri në Vranjë e në Kumanovë, mund të shihje kufoma, fëmijë të braktisur dhe pleq të ngrirë nga acari”.

Megjithëse, mungojnë shifra të sakta, një studim bashkëkohor konkludon se në tërë këtë rajon kishte pasur 110 mijë shqiptarë. Nga fundi i viti 1878, përfaqësues të diplomacisë perëndimore po raportonin se në Maqedoni kishte 60 mijë familje refugjatësh myslimanë, “në një gjendje jashtëzakonisht të mirë”, kurse 60-70 mijë refugjatë shqiptarë nga Serbia ishin shpërndarë në tërë Vilajetin e Kosovës. Tregtarët shqiptarë, të cilët bënë përpjekje që të mbeteshin në Nish, iu nënshtruan ndjekjeve të vrasësve, kurse pasuria e tyre u shit për 1% të vlerës. Në një peticion të vitit 1879, një grup refugjatësh nga Leskovci ankohej se shtëpitë, mullinjtë, xhamitë dhe teqetë e tyre ishin rrënuar, ndërsa materiali nga këto rrënime, gurët dhe druri ishin shitur, “Kështu që në qoftë se ne kthehemi në vatrat tona, nuk do të kemi vend për t’u kthyer”.

Të gjithë këta ardhacakë quheshin muhaxhirë, që është një fjalë e zakonshme myslimane për refugjatët. Numri i përgjithshëm i atyre që u vendosën në Kosovë nuk dihet me saktësi: Përmenden shifra nga 20 deri në 50 mijë për Kosovën Lindore, ndërsa sundimtari i vilajetit kishte dhënë një shifër prej 65 mijë vetash më 1881, disa ndër të cilët ndodheshin në Sanxhakun e Shkupit dhe të Novi Pazarit. Nga një vlerësim i përafërt 50 mijë do të ishte një shifër e arsyeshme për muhaxhirët e viteve 1877-78, të cilët u vendosën në territoret shqiptare.

Noel Malkolm. Kosova një histori e shkurtër e një treve ballkanike. (Prishtinë, Koha, 2011), 300-301.


Si Traktati i Shën Stefanit, ashtu edhe Traktati i Berlinit, vendosën t’ia jepnin truallin e banuar nga shqiptarët shteteve të tjera. Pazotësia e Portës (Qeverisë Osmane) për të siguruar interesat e një treve, ku 70% e popullsisë ishte myslimane dhe përgjithësisht besnike, bëri që udhëheqësit shqiptarë jo vetëm të organizoheshin në mbrojtje të tyre, por të shqyrtonin edhe krijimin e një administrate autonome, njëlloj si ato të Serbisë dhe të Principatave Danubiane.

Ashtu siç parashikohej në Traktatin e Berlinit, në gusht të vitit 1878, Fuqitë e Mëdha ngritën një komision për caktimin e kufirit turko-malalzez. Ato prisnin që Porta (Qeveria Osmane) t’i impononte pa mëdyshje këto vendime mbi popullsinë vendëse, por trupat osmane në rajon nuk ishin aq të forta sa ta realizonin këtë.

Barbara Jelavich. Historia e Ballkanit-shekulli i tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë. (Tiranë, Përpjekja, 1999), 337.


T’MJERT MUHAXHERËT

KAH PO SHKOJNË


Çka kanë bjeshkët që po ushtojnë,
t’mjert muhaxhirët kah po shkojë
nëpër shi e nëpër borë,
po iu vdesin thmija n’dorë,
5 Asnja udhën s’po muj tfillojnë.
Kush a shqiptar që ban sevap
muhaxhirëve iu ban konak,
u ndez jerm e u jep darkë,
u shtron mirë, t’ flejnë rahat,
10 prej që janë dalë prej t’zezës shpi,
s’kanë pasë bukë që piqet n’hi,
s’kanë pasë çerep, s’kanë pasë kaci,
Sheh Ahmeti fjalë ka çue:
-Mue zemra m’ka kushtue,
15 muhaxhert n’kangë m’i knue,
kah kanë ikë, kah kanë shkue.
-More mbret, thonë muhaxheria!
More mbret, more mbreti i ri,
shite Bosnjë e Rumeli,
20 a po sheh çka u ba n’thmi?
Na kanë gri t’shkretët sabi,
thmija s’ftofti na u kanë mërdhi,
dath e desh n’ borë e n’shi…


(Popullore)


Çështja e pasurive të të shpërngulurve dhe zbatimi i Nenit 39 të Kongresit të Berlinit

-Pronarët shqiptarë, çerkezë e të tjerë të cilët ishin larguar nga vendbanimet e tyre kishin të drejtë që me leje të shteteve (Principatës Serbe dhe Perandorisë OSmane) të shkonin personalisht dhe t’i paraqiteshin pushtetit lokal serb dhe të fillonin procedurën e shitjes së pasurisë vet në këtë mënyrë:

-Pronarët shqiptarë e të tjerë mund të autorizonin ndonjë person të atyshëm (serb ose ndonjë tjetër) që të bënte shitjen e pasurisë së tyre (që në fillim kështu bënin  ata që patën mbetur edhe disa shqiptarë, turq e të tjerë, kryesisht të shtresës feudale të cilët ndërmjetësonin për shitjen e pasurive, për dhënien e tokës me çesim etj.)

-Në qoftë se pronarët nuk duan ta tjetërsojnë e ta shesin pasurinë e tyre mund ta shfrytëzojnë atë duke ia dhënë ndokujt për të punuar sikundër që ishte paraparë në kontratë të këtyre dy personave, t’i dërgohet pronarit muhaxhir shuma përkatëse e të hollave.

Siç mund të vërehet nga këto të dhëna, në pikëpamje teorike ishte rregulluar mirë sendërtimi i nenit 39 të sipërcituar , por kur filloi përfillja politike e tij u has në vështirësi dhe komplikime, kështu që neni në fjalë fare nuk do të zbatohet.


Sabit Uka. Shpërngulja e shqiptarëve nga Serbia Jugore më 1877-1878 dhe vendosja e tyre në Rrafshin e Kosovës. (Prishtinë, Zëri, 1991), 7



 

Pamje e përgjithshme e popullsisë në Sanxhakun e Novi Pazarit

Territoret e reja Serbe të fituara gjatë viteve 1877/1878




Faksimile e hartës së Enciklopedisë Ruse që tregon kufijtë real të Serbisë në vitin 1817





 

Vilajeti i Kosovës 1881-1912

Xhami në Jagodinë e ndërtuar në vitin 1555, e rrënuar në vitin 1928

Kalaja e Nishit  në vitin 1878

Piroti, që në atë kohë quhej Sheherkoy, ishte i banuar edhe me popullatë shqiptare

Nishi para vitit 1877 kishte 2000 shtëpi shqiptare e turke me rreth 30.000 banorë dhe 3500 shtëpi të krishtera.

Leskoci para vitit 1877 kishte 1000 shtëpi shqiptare dhe turke dhe 2500 shtëpi të krishtera.

Shtëpi shqiptare, shumica e të cilave ishin djegur apo rrënuar

Kishte 67 fshatra më 1571 shtëpi shqiptare dhe shumë pak serbe.

Deportimi i refugjatëve myslimanë nga Selaniku

Banorë muhaxhirë. Burri (i ulur në mes të fotografisë) është i ardhur nga fshati Pestresh (Toplicë)

Familje shqiptare të dëbuara në rrugë për Turqi

Familje shqiptare muhaxhire e shpërngulur në Turqi

Familja e Sejdi Hysenit nga fshati Kapit i trevës së Medvexhës

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës. Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877-78. Prishtinë, 2018. Libër elektronik, linku: http://asha-ks.net/repository/docs/Katalogu_WEB.pdf

Zhvillimet politike në Ballkan 1812-1919Georges Castellan. Histori e Ballkanit. (Tiranë, Çabej, 1991), 256.