Kryengritja e Pjetër Bogdanit

Pas vitit 1683, në Shqipëri ziente lëvizja antiosmane, ndërkohë që Perandoria kishte hyrë në luftë me koalicionin e madh të Austrisë, Venedikut, Polonisë e të Rusisë. Kleri katolik shqiptar me në krye Pjetër Bogdanin i nxiti shqiptarët të ngrinin krye dhe këta nuk ngurruan të radhiten në vijat e para të luftës çlirimtare që mori hov në kuadrin e gjendjes së jashtme të favorshme. Përkrahja që shqiptarët i dhanë ushtrive austriake e venedikase kundër forcave osmane në atë kohë u dha dorë si austriakëve ashtu edhe venedikasve të përparonin në brendi të Gadishullit Ballkanik dhe të zinin disa qytete bregdetare. Peshkopi shkrimtar Pjetër Bogdani hartoi një projekt për çlirimin e vendit duke u mbështetur te lufta që kishte shpërthyer, në të cilën shqiptarët kryengritës po jepnin ndihmesën e tyre të çmueshme.

Pasi u thye hovi i osmanëve kundër forcave austriake në dyert e Vjenës, nuk patën përfundim më të mirë as sulmet e tyre kundër forcave ushtarake venedikase. Një rol vendimtar për dështimin e një vargu operacionesh të ushtrisë osmane e luajtën malësorët shqiptarë e malazezë.

Angazhimi i shqiptarëve në anën e austrakëve u bë më i dukshëm në pranverën e vitit 1689, kur konti Ludvig Badeni, komandant i frontit austriak vendosi të pushtonte Nishin dhe nëpërmjet Prokupjes të kalonte në Kosovë. Nëpërmjet Prizrenit dhe Kukësit ai deshi të dilte në Shkodër e në detin Adriatik për të ndarë Bosnjën e Hercegovinën nga Porta e Lartë. Kur forcat austriake hynë në tokat ballkanike në to u përfshinë serbë, bullgarë, grekë e shqiptarë. Në afërsi të Nishit u zhvillua një betejë e ashpër më 24 shtator 1689 e cila përfundoi me fitoren e austriakëve, osmanët lanë në fushëne e betejës 10 mijë të vrarë. Pas kësaj fitoreje ushtria austriake u nda në dy pjesë, njëra me në krye Kontin e Badenit u nis drejt Vidinit në Bullgari dhe tjetra me në krye gjeneral Pikolominin u nis për në Kosovë, ku u prit nga shqiptarët. Shqiptarët ishin gati të pranonin mbrojtjen e perandorit austriak. Të njëjtin veprim bënë edhe shqiptarët e Kelmendit. Kur Pikolomini hyri në Prishtinë, shqiptarët e Kosovës deklaruan se ishin me perandorin, 6000 ortodoksë shqiptarë (Albanensen) u bashkuan me austriakët. Pikolomini të njëjtën situatë e ndeshi edhe në Prizren. Banorët e këtrij qyteti dolën përpara dhe e pritën me nderime. Rreth 5000 shqiptarë me në krye peshkopin e tyre, Pjetër Bogdanin e përshëndetën me breshëri të shtënash. Gjenerali kërkoi nga shqiptarët, që hynin në ushtrinë austriake t’u bindeshin oficerëve austriakë dhe të mbanin armët, ndërsa të tjerët duhej të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Burimet austriake, angleze e papale pohojnë se pranë Pikolominit ishin mbi 20000 shqiptarë.

Pas vdekjes së gjeneral Pikolominit në nëntor 1689, qëndrimi i shqiptarëve ndryshoi për disa arsye. Në radhë të parë ndikoi këtu qëndrimi i pasardhësve të Pikolominit dhe oficerëve të tjerë austriakë. Ata filluan t’i trajtojnë keq shqiptarët. Në një ditar anonim thuhej: “Pikolomini në çastet e fundit i dorëzoi komandën dukës së Holshtajnit. Pas kësaj punët morën një pamje krejt tjetër, sepse timonieri kishte mbaruar dhe anija do të lundronte në det sipas dëshirave të erërave, siç duket drejt mbytjes”. Duka i Holshtajnit i pa në fillim shqiptarët me mospërfillje e xhelozi dhe pastaj u soll ashpër me ta. Negativisht ndikoi edhe vdekja e arkipeshkvit të Shqipërisë Pjetër Bogdanit, i cili ishte përpjekur disa herë për të zbutur pakënaqësinë e bashkëatdhetarëve të vet. Kontributi i Pjetër Bogdanit jepet kështu në ditarin anonim: “Në mënyrë që çështjet tona të mund të pësonin një goditje të rëndë, deshi perëndia që të vdiste arqipeshkvi i Arbërisë”. Megjithatë mjaftë shqiptarë vazhduan t’i mbesnin besnikë qeverisë austriake dhe morën pjesë në disa beteja. Shtrirja e kryengritjes shqetësoi Portën e Lartë e cila më 1 dhjetor 1689 njoftonte: “Në rast se do të vazhdojë kryengritja e arbërve, i gjithë vendi do të rrënohej deri në Durrës dhe ndoshta edhe Greqia do të pësojë shumë dëme, sepse shtetasit po çohen në kryengritje”.

Duke parë potenicalin ushtarak të shqiptarëve dhe gatishmërinë e tyre, Tome (Thoma) Raspari, vikar françeskan për Shqipërinë, e këshilloi perandorin austriak të shpërndante diploma perandorake, drejtuar popujve të Ballkanit ku t’u premtohej njohja e të gjitha privilegjeve, njohja e krerëve të tyre, zgjedhja e lirë e vojvodëve (komandantëve ushtarakë), ushtrimi i lirë i fesë, përjashtimi nga detyrimet dhe nga pagesat në të holla. Me këto kushte shqiptarët do të ngriheshin me armë në dorë pëkrah austriakëve. Perandori austriak Leopoldi I bazuar në këtë propozim, duke marrë parasysh edhe ndihmesën e mëparshme të shqiptarëve më 6 prill 1690 lëshoi një thirrje drejtuar popujve të Ballkanit, në të cilën në krye radhiteshin shqiptarëtdhe u kërkonte të rroknin armët kundër osmanëve.
Me ushtrinë austriake u larguan nga Serbia e Kosova shumë kryengritës, besnikë të Austrisë. Mbi këtë fakt u ngrit teza e historiografisë serbe mbi të ashtuquajturën: “Shpërngulje të madhe të serbëve nga Kosova dhe mbi popullimin e saj nga shqiptarët”. Është e vërtetë se midis atyre që u tërhoqën së bashku me ushtrinë austriake ishte edhe patriarku i Pejës Arsen III Cërnojeviçi, së bashku me disa murgjër që nëpërmjet Jenipazarit e Studenicës u Vendos në Panoni. Por serbët që u larguan me të nuk ishin aq të shumtë në numër sa të bëhet fjalë për një shpërngulje të madhe të tyre nga Kosova në ato vise.

Dokumentet e Komandës së Lartë Ushtarake tregojnë se forcat që u vunë në përkrahje të austriakëve ishin dy grupe kryesore: Shqiptarët dhe serbët. Edhe ndër të shpërngulurit që nuk kalonin numrin e 10 mijë njerëzve shqiptarët përbënin një numër të madh. Sipas një interpretimi termi “Serb” që përdorej në dokumente i referohej shqiptarëve ortrodoksë që bënin pjesë nën juridiksionin e Kishës së Pejës.


Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë. Historia e Popullit Shqiptar I. (Tiranë, Toena, 2002), 579-583.

Shumë historianë serbë besojnë se ky eksod i serbëve nga Kosova i njohur si “Velika Seoba” (“Shpërngulja e madhe”) ishte 500 mijë apo edhe “Mbi 500 mijë veta”. Rëndësia e saj ka të bëjë pjesërisht me debatet rreth historisë etniko-demografike të Kosovës: Pretendohet se para vitit 1690, shqptarët kishin qenë vetëm pakicë e parëndësishme në Kosovë (ose nuk kishte fare shqiptarë) dhe se vetëm pas eksodit të serbëve, shqiptarët, shqiptarët u zborgjën në masë për ta mbushur zbrazëtirëne e krijuar. Mirëpo, rëndësia e “Shpërnguljes së Madhe” nuk mund të përkufizohet vetëm në aritmetikën demografike; ajo është pjesë esenciale e mitologjisë fetare dhe kombëtare serbe.

Serbët pretendojnë poashtu se arqipeshkvi katolik shqiptar Pjetër Bogdani nuk pati kurrfarë lidhjesh me ngritjen dhe organizimin e popullit; i vetmi prijës fetar që e bëri një punë të tillë ishte patriarku Arsenije, i cili e takoi gjeneralin austriak me të arritur ai në Prizren në nëntor 1689.
Sipas pohimit kryesor të shqiptarëve, kryengritësit vendës kundër sundimit osman kanë qenë pothuajse të gjithë shqiptarë. Thuhet, po ashtu, se kreu fetar, i cili u takua me gjeneralin austriak, në nëntor, në në Prizren ishte arqipeshkvi Bogdani, ndërkohë që patriarku serb as që ndodhej në atë kohë në Kosovë.


Noel Malkolm. Kosova një histori e shkurtër e një treve ballkanike. (Prishtinë, Koha, 2011), 197-198.

Pastaj Pikolomini me ushtri u nis për në Kosovë, në Lipjan. Atij iu bashkua edhe Pjetër Bogdani. Shumë shpejt u sëmurën të dy nga murtaja.Kështu të sëmurë, mbajtën takim me patriarkun serb Arsenije III Cërnojeviçin, me të cilin biseduan për nevojën e organizimit të kryengritësve shqiptarë dhe serbë sipas regjimenteve, sipas modelit të ushtrisë austriake. Pastaj, Pjetër Bogdani u transferua në Prishtinë për shërim nga mjekët austriakë, ku vdiq më 6 nëntor. U varros në Prizren në ditën kur ushtria hyri në qytet. Turqit e zhvarrosën varrin e tij, kurse pjesët e mbetura të trupit ua hodhën qenve në mes të tregut të atjeshëm.

Petrit Imami. Serbët dhe shqiptarët ndër shekuj. Beograd, Samidzat, 2016, 116.


1689 Kosova në Luftën e Madhe Turke të 1683-1699

Piccolomini (4 Nëntor) vazhdoi marshimin e tij dhe mbërriti më 6 nëntor, siç u raportua më herët, në Prizren, Kryeqyteti i Shqipërisë, ku u mirëprit nga Kryepeshkopi [36r] i atij vendi dhe nga Patriarku i Klementës me ceremonitë e tyre të ndryshme fetare.

Jashtë Prizrenit qëndronin të paktën 6000 trupa shqiptarë bashkë me të tjerë që kishin qenë të paguar nga turqit dhe njihen si Arnautë. Kur trupat gjermanë marshuan pranë tyre, ata gjuajtën tri herë me armë zjarri si shenjë kënaqëse dhe më pas u betuan për besnikëri ndaj Perandorit sipas zakonit të tyre. Piccolomini kishte mbi 20,000 raskianë dhe shqiptarë nën urdhërat e tij, të gjithë burra me temperament luftarak, të cilët në përputhje me vullnetin e gjeneralit ishin të gatshëm të ndërmerrnin çdo përpjekje, sado e madhe të ishte.

Konti nuk harroi të këshillohej me kryepeshkopin dhe udhëheqësit e tjerë gjermanë nëse duhet t’i besonte një grupi të tillë burrash që kishte ndryshuar anët dhe ishte tri herë më i madh se forcat e tij. Megjithatë kryepeshkopi, jo vetëm që e siguroi atë, por edhe e inkurajoi atë që të ndiqte rrugën e tij fitimtare me këta trupa etnikë dhe kështu ai dha urdhra dhe udhëzime të ndryshme për të siguruar para dhe ushqim të mjaftueshëm për të mirëmbajtur një milici të tillë, duke mos e rënduar shumë popullësinë, nga të cilët shpresonte të kishte ndihmë më vonë.

[Ekstrakt nga Annotationses und Reflexiones der gloriosen kayserlichen Waffen im Jahr 1689. në: Arkivat e Shtetit Austriak (Österreichisches Staatsarchiv), Arkivat Ushtarake (Kriegsarchiv), Vjena, AFA, Carton 195, 1689-13-1, fol. 32r-49r. Përkthyer nga gjermanishtja nga Robert Elsie.]

http://www.albanianhistory.net/1689_Kosovo-Turkish-War/index.html

Pjeter Bogdani-dokumentar.

Ndryshimi i kufijve të Perandorisë Osmane në Ballkan 1683-1923

https://legacy.lib.utexas.edu/maps/historical/ottoman1683_shepherd.jpg