Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, 2010

VENDIMI I GYKATËS NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË MË 2010 PËR KOSOVËN

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me qendër në Hagë të Holandës ka 15 gjyqtarë, të cilët zgjedhen nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me shumicë votash dhe miratohen me votën unanime të të pesë shteteve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit.  Gjykata Ndërkombëtare është një instrument i drejtësisë së Kombeve të Bashkuara. Vendimet e saj nuk janë inponuar, por edhe nuk janë kontestuar sa i përket legjitimitetit të mbështetur në ligjet e së drejtës ndërkombëtare.

Kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë shpalli më 22 korrik 2010 vendimin për Kosovën shumë njerëz u befasuan. Në Beograd, Moskë dhe të gjithë ata që ishin shprehur kundër ndërhyrjes së NATO-s për zgjidhjen e konfliktit prisnin që Haga të vendoste në favor të kërkesës së Serbisë, ajo në shtator të vitit 2008 kishte dërguar një kërkesë për të marrë opinionin e kësaj gjykate rreth legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës. GJND-ja shpalli me 10 vota pro, 3 abstenime dhe një votë kundër vendimin e saj, sipas së cilit pavarësia e Kosovës është legjitime dhe e mbështetur në trzolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të 10 qershorit 1999.

Deri në këtë kohë (22 korrik, 2010), Kosovën e kishin njohur 69 vende. Më pas ritmet  e njohjeve të pavarësisë u shtuan. Në Beograd dhe në Moskë kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës reaguan me nervozizëm duke u shprehur se vendimi i GJND-së për Kosovën do të shkaktojë një reaksion zingjir në të gjitha vendet, ku pakicat kërkojnë shkëputje. Me të njëjtën gjuhë u shpreh presidenti i Serbisë Boris Tadiç dhe ministri i jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiç. Ndërsa presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thoshte se Gjykata mënjanoi të gjitha dyshimet për parregullsinë e shpalljes së pavarësisë. Kurse, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, e quajti vendimin e Hagës vendimtar për ardhmërinë e Kosovës.

Vendimi i Gjykatës në rastin e Kosovës u mor pasi kjo gjykatë mori çështjen në shqyrtim përmes një vendimi të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të shtatorit 2008, pasi Asambleja e Përgjithshme shqyrton vetëm mosmarrëveshjet midis dy shteteve. Derisa Kosova nuk kishte ulëse në OKB, Serbia nuk mund të sillte një padi të tillë, sa kohë konflikti nuk ishte ndërshtetëror. Kritikët veçojnë faktin se Gjykata nuk ka asnjë mjet për të detyruar palët për respektimin e vendimit, që do të thotë se vendimi i GJND-së për Kosovën ka karakter rekomandimi dhe konfirmimi të së drejtës, por nuk shërben si mjet detyrimi për Serbinë, që ajo ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Vendimi në favor i GJND-së i ka ndihmuar autoritetet dhe institucionet e Prishtinës që të këmbëngulin në të drejtën e tyre për të refuzuar çdo tentativë të rikthimit në diskutim të statusit të Kosovës.

Enver Bytyçi. Diplomacia imponuese e NATO-s në Kosovë. (Tiranë, Instituti i Studimeve të Evropës Jublindore, 2012), 259-265.


Ky dokument (Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë) tregon se e drejta ndërkombëtare nuk është e drejtë statike dhe nuk i takon vetëm procesit të shkolonizimit. Gjykata Ndërkombëtare ka mbështetur legjitimitetin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, pasi ajo është shpallur nga përfaqësuesit legjitimë të zgjedhur të popullit. Pavarësia e Kosovës ka qenë rrjedhojë logjike pas shkatërrimit të Jugosllavisë dhe duke respektuar të drejtën e vetëvendosjes së popujve.  Ajo nuk është akt secesionist, por rast i koordinimit ndërkombëtar për zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu pavarësia e Kosovës është veprim logjik zingjiror në relacionin Rambuje, Rezoluta 1244, Korniza Kushtetuese 2001, Pakoja e Ahtisarit për të arritur deri te shpallja e pavarësisë.

Reshat Nurboja. Çështja e Kosovës dhe diplomacia ndërkombëtare 1990-2010. (Tiranë, Universiteti i Tiranës, 2018), 114-115.  (Disertacion doktorate)


Me nismën e Serbisë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi më 8 tetor 2008 Rezolutën 63/3, pënnes së cilës, bazuar në nenin 96 të Kartës së OKB-së dhe në nenin 65 të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i kërkohej kësaj të fundit të jepte mendim konsultativ lidhur me pyetjen: ”A është Deklarata e njëanshme e Pavarësisë, e marrë nga institucionet vetëqeverisëse të Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”.

Në bazë të nenit 66/1 të statutit të saj, Gjykata njoftoi të gjitha shtetet për këtë kërkesë, duke u kujtuar të drejtën që kishin për të marrë pjesë në gjykim. Bazuar në nenin 66/2 të statutit, ajo përcaktoi datën 17 prill 2009 si afatin e fundit për paraqitjen e mendimeve me shkrim nga shtetet e interesuara, ndërsa në bazë të nenit 66/4 përcaktoi datën 17 korrik 2009 si afatin e fundit, brenda të cilit shtetet dhe organizatat që kishin paraqitur më parë mendimet me shkrim të mund të bënin edhe komente me shkrim rreth mendimeve të paraqitura nga subjektet e tjera. Nga ana tjetër, Gjykata vendosi të ftonte edhe ”autorët e Deklaratës së Pavarësisë” për të paraqitur mendime dhe komente me shkrim, pasi kontributi i tyre vlerësohej se do të ishte i vlefshëm për vendimmarrjen e saj. Mendime rreth çështjes paraqitën 38 shtete, ndërsa komente me shkrim mbi mendimet e shteteve të tjera, 15 shtete. Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës morën pjesë në të dyja procedurat.

Më 8 qershor 2009, Gjykata njoftoi OKB-në dhe të gjitha shtetet e saj anëtare se seanca  gojore për gjykimin e çështjes do të çelej më 1 dhjetor të atij viti. Ajo theksonte se ato mund të merrnin pjesë në këtë fazë të gjykimit, pavarësisht nëse kishin paraqitur ose jo mendime dhe komente me shkrim.

Në seancën gojore, që filloi me 1 dhjetor 2009, paraqitën mendime dhe komente 29 shtete. Për palën shqiptare, mendimet dhe komentet për themelin e çështjes i paraqiti profesori i shquar gjerman Jochen Frowein, Drejtor Emeritus i Institutit Max — Planck për të Drejtën Kushtetuese dhe Ndërkombëtare në Heidelberg të -Gjermanisë, si dhe prof. Terry Gill i Universitetit të Amsterdamit. Është interesant të theksohet se në seancën gojore morën pjesë të gjithë gjyqtarët e GJND-së (15 gjyqtarë), por më pas, me 28 maj 2010, gjyqtari Shi dha dorëheqjen nga gjykata. Për këtë arsye, në vendimmarrjen përfundimtare të gjykatës janë 14 gjyqtarë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e dha mendimin e saj këshillimor më 22 korrik 2010, duke deklaruar me 10 vota pro dhe 4 kundër se ”Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk cënon normat e së drejtës ndërkombëtare”

Gjykata thekson në fillim se veçanërisht gjatë gjysmës së dytë të shekullit 20 ”e drejta ndërkombëtare për çështjen e vetëvendosjes është zhvilluar në mënyrë të tillë saqë u ka njohur të drejtën e pavarësisë popujve në territoret ku nuk qeverisnin vetë, si dhe popujve të vendosur nën zgjedhën, sundimin dhe shfrytëzimin e huaj” dhe se ”një numër i madh shtetesh janë krijuar si rezultat i ushtrimit të kësaj së drejte”. Megjithatë, ajo vuri në dukje se ka pasur edhe shembuj të tjerë të deklarimit të pavarësisë jashtë këtij konteksti dhe se ”praktika e shteteve nuk e ka shtruar çështjen e adoptimit të një norme të re të së drejtës ndërkombëtare për ta ndaluar deklarimin e pavarësisë në këto raste”. Më pas, duke bërë interpretimin e Rezolutës 1244, gjykata thekson se objekti dhe qëllimi i Rezolutës …ishte krijimi i një regjimi juridik të veçantë dhe të përkohshëm, i cili, për shkak të shtrirjes dhe efekteve që i njihen shprehimisht, zë vendin e rendit juridik serb. Regjimi juridik që u vendos synonte stabilizimin e Kosovës gjatë periudhës së përkohshme (tranzitore).

Gjykata .më pas i kthehet çështjes nëse Rezoluta 1244 (1999) apo aktet e miratuara më pas, në bazë e për zbatim të saj, ndalonin në mënyrë specifike shpalljen e një deklarate për pavarësi. Për këtë qëllim, ajo theksoi se fillimisht duhet të përcaktojë saktësisht se kush e shpalli Deklaratën e Pavarësisë në rastin konkret. Në përcaktimin e saktë të identitetit të autorëve të Deklaratës së Pavarësisë të 17 shkurtit 2008, synohej të sqarohej nëse ai ishte akt i miratuar nga Kuvendi i Kosovës si një nga institucionet e përkohshme vetëqeverisëse të krijuara nga Korniza Kushtetuese, apo nga persona që kishin vepruar me një cilësi tjetër. Për këtë çështje gjykata arrin shumë shpejt përfundimin se”autorët e Deklaratës së Pavarësisë… nuk e ndërmorën këtë veprim në emër të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse brenda Kornizës Kushtetuese, por si persona që së bashku vepruan në cilësinë e tyre si përfaqësues të popullit të Kosovës, jashtë kuadrit të administratës së përkohshme”.

Pas këtij arsyetimi, gjykata merret me çështje nëse autorët e Deklaratës së Pavarësisë kishin vepruar në kundërshtim me Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit. Kjo çështje kishte qenë, në fakt, ndër problemet më të debatuara gjatë seancës me shkrim dhe seancës gojore. Për këtë qëllim gjykata paraqet në vendim në detaje dispozitat respektive të Rezolutës 1244 (1999), për të vlerësuar më pas nëse përmes saj ndalohen autorët e Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 për të deklaruar pavarësinë nga Republika e Serbisë. Ajo thekson fillimisht se Rezoluta nuk përmban ndonjë dispozitë lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës ose lidhur me kushtet e përcaktimit të saj. Sipas gjykatës, praktika bashkëkohore e Këshillit të Sigurimit tregon se ”kur Këshilli i Sigurimit ka vendosur kushte kufizuese (restrictive conditions) për statusin përfundimtar të një territori, këto kufizime  përmenden shprehimisht në rezolutën respektive… Prandaj, në rastin konkret, sipas vetë përcaktimeve të Rezolutës 1244 (1999), konstatohet qartë që Këshilli i Sigurimit nuk ia ka rezervuar vetes të drejtën e zgjidhjes përfundimtare të situatës në Kosovë, duke heshtur, gjithashtu, edhe për çështjen e kushteve në përcaktimin e statusit final të Kosovës”. Për këto arsye, gjykata arrin në përfundimin se Rezoluta 1244 (1999) ”nuk pengon shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, sepse këto dy akte veprojnë në nivele të ndryshme: në ndryshim nga Rezoluta 1244 (1999), Deklarata e Pavarësisë është një përpjekje për të përcaktuar përfundimisht statusin e Kosovës”.

Në përfundim të arsyetimit të mësipërm, në mënyrë të përmbledhur, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë thekson se “…Miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 nuk cënon të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit, si dhe Kornizën Kushtetuese. Për pasojë, miratimi i kësaj Deklarate nuk cënon asnjë normë të zbatueshme të së drejtës ndërkombëtare”. Sipas praktikës së shteteve, nuk ka një ndalim të përgjithshëm për të shpallur pavarësinë; Nga praktika e Këshillit të Sigurimit nuk rezulton të këtë një ndalim të përgjithshëm për deklarimin e pavarësisë; Çështjet që kanë të bëjnë me shtrirjen e së drejtës për vetëvendosje dhe ekzistencën e një të drejte ”për shkëputje përfundimtare” janë jashtë hapësirës së pyetjes së shtruar para gjykatës nga Asambleja e Përgjithshme; E drejta e përgjithshme ndërkombëtare nuk ka ndonjë dispozitë që ndalon deklarimin e pavarësisë; Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit 2008, nuk cënon të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.

Xhezair Zagonjori. Mendimi Këshillimor i GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës 22 korrik 2010.
https://studioligjore.wordpress.com/2012/03/20/mendimi-keshillimor-i-gjnd-se-per-deklaraten-e-panvaresise-se-kosoves-22-korrik-2010/


Vendimi politik i Gjykatës së Drejtësisë

Gjatë orëve të natës me fishekzjarre në qendër të qytetit do të festohet vendimi i GjND-së. Përndryshe, disa qindra serbë nga veriu i Kosmetit u mblodhën në sheshin Šumadija në Mitrovicë që të dërgojnë porosinë që „serbët të mbeten në Kosmet në vendin e vet dhe në përbërje të Serbisë si të vetmin shtet që e pranojnë“. Mirëpo, ka mundur të vërehet që kanë qenë të dërrmuar dhe që pas disa fjalive, midis të tubuarve mbretëroi një heshtje.

Në të njëjtën kohë, besimtarët ortodoks u mblodhën në manastire dhe kisha në Kosovë ku u shërbye një lutje dhe ku u transmetuan fjalët e patrikut Irinej, i cili i bëri thirrje popullit serb të jetë i qetë dhe i bashkuar dhe që si unik t’i kontribuojë përpjekjeve të Serbisë për mbrojtjen paqësore të Kosovës dhe Metohisë. Sipas të dhënave zyrtare të Shërbimit Policor të Kosovës nuk ka pasur incidente. Komanda e KFOR-it e përsëriti komunikatën në të cilën theksohet që ushtarët janë prezent në terren dhe që do të mbeten të dukshëm me qëllim që të parandalojnë çfarëdo lloj dhune. „Nuk duam të kërcënojmë, por po ju paralajmërojmë që KFOR-i do të parandalojë çdo incident“, komunikoi komandanti i KFOR-it Markus Bentler.

Blic, 23.07.2010
https://www.blic.rs/vesti/politika/politicka-odluka-suda-pravde/xt965je

Kuvendi e miratoi vendimin e Qeverisë

Tadić: Ta privoni Serbinë nga konfliktet nacionale

Kryetari i Serbisë Boris Tadić deklaroi në Kuvendin e Serbisë që qëllimi i tij ta privojë Serbinë nga konfliktet nacionale në të cilat ka qenë e përfshirë ajo me dekada, jo vetëm me fqinjët, por edhe me fuqitë e mëdha.

“Nuk është koha për patriotizëm të madh, është koha për vepra të mëdha”, tha Tadić në fund të diskutimit dymbëdhjetëorësh të mbledhjes së jashtëzakonshme për Kosovën.

“Serbia, çfarëdoqoftë ajo dhe kushdo që ta udhëheq, duhet të ketë marrëdhënie sa më të mira të mundshme me fuqitë e mëdha, sepse çfarëdo politike tjetër e shpie Serbinë direkt në shkatërrim, kurse qytetarët në varfëri të re”, theksoi.

“Qytetarët e Serbisë me një politikë të tillë do të shkonte kah një varfëri e re dhe ne nuk do të ishim në gjendje t’i mbrojmë interesat tona nacionale”, porositi presidenti i Serbisë.

Tadić vlerësoi që çështja e Kosovës është “sfidë e gjeneratës sonë”, dhe që çështja nacionale shqiptare është një temë legjitime dhe e rëndësishme për çështjen nacionale serbe.

Duke përkujtuar që gjatë 50 viteve të fundit, që nga viti 1968, në parlamentin serb po zhvillohe një diskutim i vështirë, e që ende nuk është gjetur përgjigjja për Kosovën e Metohinë, Tadić vuri në dukje që është me rëndësi që të arrihet niveli më i lartë i mundshëm i dakordimit për temat që e mundonvSerbinë – kurse Kosova është gjithsesi njëra nga këto tema.

RTS, 26 korrik 2010

Klinton: Serbia dhe Kosova duhet t’i lënë anash dallimet

WASHINGTON (Reuters) – Serbia dhe Kosova duhet t’i lënë anash dallimet e tyre tani që Gjykata Ndërkombëtare konkludoi se shkëputja e njëanshme e Kosovës nga Serbia më 2008 nuk cënonte të drejtën ndërkombëtare, deklaroi të enjten Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë dha opinionin joimponues, një goditje për Serbinë, e cila humbi kontrollin mbi Kosovën më 1999 kur NATO e bombardoi për të ndalur vrasjet e shqiptarëve etnikë në një luftë dyvjeçare.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve që të lëvizin përtej çështjes së statusit të Kosovës dhe të angazhohen konstruktivisht në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Ballkan, dhe thërrasim ato shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë,” potencoi Klinton në një deklaratë me shkrim. Reuters, 22 korrik 2010.
https://www.reuters.com/article/us-serbia-kosovo-clinton-idUSTRE66L4NZ20100722

TADIĆ: VENDIM I VËSHTIRË POR MBROJTJA E INTERESAVE NË KOSOVË ËSHTË DETYRË SHTETËRORE PËR TË GJITHË 

BEOGRAD, 22. korrik (Tanjug) Kryetari Tadić deklaroi që vendimi i GjND-së është “i vështirë për Serbinë”, por që është e qartë që gjykata nuk është deklaruar për të drejtën për shkëputje. Tadić tha që GjND-ja në këtë mënyrë ia ka lënë çështjen e Kosovës KS të OKB-së, duke nënvizuar që Serbia nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe që do të vazhdojë që përmes rrugës juridike dhe paqësore të luftojë për krahinën e saj. “Mbrojtja e interesave të Serbisë në Kosovë është detyrë kombëtare dhe shtetërore për të gjithë qytetarët dhe institucionet shtetërore, si dhe për të gjitha partitë politike dhe kjo nuk guxon të jetë çështje e politikës ditore”, theksoi ai. Tadić tha që Serbia ka një plan të qartë të aktiviteteve diplomatike dhe që qysh gjatë fundjavës Serbia do të dërgojë të dërguarit special në 55 shtete të botës, me porosi të presidentit të Serbisë për presidentët dhe kryeministrat e atyre shteteve. Ai po ashtu tha që vendimi i gjykatës, nëse do të ishte ashtu siç po prezantohet në Prishtinë, do të kishte “implikime të rrezikshme në lëvizjet secesioniste kudo në botë”. Duke folur për mendimin e sotëm këshilldhënës të GjND-së, kryetari i Serbisë tha që gjykata është deklaruar vetëm për “përmbajtjen teknike të deklaratës së pavarësisë”, kurse ka shmangur të deklarohet për çështjen thelbësore të shkëputjes. “Teksti i deklaratës në vetvete nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare, sepse edhe as nuk e prek. Gjykata ia ka lënë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të nxjerr konkluzionin politik e me këtë i hapet mundësia Serbisë që për korrektësinë e politikës së saj të luftojë në seancën vjeshtore të OKB-së”, theksoi ai. Ai shtoi se Serbia do të bëjë çdo përpjekje për të miratuar propozim rezolutën serbe në OKB. “Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe ne kemi një plan të qartë të aktiviteteve diplomatike në ditët në vijim,” tha ai. Sipas fjalëve të tij, në periudhën e ardhshme do të ketë presion në shumë vende që ta njohin Kosovën para deklarimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, por Serbia do të bëjë gjithçka që njohje të tilla sa më pak. Sipas fjalëve të tij, është thelbësore që tani në Kosovë dhe Metohi…
http://www.mfa.rs/Srpski/Bilteni/Srpski/b230710_s.html

Në seancat dëgjimore të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka marrë pjesë edhe shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni. Hagë, dhjetor 2009.
https://www.evropaelire.org/a/2102882.html

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni (djathtas)  dhe Ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiç (i dyti majtas) duke pritur vendimin në sallën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi legjitimitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Hagë 22 korrik, 2010.
https://www.rferl.org/a/UN_Court_Says_Kosovo_Independence_Did_Not_Violate_International_Law/2107090.html

Artikujt e gazetës Koha Ditore 2009 dhe 2010

Karikatura të gazetës Koha Ditore, autor Jeton Mikullovci

Dokumentet e OKB-së dhe BE-së në përgjigje të Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe gatishmëria e BE-së për të lehtësuar bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Declaration by High Representative Catherine Ashton on behalf of the European Union on the ICJ Advisory Opinion. She states that the dialogue would be to promote cooperation, achieve progress on the path to Europe and improve the lives of the people, 22 July 2010.

UN General Assembly Resolution welcoming talks EU-mediated between Kosovo and Serbia, 8 September 2010.

Serbët dhe shqiptarët në pritje të vendimit të GJND-së

Kosova në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë