Deklarata e Pavarësisë 2008

Leximi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës 17 shkurt 2008
https://www.koha.net/arberi/76151/17-shkurt-2008-dita-kur-kosova-shpalli-pavaresine/

Sulmet e NATO-s në Kosovë shënuan fundin e një kohe dhe fillimin e një epoke të re. Ndërhyrja  e NATO- për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë ishte kusht i domosdoshëm për realizimin e politikës së sigurisë në Kosovë. Nëse shqiptarët do të liheshin në mëshirën e fatit, atëherë konflikti do të vazhdonte me dekada. Një ndër tiparet e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë është fakti se për herë të parë morën përparësi të drejtat njerëzore, komunitare, qytetare e kombëtare të një populli në raport me sovranitetin e një shteti, i cili ushtroi dhunë dhe terror mbi qytetarët e një kombësie të ndryshme nga popullsia shumicë.

Statusi i Kosovës u vendos më 17 shkurt 2008 me shpalljen e pavarësisë së saj. Kosova e shpalli pavarësinë, duke u mbështetur në rekomandimet e ndërmjetësit ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të saj, Martti Ahtisaarit. Sipas planit të Ahtisaarit, Kosova mbetet një vend multietnik, me një decentralizim të dukshëm të saj në pikëpamje të ushtrimit të kompetencave nga ana pushtetit lokal. Ky plan i jep një status të veçantë objekteve historike e fetare serbe në Kosovë dhe krijon një kornizë ligjesh me të cilat favorizohet sidomos pakica serbe në Kosovë. Lufta e Kosovës dhe pavarësia e saj i kanë dhënë një dimension të ri marrëdhënieve e stabilitetit rajonal. Kosova ka si sfidë të saj vendosjen e autoritetit të saj dhe të institucioneve e të shtetit ligjor në Veriun e Mitrovicës. Kjo e vështirëson integrimin dhe bashkëpunimin në rajon dhe pengojnë marrëdhëniet e tensionuara midis Kosovës dhe Serbisë.

Revista Studime Historike, nr.1-2, Tiranë, 2013. Enver Bytyçi. Diplomacia imponuese e NATO-s në Kosovë. 219-222.


Kur të gjitha përpjekjet për të bindur Serbinë që të pranonte Pakon e Ahtisarit dështuan, në Kosovë filluan përgatitjet intenzive për shpalljen e pavarësisë. Të gjitha përgatitjet për shpalljen e pavarësisë filluan të bëhen në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, në veçanti me shtetet e fuqishme të Perëndimit. Deklarata e Pavarësisë së Kosovës përfundimisht shpallet nga parlamenti i Kosovës më 17 shkurt 2008.

Në përmbajtjen e saj, Deklarata e Pavarësisë, koncepton arsyet e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Duke nisur nga kërkesa dhe përcaktimi i popullit të Kosovës për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj, në deklaratë po ashtu potencohet zotimi për t’u përballur me të kaluarën e trishtuar jo të largët në frymë të pajtimit dhe të faljes, dhe përkushtimit për mbrojtjen e diversitetit të popullit të Kosovës. Në deklaratë shprehet edhe mirënjohja ndaj ndihmës ndërkombëtare të ofruar në procesin e rrugëtimit të Kosovës nga viti 1999.  Njëherit, vlerësohen rekomandimet e të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisari, të pasqyruara në dokumentin e njohur si “Pakoja  e Ahtisaarit”, e cila vlerësohet si kornizë gjithëpërfshirëse që garanton zhvillimin e Kosovës në të ardhmen, dhe se kjo përmban standardet më të larta evropiane për të drejtat e njeriut dhe qeverisjen e mirë. Duke u përmbajtur në deklaratën e lartëcekur, përfaqësuesit e popullit të Kosovës, të zgjedhur në mënyrë demokratike, në Seancën e Jashtëzakonshme Plenare,  më 17 shkurt 2008 shpallën Pavarësinë e Kosovës. Deklarata e Pavarësisë,  për Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik, u pranua unanimisht nga të gjithë deputetët  e pranishëm, po ashtu aty është bërë edhe aprovimi për flamurin dhe himnin e saj.

Kërkesa për mbledhje ishte parashtruar nga Fatmir Sejdiu, president i Kosovës dhe nga Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës. Mbledhja filloi pas orës 15:00 dhe në të kanë marrë pjesë 109 deputetë, 10 deputetë serbë dhe 1 goran e kishin bojkotuar mbledhjen.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës e ka për bazë dokumentin themelor të së drejtës ndërkombëtare, në Kartën e Kombeve të Bashkuara, e cila në nenin 2 të saj thekson qartë të drejtën e kombeve për vetëvendosje, parim ky i pranuar dhe i zbatueshëm, në disa raste, kur një komb pavarësohet nga sundimi okupatorial, lirohet nga okupimi, si dhe e drejta e popullsisë shumicë që të mbajë pushtetin  dhe jo e pakicës, ose liria nga aparteidi, parime këto që i japin legjitimitet ndërkombëtar aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Në pjesën hyrëse të Deklaratës së Pavarësisë riafirmon dëshirën për integrime euroatlantike dhe thekson se Kosova është rast sui generis që del nga shpërbërja jokonsensuale e Jugosllavisë dhe nuk paraqet precedent për cilëndo situatë tjetër. Pjesa konstituive numëron disa parime, si  përcaktimi i parë është ai historik dhe solemn dhe është bazuar në përvojën e Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së. Përcaktimi i dytë definon Kosovën si një republikë demokratike, laike, dhe multietnike të udhëhequr nga parimet e mosdiskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë para ligjit. Parimi vijues paraqet deklaratën kryesore të zotimit ndërkombëtar të Kosovës për të implementuar plotësisht obligimet e Kosovës të përmbajtura në Planin e Ahtisaarit. Përcaktimi tjetër vendos parimet kryesore  të kushtetutës së ardhshme të Kosovës dhe zotimin për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të qytetarëve, ashtu siç definohen me Konventën për të Drejtat e Njeriut.

Reshat Nurboja. Çështja e Kosovës dhe diplomacia ndërkombëtare 1990-2010. (Tiranë, Universiteti Europian i Tiranës, 2018), 110-111. (Disertacion doktorate)


Kosova dhe përfaqësuesit e saj gjatë atyre muajve po përgatiteshin dhe po i bashkërendonin përgatitjet e tyre me miqtë ndërkombëtar për shpalljen e pavarësisë. Në prag të 17 shkurtit 2008 ishin bërë të  gjitha përgatitjet për shpalljen e pavarësisë. “Procesi i pavarësimit të Kosovës ka ndjekur një trajektore shumë specifike, duke përfshirë shumë aktorë (OKB, NATO, BE, SHBA dhe vendet e Grupit të Kontaktit) dhe është përmbyllur vetëm kur janë harmonizuar, në masë të plotë, qëndrimet midis këtyre aktorëve të rëndësishëm në vendimmarjen e sotme politike të botës”. Në orën 10:00 (17 shkurt) Kryeministri Thaçi kishte kërkuar nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, të thirrej një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës. Në orën 12:00 ishte mbajtur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, ndërsa në orën 15:00 ishte hapur mbledhja e Kuvendit dhe Shpallja e Pavarësisë. Deklaratën e Pavarësisë e lexoi para deputetëve Kryeministri, Hashim Thaçi. Shpallja e Pavarësisë përshëndetet nga shumë vende të botës dhe shumë shtete tregojnë se janë të gatshme ta njohin. Reagimet dhe kundërshtimet e Serbisë dhe të Rusisë, siç pritej, ishin të ashpra. Shpallja e pavarësisë së Kosovës pati jehonë të gjërë në rajon dhe në botë. “Kryeministri serb Vojisllav Koshtunica e quajti shtetin e pavarur të Kosovës si një shtet falco dhe kritikoi qeverinë amerikane për përkrahjen e pavarësisë së Kosovës. Presidenti serb, Boris Tadiç, kishte shkuar në Nju-Jork për të marrë pjesë në një takim të jashtëzakonshëm të KS të OKB, i cili organizohej me kërkesë të Rusisë. Moska i ka kërkuar OKB-së ta anulojë pavarësinë e Kosovës, por SHBA, Franca, Anglia dhe Belgjika kanë kundërshtuar këtë kërkesë të Rusisë.

Ata që besonin se pas shpalljes së Pavarësisë do të kishte një qeverisje të qartë dhe të mirëfilltë shtetërore në Kosovë, llogaridhënie demokratike dhe qartësi të plotë për të ardhmen e Kosovës nisën të zhgënjehen. Qeverisja në Kosovë po bëhej edhe më e ngatërruar. Autoritetet që po qeverisnin me Kosovën e Pavarur ishin shtuar dhe ngatërruar si kurrë më parë. Me Kosovën tash po qeveriste Qeveria e Kosovës, Zyra Civile Ndërkombëtare, EULEX-i, UNMIK-u dhe Serbia përmes institucioneve të saj paralele në Kosovë! Republika e Kosovës, de fakto, edhe pas Pavarësisë, mbeti e ndarë. “As Qeveria e Kosovës dhe as prania ndërkombëtare dhe misionet e saj nuk kishin kontroll efektiv në Veri të Kosovës. Zyra Civile Ndërkombëtare (ZCN-ICO) dhe përfaqësuesi saj, Piter Fajt, ishin ngarkuar nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) me detyrën e mbikëqyrjes së zbatimit të planit të Ahtisarit, si pjesë përbërëse e Kushtetutës së Kosovës. ZCN dhe Qeveria e Kosovës ishin bartëse edhe të strategjisë për Veriun, ndërsa kjo e para, ZCN, edhe përgjegjëse për krijimin e komunës së Mitrovicës Veriore, në të dy rastet mund të konstatohet se ka pasur dështim në realizim”. Edhe UNMIK-u, pas Pavarësisë, po ngurronte t’i dorëzonte kompetencat e veta te misioni i BE-së për sundimin e ligjit, EULEX. Megjithatë, UNMIK-u ishte i detyruar të bënte rikonfigurimin e tij dhe ripërshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij për të siguruar një prani të përherëshme në Kosovë, sidomos në Veri të Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, sikur ankohej në Këshillin e Sigurimit kur raportonte “se me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, autoritetet kosovare i kanë marrë UNMIK-ut pushtetin në mënyrë efikase”. Megjithë problemet e shumta, paqartësitë dhe autoritetet e misionet e ndryshme, që krijonin jo pak konfuzitet, Kosova dhe institucionet e saj shënuan përparime të “kënaqshme” sa për ta përmbyllur mbikëqyrjen ndërkombëtare. Grupi Drejtues Ndërkombëtar, si duket i (pa) kënaqur me punën e ZCN dhe të përfaqësuesit të tij, shpalli përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Xhevat Bislimi. Kosova dhe plani i Ahtisarit.
http://jp-marredhenienderkombetare.blogspot.com/2014/11/kosova-dhe-marrdheniet-nderkombetare.html


Qeveria e Serbisë- Vendimi për anulimin e akteve kundërligjore të organeve të përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë dhe Metohi për shpalljen e njëanshme të pavarësisë.

Qeveria e Republikës së Serbisë në mbledhjen e mbajtur më 14 shkurt 2008 mori Vendimin për anulimin e akteve kundërligjore të organeve të përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë dhe Metohi për shpalljen e njëanshme të pavarësisë.

Qeveria e Serbisë paraqiti një kërkesë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Asamblesë popullore me Propozimin e vendimit të Asamblesë Popullore të Republikës së Serbisë për konfirmimin e Vendimit të Qeverisë së Republikës së Serbisë për anulimin e akteve të kundërligjshme të organeve të përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë dhe Metohi për shpalljen e pavarësisë së njëanshme.

Teksti integral i “Vendimit për anulimin e akteve të kundërligjshme të organeve të përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë dhe Metohi mbi shpalljen e pavarësisë së njëanshme”, të cilin e ka miratuar sot Qeveria e Serbisë thotë:
Duke u nisur nga fakti që Republika e Serbisë është një shtet i njohur ndërkombëtarisht, një nga themeluesit dhe anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara si dhe anëtare e shumë organizatave tjera ndërkombëtare;

Që në Republikën e Serbisë, si në të gjitha shtetet tjera anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, zbatohen parimet dhe normat e Kartës së Kombeve të Bashkuara me të cilat garantohet dhe sigurohet sovraniteti dhe integriteti territorial i shteteve të pavarura në kufijtë e tyre të njohur ndërkombëtarisht;

Që Republika e Serbisë të garantojë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës së Serbisë si dhe që Kushtetuta e Republikës së Serbisë shprehimisht përcakton që Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Republikës së Serbisë, që e ka pozitën e autonomisë substanciale në kuadër të shtetit sovran të Serbisë dhe që nga kjo pozitë e Kosovës dhe Metohisë të gjithë organet shtetërore, përfshirë këtu edhe Republikën e Serbisë kanë obligim kushtetues që të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat shtetërore të Republikës së Serbisë në Kosovë dhe Metohi;

Që Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë më 26 dhjetor 2007 miratoi Rezolutën për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe rregullimit kushtetues të Republikës së Serbisë, në të cilën përcaktohet që shpallja e pavarësisë së Kosovës, si dhe njohja e pavarësisë së Krahinës nga ana e cilitdo shtet, do të paraqes shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare e para së gjithash Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Aktit përfundimtar të Helsinkit dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Me akte dhe aktivitete të tilla do të cenoheshin direkt sovraniteti, integriteti territorial dhe rendi kushtetues i Republikës së Serbisë;

Që Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara shprehimisht ka paraparë që Kosova dhe Metohia janë pjesë integrale e Serbisë, që e ka konfirmuar „lojalitetin e të gjitha shteteve të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj”, si dhe ai fakt juridik ka qenë shprehimisht i cekur edhe në rezolutat e Këshillit të Sigurimit nr. 1160, nr. 1199, nr. 1203 (deri në vitin 1998. godine) dhe nr. 1239 të vitit 1999;

Duke shprehur lojalitetin pa rezervë ndaj Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe principeve dhe parimeve të barazisë sovrane të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që përbëjnë bazën e Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke respektuar Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në bazë të së cilës është vendosur misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Metohi, si dhe përcaktimi i fuqishëm i Serbisë që të respektohet e drejta ndërkombëtare që përbën themelin e paqes së përgjithshme dhe sigurisë në botë.

Në bazë të Nenit 97 pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë, Nenit 123. Pika 3 e Kushtetutës së Republikës së Serbisë, Nenit 182 paragrafi 2 i Kushtetutës së Republikës së Serbisë dhe Nenit 43 paragrafi 1 të Ligjit për Qeverinë („Gazeta Zyrtare RS”, nr. 55/05 dhe 71/05-përmirësimi dhe 101/07), Qeveria e Republikës së Serbiës sjell këtë.


VENDIM PËR ANULIMIN E AKTEVE TË KUNDËRLIGJSHME TË ORGANEVE TË PËRKOHSHME VETËQEVERISËSE NË KOSOVË DHE METOHI PËR SHPALLJEN E NJËANSHME TË PAVARËSISË

Anulohen aktet dhe veprimet e organeve të përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë dhe Metohi me të cilat shpallet pavarësia e njëanshme, sepse e cenojnë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës së Serbisë të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Serbisë, me Kartën e Kombeve të Bashkuara, me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 të vitit 1999 dhe rezolutat tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si dhe me të drejtën ndërkombëtare që është në fuqi. Këto akte dhe veprime paraqesin shkëputje të dhunshme dhe të njëanshme të pjesës së territorit të Republikës së Serbisë dhe për këtë arsye janë të pavlefshëm dhe të parëndësishëm. Këto akte dhe veprime nuk prodhojnë kurrfarë efekti juridik në Republikën e Serbisë as në rendin e të drejtës ndërkombëtare. Shkëputja e njëanshme e një pjese të territorit të një shteti sovran paraqet një dhunë juridike ndaj Republikës së Serbisë dhe dhunë ndaj të drejtës ndërkombëtare në fuqi.

Qeveria e Republikës së Serbisë edhe me këtë vendim konfirmon se Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë është një pjesë e pandashme e rendit juridik unik dhe të pandarë të rendit kushtetues dhe shtetformues juridiko-shtetëror të Republikës së Serbisë dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Qeveria e Republikës së Serbisë edhe me këtë vendim konfirmon që serbët dhe të gjithë qytetarët e Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë që e pranojnë shtetin e Serbisë janë qytetarë me të drejta të plota dhe plotësisht të barabartë të Republikës së Serbisë dhe që kanë të drejtë të plotë që mos t’i pranojnë aktet e paligjshme për shpalljen e pavarësisë së njëanshme.

Qeveria e Republikës së Serbisë konfirmon gatishmërinë që në territorin e Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet, si dhe rendin e tërësishëm juridik të Republikës së Serbisë.

Qeveria e Republikës së Serbisë kërkon që edhe të gjitha institucionet dhe organet tjera shtetërore të Republikës së Serbisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të ndërmarrin të gjitha masat kushtetuese dhe ligjore me të cilat i ofron dhe i siguron uniciteti dhe pandashmëria e territorit të Republikës së Serbisë e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Serbisë, në përputhje me marrëveshjen tekniko-ushtarake midis Forcave ndërkombëtare të sigurisë (KFOR) dhe Qeverive të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe Republikës së Serbisë.

Duke u thirrur në Rezolutën e Kuvendit popullor të Republikës së Serbisë për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Serbisë, në veçanti në pikën 5 të Rezolutës në të cilën Kuvendi popullor kërkon nga Qeveria e Republikës së Serbisë që me Bashkimin Evropian të përcaktojë që misioni i Bashkimit Evropian nuk mund të vijë në territorin e Republikës së Serbisë, në Kosovë dhe Metohi, pa vendim adekuat të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Qeveria e Republikës së Serbisë i shpall të pavlefshme të gjitha vendimet e organeve të Bashkimit Evropian për dërgimin e misionit në Kosovë dhe Metohi. Si të kundërligjshme, këto vendime për Republikën e Serbisë nuk kanë kurrfarë efekti juridik dhe nuk prodhojnë kurrfarë obligime të Republikës së Serbisë ndaj Bashkimit Evropian as ndaj kujtdoqoftë që do t’i zbatonte ato.

Qeveria e Republikës së Serbisë kërkon thirrjen urgjente të një seance të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilën, në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do të shfuqizohej menjëherë akti i paligjshëm për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së krahinës do të shfuqizohej menjëherë. Qeveria e Republikës së Serbisë kërkon që përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara të ndërmarr të gjitha masat që i ka në dispozicion në përputhje me  Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si dhe ndaj akteve tjera të atij organi të Kombeve të Bashkuara, të parandalojë shkeljen e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe që menjëherë të anulojë të gjitha aktet dhe veprimet me të cilat kundërligjshëm shpallet pavarësia e njëanshme e krahinës, si dhe të parandalojë çdo shkelje tjetër të asaj rezolute, akteve tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe normave dhe rregullave në fuqi të së drejtës ndërkombëtare.

Qeveria e Republikës së Serbisë kërkon nga të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara që të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Serbisë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ky vendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në „Gazetën zyrtare të Republikës së Serbisë”.
https://www.srbija.gov.rs/kosovo-metohija/index.php?id=83040


Politika, 27.03.2008

Ivica Dacic, shefi i grupit parlamentar të SPS-së, tha që e mbështet vendimin e qeverisë sepse socialistët nuk duan të shembin unitetin tepër të nevojshëm dhe shtoi që „për fat të keq, ky është satisfaksioni për politikën që e kanë udhëhequr ndaj Kosmetit, kurse kohën e kemi humbur duke e akuzuar njëri tjetrin”. Ai shtoi që politikanët në Serbi nuk kanë zgjedhje tjetër veçse të refuzojnë grabitjen e një pjese të territorit të tyre. Ai shtoi që Serbia „nuk mund të shikojë me qetësi, do të duhet të intervenojë ushtria dhe policija jonë, nëse KFOR-i nuk mund dhe nuk dëshiron të mbrojë  serbët dhe të parandalojë eksodin e tyre, nëse ata do të sulmohehin ”.

Cedomir Jovanovic, lideri i LDP-së, tha që edhe për LDP-në është e papranueshme shpallja e njëanshme e pavarësisë, që kjo është një „humbje e jona e madhe, nuk është humbja e parë, por ndoshta dhemb më së shumti, për shkak se nëpër të përthyhet plot padrejtësi, ashpërsi dhe për shkak që secili prej nesh po ndjehet si viktimë, sepse secili prej nesh duhet të paguajë çmimin për atë që është bërë në emrin tonë”. Ai theksoi që sot në anën tonë është e drejta ndërkombëtare, por „ne e kemi anashkaluar atë aq herë sa që të tjerët e ndjenë nevojën që ta shkelin të drejtën ndërkombëtare”. Jovanovic tha që nuk mund të mbështes vendimin e qeverisë, që LDP-ja dëshiron marrëveshje me shqiptarët, që kemi nevojë që të ballafaqohemi me veten dhe që LDP-ja është e gatshme që „të punojë bashkarisht ashtu që të ndryshojmë Serbinë, kurse atyre që organizojnë mitingje iu bëj thirrje që të organizojnë zgjedhjet”.


Raporti i BBC-së
DEPUTETËT E KOSOVËS SHPALLIN PAVARËSINË
Në një mbledhje historike, Kuvendi i Kosovës ka miratuar unanimisht shpalljen e pavarësisë nga Serbia.

Festimet kanë vazhduar deri në orët e vona të natës pasi Kryeministri Hashim Thaçi premtoi një demokraci që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve etnike. Kryeministri i Serbisë akuzoi SHBA-në për ndihmën në krijimin e një “shteti fals.” Një ndarje pasoi në Këshillin e Sigurimit kur Rusia theksoi që nuk ka baza për ndryshimin e një resolute të vitit 1999 e cila dorëzonte Kosovën te OKB-ja. Shtatë vende perëndimore potencuan se ishte tejet e qartë se situate kishte ecur përpara.

Që nga mëngjesi, dhjetëra mijëra njerëz dolën nëpër rrugët e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës. Kur lajmi për shpalljen e pavarësisë doli nga Kuvendi, qendra e qytetit shpërtheu me fishekzjarre, të shtëna dhe krisma festive.

Turmat rrethuan një monument të pavarësisë i cili u zbulua gjatë mbrëmjes dhe u nënshkrua nga z. Hashim Thaçi dhe President i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Shqiptarët etnikë festuan zhurmshëm në kryeqytetin maqedonas, Shkup, dhe në Bruksel, jashtë selive të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Granatat e dorës

Shenja e parë e problemeve në Kosovë erdhi nga një zonë etnike serbe të qytetit të tensionuar të Mitrovicës, ku dy granata dore u hodhën në ndërtesat e komunitetit ndërkombëtar. Njëra shpërtheu te një ndërtesë e OKB-së teksa tjetra dështoi të shpërthente jashtë zyrave që do të bëheshin seli e misionit të ri të BE-së.

Në Beograd, demonstruesit hodhën gurë dhe thyen dritaret e ambasadës së SHBA-së gjersa policia tentoi të sprapste një turmë prej 1,000 njerëzish.

Protestuesit, të përshkruar si grupe të rinjsh, sulmuan edhe restaurantin e McDonald-it, ndërtesën e qeverisë serbe dhe ambasadën e Sllovenisë e cila aktualisht mban presidencën e BE-së.

Disa ministra serbë kanë udhëtuar në Kosovë për të shfaqur përkrahjen e tyre për minoritetin etnik serb. 10 deputetë serbë të Kosovës bojkotuan në shenjë proteste mbledhjen për shpalljen e pavarësisë. Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, fajësoi SHBA-në e cila, sipas tij, ishte “e gatshme të cënonte rendin ndërkombëtar për interesat e veta ushtarake.” “Sot, kjo politikë e forcës mendon se ka triumfuar duke krijuar një shtet të rremë,” deklaroi z. Koshtunica.

Kërkimi i barazisë

Shpallja e pavarësisë u përcoll me duartrokitje. Askush nuk e kundërshtoi atë. “Këtë ditë e kemi pritur që një kohë të gjatë,” i drejtua Kuvendit z. Thaçi para se të lexonte tekstin, duke përkujtuar të gjithë ata që dhanë jetën në rrugën drejt pavarësisë. Nga sot, tha ai, Kosova është “krenare, e pavarur dhe e lirë.” “Pavarësia e Kosovës shënon fundin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë,” deklaroi kryeministri. Ai tha se Kosova do të ndërtohet në pajtim me planin e OKB-së të hartuar nga ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari. Prania ushtarake dhe civile dhe ndërkombëtare – e paraparë edhe me Planin e Ahtisaarit – ishte e mirëpritur, deklaroi kryeministri. Në Kosovën e re nuk duhet të ketë frikë të diskriminimit duke e betuar se do eliminonte çfarëdo përvoje të tillë. Deklarata u nënshkrua nga të gjithë deputetët e pranishëm.

Kundërshtimi rus

Këshilli i Sigurimit i OKB-së thirri një mbledhje urgjente në mbrëmjen e së dielës pasi Rusia i kërkoi OKB-së të shpallte ilegale pavarësinë e Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, u kërkoi të gjitha palëve që të mbajnë përkushtimet dhe të parandalojnë dhunën.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitali Çurkin, u tha gazetarëve se rezoluta që lejonte OKB-në të administronte Kosovën që nga vitit 1999, ishte ende në fuqi dhe nuk kishte kurrfarë baze ligjore për ndonjë ndryshim të statusit.

Por shtatë vende perëndimore deklaruan se Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk mund të pajtohej për të ardhmen e Kosovës dhe se ishte shterur çfarëdo përpjekjeje për të arritur ndonjë rezultat të negociuar.

“Shprehim keqardhje që Këshilli i Sigurimit nuk mund të pajtohet për të lëvizur përpara, por ky bllokim ka qenë i qartë për muaj të tërë,” deklaroi ambasadori i Belgjikës në OKB, Johan Verbeke. Ai dha deklaratën në emër të Belgjikës, Francës, Britanisë së Madhe, Kroacisë, Gjermanisë dhe të Shteteve të Bashkuara.

Kufizimet e pavarësisë

Deklarata e miratuar nga Kuvendi i Kosovës përmban kufizime në pavarësinë e Kosovës, siç ishte përcaktuar me planin e Ahtisaarit. Kosova, apo pjesë të saj, nuk mund t’i bashkohet ndonjë shteti tjetër. Do të mbikëqyret nga një prani ndërkombëtare. Forcat e saj të armatosura do të jenë të kufizuara dhe do të kujdeset për mbrojten e minoritetit serb.

Njohja nga një numër i anëtarëve të BE-së, përfshirë Britaninë e Madhe dhe vendet e mëdha, do të vinte të hënën pas një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së në Buksel, deklaroi Paul Reynolds i BBC-së. Edhe SHBA-ja deklaroi se do ta njoftonte njohjen e saj të hënën. Tri vende anëtare të BE-së – Qiproja, Rumania dhe Sllovakia – i kanë njoftuar qeveritë tjera të BE-së se ato nuk e njihnin Kosovën, thotë korrespondenti ynë. Ministri i Jashtëm i Rusisë ka treguar se njohja perëndimore e një Kosove të pavarur do të kishte implikime për shkëputjen e provincave gjeorgjiane të Abkazisë dhe Osetisë Jugore.
http://news.bbc.co.uk/1/hi/world/europe/7249034.stm

Prishtinë 17 shkurt 2008, pritja e qytetarëve afër parlamentit për shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës
https://www.evropaelire.org/a/1831406.html

Flamuri dhe stema e Republikës së Kosovës, yjet përfaqësojnë gjashtë komunitetet kryesore etnike, të cilat jetojnë në Kosovë, kurse harta paprekshmërinë e territorit të saj
https://www.podiumi.com/2017/04/26/pse-ka-6-yje-ne-flamurin-e-kosoves/

Monumenti New Born, simbol i lindjes së një shteti të ri-Kosovës

Karikatura të gazetës “Koha Ditore” shkurt 2008, autor Jeton Mikullovci

 

Karikatura të gazetës “Koha Ditore” shkurt 2008, autor Jeton Mikullovci

 

Protestuesit serbë në Beograd, në shenjë revolte sulmuan ambasadën  e SHBA-së  dhe të vendeve të tjera Perëndimore të cilat përkrahën Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, shkurt 2008.
https://www.nytimes.com/2008/02/22/world/europe/22kosovo.html

Shpallja e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës (Pamjet nga AP Archive)

Protestat e dhunshme në Beograd kundër  shpalljes Pavarësisë së Kosovës   (Pamjet nga AP Archive)

Festimet në Kosovë pas shpalljes së Pavarësisë

Blendi Fevziu, dokumentar: Ditët e Kosovës, Pavarësia.