19. Dalja e UÇK-së

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, UÇK, filloi të bëhej gjithnjë e më e dukshme në Kosovë në vitin 1998 pas sulmit ndaj familjes Jashari në Prekaz, edhe pse organizata e saj kishte evoluar më herët. Filloi aktivitetin e saj duke përdorur praktikën tradicionale të guerrilasve, por gradualisht zhvilloi metoda luftarake dhe organizim më konvencional. Në përgjithësi posedoi mbështetje të gjerë popullore në mesin e popullatës shqiptare të Kosovës dhe anëtarësia e saj u rrit pavarësisht dështimeve të saj dhe një numri të madh të humbjeve civile. Krijimi i UÇK-së ishte një përgjigje ndaj dështimit të politikës së rezistencës paqësore të Ibrahim Rugovës. LDK më vonë u përpoq të ngrinte ushtrinë e saj shumë më të vogël, FARK, e cila gjithashtu luftoi gjatë luftës dhe ishte po ashtu në konflikt me UÇK-në.

Më 28 nëntor 1997 u paraqit për herë të parë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila shumë shpejt u bë faktor kryesor i qendresës së armatosur që ndikoi edhe më tej në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Platforma e saj e luftës për liri e pavarësi, për shoqëri të hapur dhe demokraci të zhvilluar u përkrah nga mbarë populli shqiptar.

Lufta çlirimtare e Kosovës u intensifikua dhe mori hov, sidomos pas luftës heroike të familjes Jasharaj në Prekaz, më 5-7 mars 1998. Shaban jashari me të dy bijtë e tij, Hamzën dhe Ademin, dhe me gra, nipa e mbesa, bënë heroizëm të paparë, duke u përballur e duke luftuar me ushtrinë e policinë sërbe, e cila ishte e pajisur me armatimin më modern dhe më të sofistikuar të kohës. Kjo luftë e udhëhequr nga Adem Jashari u bë shembull i qendresës dhe frymëzim i një populli të tërë për liri e pavarësi.

Në një fazë të re lufta e armatosur e UÇK-së hyri pas masakrës së Reçakut (janar 1999) dhe pas dështimit të bisedimeve në Rambuje dhe në Paris. UÇK-ja për të zhvilluar luftë sa më të suksesshme kundër Sërbisë, bëri organizimin dhe krijimin e zonave operative. Kështu u krijua Zona Operative e Drenicës, e Dukagjinit, e Pashtrikut, e Llapit, e Shalës, e Nerodimës dhe e Karadakut.

UÇK-ja gjatë luftës pati mbi 1500 ushtarë që ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës dhe rreth 2000 të plagosur.

Dalja e UÇK-së nuk shënohet fare në tekstet mësimore të historisë në Sërbi.

Noel Malcolm,  Marc Weller

Disa sulme ndodhën që nga vera e vitit 1996 e tutje, duke përfshirë vrasjen e dy policëve në Mitrovicë, një shpërthim bombe në Podujevë dhe një sulm ndaj Rektorit serb të Universitetit të Prishtinës; asnjë organizatë nuk mori përgjegjësinë, dhe shumë shqiptarë mendonin se këto ishin akte artificiale të provokimit. Por, në verën e vitit 1997, një zëdhënës i organizatës që e quante veten ‘Ushtria Çlirimtare e Kosovës’ jepte intervista në Zvicër, ku thoshte se organizata e tij ishte përgjegjëse për disa nga vrasjet e fundit të policëve serbë dhe deklaronte: “Kjo është lëvizje që ka mbështetjen e popullit”. Çfarëdo shkalle të mbështetjes që ka marrë kjo ushtri duhet të interpretohet si shprehje e zhgënjimit popullor për pamundësinë evidente të Ibrahim Rugovës (presidenti i Kosovës dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK) për të fituar ndonjë njohje të re të interesave të Kosovës nga bota e jashtme pas Dejtonit.
Këto sulme fillestare në përgjithësi shënjestronin policinë apo pikat e tjera të sigurisë edhe pse autoritetet e RFJ/Serbisë sugjeronin në atë kohë, me disa justifikime se sulmet ishin pjesë e një strategjie me qëllim të frikësimit të civilëve serbë.

 

Oliver Schmitt, Marc Weller

UÇK-ja doli nga grupet e shpërndara të ekstremit të majtë, të cilat u përmendën më herët, dhe të cilat qenë aktive në fillim të viteve tetëdhjetë, duke simpatizuar ideologjinë e Enver Hoxhës. Në shtratin e kësaj ideologjie ishte një tendencë shqiptaromadhe, mendësia komuniste së shpejti kaloi në plan të dytë. Parakushtin politik për luftën e armatosur e krijoi shkatërrimi i shtetit në Shqipëri (në fillim të vitit 1997), kur nga magazinat e ushtrisë shqiptare u vodhën gjithsej një milion armë, të cilat pastaj u përhapën përmes tregtisë me armë dhe pjesërisht përfunduan në duart e UÇK-së. Në kaosin e vitit 1997 u rrëzua Qeveria dhe presidenti Sali Berisha u detyrua të jepte dorëheqjen, ai kishte mbajtur lidhje të ngushta me lbrahim Rugovën dhe në të shumtën e rasteve kishte mbështetur politikën e tij. Kështu Rugova humbi një mbështetje të rëndësishme mu në momentin kur u sfidua nga UÇK-ja. Pas hapjes së kufirit shqiptar (me rrëzimin e regjimit komunist më 1991), UÇK-ja mund ta përdorte territorin shqiptar si hapësirë të mbrojtur dhe për tërheqje. Po ashtu u ringjallën lidhjet e vjetra familjare në të dyja anët e kufirit. Qyteza të varfra dhe me rrugë të këqija në verilindje të Shqipërisë si: Kukësi, Tropoja dhe Bajram Curri shërbyen si qendra për furnizim me armë, por njëkohësisht ishin edhe nyja për forma të ndryshme të kontrabandës, nga fitimet e së cilës pjesërisht u financua edhe lufta. Tropoja është rajoni prej nga rrjedh Sali Berisha, i cili në vitin 1997 e kishte humbur kontrollin edhe në vatrat e tij të vjetra politike dhe kështu nuk ishte në gjendje t’i mbante nën kontroll kundërshtarët e Rugovës në Kosovë.

Më 28 nëntor 1997 u shfaqën publikisht tre luftëtarë të maskuar me rastin e varrimit të një mësuesi në fshatin Llaushë, i cili do të bëhej qendër e lëvizjes. Mbështetje të theksuar UÇK-ja gëzoi në rajonet tradicionalisht kryengritëse si Drenica dhe Rrafshi i Dukagjinit.

Deri në vjeshtën e vitit 1998 UÇK-ja nuk luftoi si ushtri e organizuar dhe me komandë qendrore: për më tepër ajo ndoqi traditat e vjetra balIkanike të luftës guerile, ngjashëm me kaçakët në fillim të viteve njëzet. Shpesh fjala ishte për mbrojtës katundi, të cilët ishin burra të familjeve të mëdha. Në dimrin e viteve 1997/98 nunri i guerilëve vlerësohej në 2.000. Ata shfrytëzuan klimën dhe territorin: dimrit shumë vende vështirë mund të arriheshin për shkak të rrugëve shpesh të paasfaltuara apo të asfaltuara keq. Automjetet e blinduara policore dhe ushtarake me zor mund të kalonin nëpër këto rrugë. Autoritetet serbe kontrollonin rrugët e asfaltuara, derisa guerilja siguronte furnizimin përmes shtigjeve të vjetra përmes territorit kodrinor nga Shqipëria në Kosovë: si mjete transporti shërbenin mushkat. Lufta pjesërisht u zhvillua me metoda paramoderne. Disa prej përleshjeve më të ashpra u zhvilluan në vitin 1998 gjatë përpjekjes së forcave serbe të sigurisë për t’i mbyllur këto shtigje. Fillimisht lufta iu përshtat edhe kalendarit tradicional dhe klimatik të betejave. Guerilët e mbështetur nga fshatarët u treguan më mobilë, ndonëse sa i përket armatimit ata në këtë fazë ishin në disfavor të madh.

Në etapën e hershme të kryengritjes guerilët u koncentruan në bllokimin e herëpashershëm të rrugëve, sidomos natën, dhe në kryerjen e sulmeve kundër forcave të sigurisë. Reagimi i ashpër i policisë serbe goditi kryesisht popullsinë civile dhe ndikoi që luftëtarë të rinj t’i bashkoheshin rezistencës. Ky model ishte i njohur edhe nga luftërat tjera guerile. Nga fundi i dimrit 1998, Qeveria serbe vendosi ta eliminonte UÇK-në me një ofensive të gjerë. Ajo u mbështet në 30.000 pjesëtarë të armatës dhe të policisë speciale dhe disa qindra paramilitarë dhe mori përkrahje nga popullsia civile serbe, pjesa më e madhe e së cilës ishte e armatosur. Lufta mes fshatrave dhe lufta mes njësive guerile dhe ushtrisë së rregullt zhvillohej paralelisht. Në mars të vitit 1998 njësitë serbe pushtuan “rajonin e çliruar të Drenicës”, gjatë sulmit kundër shtëpisë së familjes Jashari në Prekaz (Adem Jashari ishte njëri nga themeluesit e UÇK-së) u vranë 54 njerëz, shumica e tyre joluftëtarë. Represioni i ashpër ngjalli një solidarizim të madh të popullsisë qytetare shqiptare me kryengritjen, e sidomos me rajonin e Drenicës. Tani e tutje Adem Jashari shihej si martir, kështu kryengritja u pajis me një figurë simbol.

Në vijim UÇK-ja ndryshoi taktikën e saj dhe pa përfillur popullsinë civile filloi t’i sfidonte autoritetet serbe të sigurisë. Me këtë UÇK-ja synonte të tërhiqte vëmendjen ndërkombëtare dhe të arrinte një ndërhyrje të fuqive të mëdha perëndimore. Reagimi serb ishte i ashpër: fshatrat u sulmuan me artileri, më 5 qershor 1998 Juniku u bombardua nga forcat ajrore. Në kufirin shqiptar trupat serbe vendosën një rrip me mina në gjatësi prej 130 kilometrash dhe u përpoqën të krijonin një zonë sigurie të gjerë 10 kilometra, për shkak të pajisjeve pjesërisht të këqija, mungesës së trupave dhe terrenit të vështirë një gjë e tillë nuk mund të realizohej. Në qershor të vitit 1998 UÇK-ja nisi një ofensivë: me këtë rast aty-këtu në Kosovën Qendrore serbët u dëbuan nga vatrat e tyre. Në rrethinën e Gjakovës, në Malishevë dhe në Drenicë guerilja ndihej aq e sigurt, saqë ndërtoi edhe struktura të rregullta administrative. Por këto u shkatërruan mes mesit të korrikut dhe mesit të gushtit nga njësitë e rregullta serbe: në vjeshtë 1998 UÇK-ja ishte pothuaj plotësisht e mposhtur, pjesa më e madhe e luftëtarëve të saj u tërhoqën në Shqipëri. Kështu trupat guerile dukshëm humbën reputacionin te popullsia, e cila ishte e pambrojtur nga represioni serb
edhe pse ndjenja e krizës kombëtare u pa nga disa vëzhgues si krijim i një ndjenje të solidaritetit kombëtar, që shpesh transpozohej tek UÇK-ja, pasi që dukej se ofronte të vetmen strehë ndaj situatës gjithnjë e më dëshpëruese. Tashmë ishin vrarë 2.000 njerëz, 5.000 ishin plagosur, gjithsej 400.000 njerëz ishin arratisur, 40.000 shtëpi ishin shkatërruar: sipas vlerësimeve shqiptare (nga LDK) 95 për qind e viktimave qenë civilë.

 

Kryeministri në ekzil nga radhët LDK-së, Bujar Bukoshi, u përpoq që me mjetet financiare të diasporës të themelonte një ushtri të veten, “Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës – FARK: por komandantët e FARK-ut me gjasë u vranë nga UÇK-ja. Konflikti mes UÇK-së dhe LDK-së përshkallëzoi më tutje, në prill 1999 prijësi i UÇK-së, Hashim Thaçi, iu kërcënua “tradhtarëve” Bukoshi dhe Rugova me ndëshkim të ashpër. Elita e vjetër urbane-intelektuale dhe elita e re fshatare hapën kështu konfliktin e tyre, i cili edhe gjatë luftës do ta karakterizonte zhvillimin e mëtutjeshëm të shoqërisë shqiptare të Kosovës. Gjatë dimrit 1998/99 UÇK-ja ngriti struktura të reja komanduese. Ajo kishte rekrutuar disa oficerë profesionistë shqiptarë të Armatës Popullore të Jugosllavisë, mes tyre edhe kryeministrin e mëvonshëm Agim Çeku, i cili më parë kishte qenë gjenerallejtënant në Ushtrinë kroate. Një pjesë e ushtarëve guerilë u organizua në njësi me komandë vertikale, një pjesë tjetër edhe më tutje pranonte urdhra nga komandantët lokalë apo rajonalë. Krahas grupit të kryengritësve të përgatitur mirë profesionalisht gjendeshin fshatarët e armatosur. Po ashtu UÇK-ja siguroi armë moderne si snajperë dhe raketa të tipit “Stinger”. Në fillim të vitit 1999 UÇK-ja kontrollonte fshatrat përtej rrugëve të asfaltuara, ndërsa forcat serbe të sigurisë lokalitetet më të mëdha dhe rrugët kryesore. Diaspora dha kontribut vendimtar për financimin dhe transportimin e armëve, mjeteve luftarake dhe ndihmës humanitare. Mbi burimet e dyshimta financiare për themelimin e UÇK-së ekzistojnë vetëm pak të dhëna të sigurta: një numër i informatave rrjedhin nga burimet ruse. Vëzhgues neutralë mendojnë se UÇK-ja së paku pjesërisht është financuar nga paratë e krimit të organizuar të shqiptarëve të Kosovës dhe se kufijtë mes krimit të organizuar dhe aktivistëve politikë nganjëherë ishin të padukshëm.

 

Fehmi Rexhepi ‘Historia 9’. Prishtinë: Libri Shkollor, 2010.
Jusuf Bajraktari, Fehmi Rexhepi, Frashër Demaj ‘Historia 10’. Prishtinë: Libri Shkollor, 2011.
Đorđe Đurić and Momčilo Pavlović ‘Istorija 8’. Belgrade: Zavod za udžbenike, 2010.
Đorđe Đurić and Momčilo Pavlović ‘Istorija 3’. Belgrade: Zavod za udžbenike, 2010.
Noel Malcolm Kosova – a short history, London, Pan Books, 2002.
Oliver Schmitt Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike, Prishtinë, Koha, 2012.
Marc Weller Contested Statehood: Kosovo’s Struggle for Independence, Oxford University Press, 2009;  Shtetesia e kuntestuar, Koha Publishing House, 2009.)