Gjendja e shqiptarëve në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore

Pas Luftës së Dytë Botërore rrjedha objektive  e ngjarjeve që çonte drejt zgjidhjes së drejtë të problemit të Kosovës u ndërpre. Popullsia shqiptare e Kosovës u përballë me presionet, mashtrimet dhe dhunën e udhëheaësve komunistë jugosllavë e sidomos të atyre serbë. Deklaratat e tyre premtuese për vetëvendosjen e popullit shqiptar u harruan. Mbi popullsinë shqiptare u ushtrua shtypje e egër kombëtare, pati arrestime, terror e persekutime të shqiptarëve, u ndalua përdorimi i flmurit kombëtar, nëpunësit shqiptarë u pushuan nga puna dhe u zëvendësuan me ata serbë. Kufomat e shqiptarëve i gjeje në rrugët e qyteteve e fshatrave të Kosovës. Vetëm në Tivar brenda një dite u masakruan afërsisht 1600 shqiptarë.

Me urdhër të Titos në periudhën 8 shkurt 1945 – 5 korrik 1945 në Kosovë u vendos administrata ushtarake, diktaturë e egër që eliminoi pushtetin e Këshillave Antifashistë nën pretekstin e “goditjes së reaksionit” kreu masivisht masakra mbi popullsinë shqiptare të tipit fashist. Pas shtypjes masive të revoltave masive popullore, qëndresa kundër pushtetit jugosllav vazhdoi në rrugë ilegale. U krijuan disa organizata të fshehta. Më të rëndësishmet ishin: Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare (ONDSH) dhe Besa Kombëtare. ONDSH-ja ishte një organizatë, e cila angazhohej për evidencimin e shqiptarëve të zhdukur, për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera të shqiptare në Jugosllavi si dhe për bashkimin e tyre me Shqipërinë.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Serbisë (7-9 korrik 1945) u gjet një pjesëmarrës malazez nga Kosova, për të shprehur “dëshirën e KANÇ (Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i Kosovës) që edhe popujt e Kosovës t’i aneksoheshin Serbisë federale motër”. Kuvendi i Serbisë e konvertoi e konvertoi dëshirën në vendim dhe e pranoi aneksimin e Kosovës nga Serbia. Pas tre muajsh më 8-10 korrik 1945 në “Kuvendin” e mbledhur në Prizren, ku nga 137 pjesëmarrës vetëm 32 ishin shqiptarë, të cilët vëzhgoheshin nga njerëz të armatosur të UDB-së , u miratua me duartrokitje, pa votime dhe nënshkrime, një rezolutë e gatshme  e ardhur nga Beogradi. Përfundimisht, më 3 shtator 1945, ligji i Kryesisë së Kuvendit Popullor të sanksiononte juridikisht Kosovën si njësi autonome. Ky sanksionim përsëritej edhe në Kushtetutën Jugosllave të janarit 1946.

Me gjithë shpresat e mëdha që ushqenin shqiptarët, e drejta e vetëvendosjes nuk funksionoi, qeveria jugosllave, ashtu edhe ajo shqiptare, në atë kohë kishin marrëdhënie miqësore dhe e konsideruan të mbyllur çështjen e kufijve. Ndërsa, Fuqitë e Mëdha, këmbëngulën që të mos ndryshoheshin kufijtë në Konferencën e Paqes në Paris më 1946. Shqiptarët në Jugosllavi jo vetëm që mbetën në statusin e paraluftës, por edhe u copëtuan brenda republikave të Jugosllavisë si: Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Pas Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësit jugosllavë përsërisnin gjithnjë e më shpesh parullat për “barazi”, “bashkim e vëllazërim” midis kombeve e kombësive të Jugosllavisë. Por, për sa i përket popullsisë shqiptare, mohimi i të drejtës së saj të vetëvendosjes, si një moment kyç, i kishte hapur rrugën edhe mohimit të barazisë kombëtare midis saj dhe popujve të tjerë të Jugosllavisë.

Jeta publike, shoqërore e politike shqiptare ishte vënë nën kontrollin e UDB-së, strukturat e saj trashëguan mentalitetin e armiqësisë së egër të borgjezisë jugosllave ndaj pakicave nacionale të paraluftës. Mblidheshin informata prej kujtdo dhe bëheshin vlerësime pa asnjë të dhënë të verifikuar për shumë qytetarë dhe anëtarë të LKJ-së (Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë) në Kosovë. Për të gjithë këta ishin hapur 120000 dosje.

Në vitet e 50-ta të shekullit XX, shqiptarët u përballën me fushatën e egër për shkombëtarizim dhe shpërngulje nga trojet e tyre. Gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë, shqiptarët u detyruan të ndërronin kombësinë e tyre duke u kthyer në turq. Ndryshimi i kombësisë ishte kusht i domosdoshëm për shpërnguljen e shqiptarëve në turqi, pasi presupozohej se ata që shkonin në Turqi ishin turq të kthyer në atdhe.

Për numrin e të shpërngulurve në Turqi të dhënat nuk përputhen. Për vitet 1953 e deri në fillim të viteve  të 70-ta, shumëkush sjell shifrën prej rreth 250 mijë të shqiptarë shpërngulur. Burimet turke thonë se 200 mijë persona kanë emigruar prej Jugosllavisë në Turqi gjatë viteve 1949-1957. Por, sipas historianëve disa historianëve shqiptarë, numri i të shpërngulurve nga 1950 deri 1966 arrinte në 400 mijë shqiptarë.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Historia e Popullit Shqiptar IV. (Tiranë, Toena, 2009), 363-372.

Realitetet premtuese që u krijuan gjatë Luftës së Dytë Botërore, për statusin e ardhshëm të Kosovës pas luftës, u përballën me dhunën, presione e mashtrime të klasës politike serbe e jugosllave. Goditjet që u ndërmorën mbi popullsinë shqiptare gjatë Administratës Ushtarake ishin në përputhje me elaboratin e Vasa Çubrilloviçit “Problemi i pakicave në Jugosllavinë e Re”, dërguar qeverisë jugosllave ende pa mbaruar lufta më 3 nëntor 1944. Në mes tjerash aty thuhej: “Populli (shqiptar shënim: Ana Lalaj) mund të zgjidhet më së miri gjatë luftërave siç është kjo… Ne kurrë nuk kemi pasur situatë më të mirë për zgjidhjen e çështjes së pakicave. Përveç spastrimeve ushtarake gjatë operacioneve, duhen aplikuar edhe mjete të tjera, t’u merren të gjitha të drejtat, të nxjerren para gjyqit të luftës, të dërgohen në kampe përqendrimi, t’iu konfiskohet pasuria dhe të detyrohen të shpërngulen. Ndoshta kurrë s’do të na jepet një rast i tillë që shtetin tonë ta shndërrojmë në shtet të pastër etnik… Po qe se nuk e  zgjidhim tash kurrë nuk do t’ia dalim ta zgjidhim.”

Ana Lalaj. Kosova-Rruga e gjatë drejt vetëvendosjes 1918-1981. (Tiranë, Mësonjëtorja e Parë, 2000), 31-32.

Tito ende mbahet mend me një simpati të sinqertë nga shumë shqiptarë të ish-Jugosllavisë. Ata e konsiderojnë atë si njeriun që ndali ose e kundërshtoi politikën më se armiqësore të regjimit të mëparshëm jugosllav – programin e kolonizimit dhe ndalimin e gjuhës shqipe – dhe i cili i dha territorit të Kosovës një formë autonomie, e cila në vitet ’70, arriti afër nivelit të statusit të barabartë me njësitë e tjera federale të shtetit jugosllav. Prandaj është e kuptueshme se duke pasur parasysh përvojën që pasoi pas vitit 1989, shqiptarët e Kosovës i vështrojnë vitet e Titos si butësi të trëndafiltë. Mirëpo, një gjykim më i plotë i politikës së Titos ndaj Kosovës, ka nevojë për një analizë më të thellë. Disa ndër masat e tij për respektimin e të drejtave të shqiptarëve ishin vetëm gjysmake; disa nga ato u zhvilluan vetëm nën presionin e rrethanave (duke përfshirë edhe presionin e kërkesave të shqiptarëve të pakënaqur); kurse disa sosh u bënë për arsye pragmatike, që nuk kishin të bënin fare me vetë nevojat e Kosovës (Siç është dëshira për t’i orientuar serbët kolonë në drejtim të Vojvodinës. Dy dekadat e para të pushtetit komunist në Kosovë kanë qenë shumë të vështira, dominimi i serbëve dhe malazezve në aparatin e partisë e të sigurimit shtetëror, do të thoshte se shqiptarët ende mbeteshin në pozitën e qytetarit të dorës së dytë…

Në marsin e vitit 1967, Tito vizitoi Kosovën pas 16 vjetësh; këtë herë ai bëri kritika publike për  kushtet në Kosovë: “Nuk mund të flitet për të drejta të barabarta”, deklaroi ai, “kur serbët kanë përparësi kudo nëpër fabrika… kurse shqiptarët refuzohen, edhe pse mund të kanë kualifikime të njëjta apo edhe më të larta”. Një vit më vonë, u shpall se fjala serbe “shiptar” një variant i fjalës shqipe “shqiptar”, me konotacion përbuzës, nuk duhej të përdorej tash e tutje: në vend të saj u fut fjala korrekte “albanac”.

Noel Malcolm. Kosova një histori e shkurtër. (Prishtinë, Koha, 2011), 398-409.

‘… Në mëtimet e nacionalistëve kroatë dhe shqiptarë se Rankoviqi ka zbatuar një regjim të veçantë personal në Kroaci dhe në Kosovë, përballemi jo vetëm me keqpërfaqësimin e ngjarjeve, por edhe me keqpërdorimin propagandistik të faktit se Rankoviqi ishte serb. Asnjëherë s’ka pasur ndonjë “regjim të Rankoviqit”, të paktën gjersa unë (Millovan Gjilas) isha në pushtet. E tërë ajo ishte regjim i Titos – regjimi i Titos dhe i grupit që ishte shkrirë rreth tij para luftës.’

Dhe, vërtet, represioni që ishte ndjekur në Kosovë në fazën e fundit të luftës, shtypja e kryengritjes së Shaban Polluzhës në Drenicë (1944-1945), ndalimi i rikthimit të kolonëve sllavë në Kosovë (1945), vendimi për t’i dhënë ‘Kosovës e Metohisë’ statusin e një rajoni (oblast) dhe jo, sikurse Vojvodinës, atë të një province (pokrajina) më 1945, regjimi i egër i dominuar nga serbët që zgjati gjer më 1966 e që përfshinte procese të montuara gjyqësore të cilat implikonin komunistët kyçë shqiptarë të Kosovës (procesi i Prizrenit, 1956), çlodhja e lëvizjeve të ndryshme që ngritnin të drejtat e shqiptarëve dhe autonominë e Kosovës (1966-1981), nuk janë tregues të mosqëndrueshmërisë në politikën e Titos dhe të qeverisë së tij, por janë një aspekt i politikave të bëra jashtë Kosovës dhe shpeshherë duke mos marrë parasysh Kosovën.

Ivo Banac, ‘Is in true that Tito’s Yugoslav policies favoured Albanians in Kosovo?’ in The Case For Kosovo, Passage To Independence, edit. Anna Di Lellio, London, 2006, pp 64-65.

Ralph Skrine Stevenson: Kosova në pranverën e vitit 1945

Ralph Skrine Stevenson, diplomat britanik, ishte në Jugosllavi pas tërheqjes gjermane dhe i kishte dërguar Foreign Office-it raportin vijues, i cili përshkruante gjendjen e trazuar të ngjarjeve në Kosovë dhe në Maqedoninë perëndimore në pranverën e vitit 1945.

Në një raport të fundit të shtypit nga një pritje e mareshal Titos për njëzet e pesë delegatë nga Kosova e Metohia, të cilët kishin marrë pjesë në një takim të fundit të Skupshtinës Serbe, të kryesuar nga Mehmet Hoxha, President i Këshillt Kombëtar Nacional-Çlirimtar për Kosovën e Metohinë, mareshal Tito bëri shumë të qartë se kushtet në Kosovë nuk ishin të kënaqshme, teksa delegatët kalonin të shumtën e kohës duke kërkuar falje për të metat e popullsisë. Mareshali nënvizoi se akoma kishte një numër reaksionarësh e obskurantistësh jo vetëm në Kosovë e Metohi, por edhe në Shqipëri, dhe kur premtoi rishpërndarje të drejtë të tokës, ai theksoi se kjo nuk do të ishte e vështirë meqenëqë shumë prej pronarëve të tokave në Kosovë kishin punuar për armikun. Ai foli edhe për klikat që më herët punonin për armikun dhe tani kishin ikur përsëri tek armiku. Duke pohuar se reaksionarët ishin veç një pakicë e vogël dhe aktive, ai deklaroi që ishte i gatshëm t’u jepte amnisti atyre të cilët njëmend ishin kequdhëzuar. Kur u premtoi atyre shkolla shqipe dhe të drejta të tjera minoritare, ai theksoi që ata s’mund të prisnin asnjë të drejtë pa i kryer detyrat e tyre, dhe nënvizoi rëndësinë e mobilizimit të tyre në ushtrinë jugosllave. Ai inkurajoi që vetë kosovarët të shlyenin njollën mbi reputacionin e Kosovës. Ai theksoi që, me shumë prej disidentëve, do të mjaftonte t’i bindte ata për të drejtën e kauzës partizane meqenëse ata mezi kishin ardhur në Kosovë sepse nuk mund të bindeshin. Ai tha që duhet të përdornin masa të forta për të ndrequr këtë qasje. Ka mundësi që kjo ishte një referencë e tërthortë për lëvizjet në Kosovë të elementëve kryesorë anti-FNÇ, fakt i cili mund të ketë lindur nga lëvizja e trupave të FNÇ-së atje. Delegatët shqiptarë nuk mohonin ekzistencën e elementëve subersivë, por luteshin në shfajësimin e pjesshëm se ata ishin kështu për shkak të mungesës së arsimimit…

Që shqiptarët e Kosovës, pas viteve të keqtrajtimit nga qeveria jugosllave, duhej të mirëprisnin shtetin e ri jugosllav pa asnjë rezistencë, sidomos pas lojës së mençur që gjermanët bënë me synimet e tyre irredentiste, ishte shumë e tepërt të pritej. Që ka pasur rezistencë serioze, kjo është e qartë, por nëse forca kyçe e rezistencës së armatosur është thyer, kjo jo. Ka mundësi, sidoqoftë, që mobilizimi i madh dhe deportimi në pjesët e tjera të vendit dhe arrestimi i prijësve të mundshëm si p.sh. Kryeziu, të paktën përkohësisht ta ketë paralizuar atë. Njoftimi për trupëzimin ardhshëm të Kosovës e Metohisë në njësinë federale serbe mund ta ketë rigjallëruar atë, por ka mundësi që një njoftim i tillë nuk do të ishte bërë në qoftë se qeveria ndjente që rigjallërimi i qëndresës shqiptare do të zmbrapsej.

Bejtullah D. Destani (ed.), Albania & Kosovo: Political and Ethnic Boundaries, 1867-1946. Documents and Maps. Slough: Archive Editions, 1999, p. 939-944.

http://www.albanianhistory.net/1945_Stevenson/index.html

Ndër krijimet popullore, ku përshkruhet gjendja e shqiptarëve në kohën e Rankoviçit, është edhe e ashtuquajtura kënga e Rankoviçit:

O, a po ngoni o vllazi,
Do t’jav knojmë nji histori.
Pesdhetegjashta kur ka mrri,
Janë diftu i rremë hafi,
Rankoviçi o me shoqni,
Ranë Kosoves o bitevi,
Nam po bajnë n’shqiptart e zi.
Po i munojnë shqiptart e ngrat,
U lypin pushkë e automat,
Kush e pat e kush s’e pat,
Shtrit po i lanë nëpër sokak,
O, brit e tyne o pikun gjak.

Me këtë këngë ofrohet dimensioni i tmerrit që e kaplonte familjen qysh në rastin kur dikush ftohej në stacionin policor me qëllim që t’i dorëzonte armët. Dhuna, përveç dëmtimeve fizike të të keqtrajtuarve, sillte edhe pasoja psikike në familjet e tyre dhe përgjithësisht krijonte klimën e frikës, të një pasigurie dhe bindjes që kush binte në dorën e UDB-së së Rankoviçit, kishte gjasë të mos kthehej më i gjallë në shtëpi.

Memli Krasniqi, et al.  Kujtesa kolektive: Dëshmi dhe ngjarje 1944-1966. (Prishtinë, Instituti Albanologjik, 2016), 431-432.

Tito me politikanët e Kosovës:

Vizita e Titos në Kosovë 1967

Fadil Hoxha-Kryetar i Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës 1945-1953, anëtar i Kryesisë së Jugosllavisë, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë etj.

Ali Shukriu- Kryetar i Kryesisë së Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës 1981-1982

Veli Deva- Sekretar i Lidhjes Komuniste të Kosovës 1965-1971

Mahmut Bakalli- Sekretar i Lidhjes Komuniste të Kosovës 1971-1981

Xhavit Nimani- Kryetar i Kryesisë së Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës 1974-1981

Tito në Pristinë 1967

Tito në Rugovë 1967

https://www.pinterest.nz/pin/260505159679476716/

Fatmir Lama. Rrëfime për Kosovën-uria (episodi V).