11.Kosova gjatë Luftës së Parë Botërore

Stafi i shtabit serb duke e kaluar urën mbi lumin Drin në Virzira (?), 17 janar 1916.

https://www.iwm.org.uk/collections/item/object/205223743

Kosova dhe viset tjera shqiptare gjatë Luftës së Parë Botërore

Pasi që Serbia dhe Mali i Zi u detyruan të tërhiqen nga Kosova dhe viset tjera shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, në vend të tyre erdhën pushtuesit austro-hungarezë dhe bullgarë. Zona e pushtimit austro-hungarez e përfshiu Mitrovicën, Vushtrrinë, Drenicën e Poshtme, Pejën, Istogun, Gjakovën, Plavën, Gucinë, Tivarin dhe Ulqinin. Ndërkaq zona e pushtimit bullgar përfshinte Podujevën, Prishtinën, Gjilanin, Gostivarin, Tetovën, Dibrën, Kërçovën, Strugën, Ohrin dhe Prespën.

Ndërmjet pushtuesve të trojeve shqiptare kishte dallime të dukshme. Përderisa pozita e shqiptarëve gjatë pushtimit serbo-malezez ishte skajshmërisht e rëndë, në kohën e pushtimit austro-hungarez situata ishte më e favorshme. Austro-hungarezët ua njohën shqiptarëve të drejtën e vet-administrimit lokal dhe të zhvillimit të kulturës kombëtare. U hapën shkollat shqipe dhe u ngrit vetëdija kombëtare. Kurse në anën tjetër pushtuesit bullgarë nuk ua njihnin shqiptarëve asnjë të drejtë kombëtare e njerëzore.

Gjatë periudhës së Luftës, sidomos në vitet 1916-1918, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare u organizua qëndresë kundër pushtuesve austro-hungarezë e bullgarë. Kjo qëndresë u organizua në luftë çetash. Çetat më të njohura ishin ato të udhëhequra nga Azem dhe Shotë Galica, Idriz Seferi, etj. Lufta e çetave shqiptare dha edhe rezultatet e saj. Çetat e Azem Galicës, të përkrahura edhe nga grupe të tjera luftëtarësh patriotë shqiptarë, në vjeshtë të vitit 1918 çliruan: Drenicën, Istogun, Pejën, ku edhe ngritën flamurin kombëtar shqiptar.

Jusuf Bajraktari, Fehmi Rexhepi, Frashër Demaj “Historia 10 – gjimnazi matematikë dhe informatikë dhe gjimnazi i shkencave natyrore”, Shtëpia Botuese ‘Libri Shkollor’, Prishtinë, 2011, faqe 101.

Nëpër male shkëmbore dhe të pashtigje malazeze dhe shqiptare, po tërhiqej i tërë aparati shtetëror (qeveria, shumica e deputetëve të Kuvendit Popullor, administrata shtetërore), ushtria dhe një numër i madh i civilëve. Iu mungonte ushqimi dhe veshmbathja, telashet i shtonin edhe sulmet e bandave lokale shqiptare. Me popullin dhe ushtrinë po tërhiqeshin edhe mbreti i moshuar Petar Karadjordjević dhe Duka i sëmurë rëndë Radomir Putnik. Në golgotën shqiptare vdiqën nga vdekja e bardhë (mërdhirja) dhe vuajtjet tjera disa dhjetëra mijëra ushtarë dhe civilë. Atëherë tek populli serb lindi thënia: “Askush nuk di çka janë mundimet, derisa nuk e kalon Shqipërinë në këmbë.” Vetëm në fillim të vitit 1916 filloi zhvendosja e të mbijetuarve me anijet e aleatëve në ishullin grek Korfuz.

Përkundër humbjeve të mëdha, Serbia nuk kapitulloi. Ajo e vazhdoi luftën për qëllimet e saj luftarake. Në mërgim ishin mbreti Petar, regjenti Aleksandar, qeveria, Kuvendi Popullor dhe ushtria. Selia e qeverisë serbe ishte në Kretë, ku në verën e vitit 1916 e rifilloi punën edhe Kuvendi Popullor. Së shpejti filluan të punojnë edhe institucionet tjera shtetërore. U sigurua financimi i aparatit shtetëror, ushtrisë, por edhe i një numri të madh refugjatësh, prej të cilëve numri më i madh gjendej në Kretë, por gjendeshin edhe në Francë, edhe në Tunis në Afrikë. Qeveria, me ndihmën e aleatëve, ia doli që të sigurojë shkollimin për rreth 4 000 të zhvendosur nxënës dhe studentë serbë, kryesisht në Francë.

Në pranverë të vitit 1916, ushtria serbe filloi të rimëkëmbej. Ajo ishte e armatosur me armatim të ri françez. Në krye të shtatmadhorisë, në vend të Dukës së sëmurë Radomir Putnik, u emërua Petar Bojovic. Përafërsisht 150 000 ushtarë serbë përgatiteshin për t’u kthyer në luftë. Ata u zhvendosën në Frontin e Selanikut, ku luftuan së bashku me Britanikët, Françezët dhe Grekët. Qysh në vjeshtë të vitit 1916, ushtria serbe, pas luftimeve të mëdha, e pushtoi majen Kajmakçallan, e mandej edhe Manastirin, i cili gjendej në territorin Mbretërinë e paraluftës së Serbisë. Me këtë iu hapën dyert e atdheut. Mandej fronti u stabilizua dhe nuk lëvizi gjatë dy viteve të ardhshme.

(Teksti në të majtë) Në javët e para pas kalimit në Kretë vazhdoi agonia e ushtrisë serbe. Vdisej çdo ditë nga pasojat e përpjekjeve mbinjerëzore, rraskapitjes dhe sëmundjeve. Ishulli i vogël Vido në afërsi të Kretës, ishte shëndrruar në spital. Në të vdiqën më shumë se 5 000 serbë. Për shkak të terrenit shkëmbor nuk ishte mundur të varroseshin, kështu që shumica e tyre u lëshuan në det – në varrezën e kaltër, ashtu siç e quajti poeti Milutin Bojic.

Djordje Djuric, Momcilo Pavlovic “Istorija 8 – za osmu razreg osnovne skole”, Zavod za Udzbenike, Beograd, 2011, faqe 74.

Ata shqiptarë që besonin se sundimi serb do të ishte i përkohshëm, duhet të kenë menduar se kishin të drejtë, kur më 28 korrik 1914, Austro-Hungaria i shpalli luftë Serbisë. Serbët ortodoksë u thirrën për të marrë pjesë në luftë, por shqiptarët myslimanë zyrtarisht nuk ishin të detyruar që të merrnin pjesë në luftë, falë marrëveshjes që ishte lidhur ndërmjet Serbisë dhe shtetit Osman (megjithatë, ka shënime se u rekrutuan 8.481 shqiptarë nga Kosova, kurse në fund të vitit 1915, ky numër u shtua në 50 mijë). Për më se një vit, ushtria serbe pati sukses që t’i zmbrapste forcat austriake që e kishin sulmuar atë nga veriu dhe nga perëndimi. Forcat serbe jo vetëm që i zmbrapsën sulmet në fronte, por shfrytëzuan rastin që të pushtonin një pjesë të Shqipërisë së Mesme, duke futur në dorë Elbasanin dhe Tiranën në qershor të vitit 1915. Vetëm gjatë katër muajve të ardhshëm, në sajë të ofensivës së re, të filluar nga forca të përbashkëta austro-gjermane, si edhe me hyrjen e Bullgarisë në luftë, si aleate e këtyre forcave, pozita e Serbisë u dobësua. Ushtria bullgare sulmoi në tetor në një front të gjerë; pikësynimi kryesor i saj ishte që të fuste në dorë Maqedoninë, duke izoluar forcat serbe nga zona e Selanikut, ku ishin përqendruar ushtritë britanike dhe franceze në Ballkan. Më 21 tetor, bullgarët hynë në pjesën juglindore të Kosovës dhe të nesërmen morën Shkupin; divizioni serb, i cili kishte qenë i stacionuar në Maqedoni, u tërhoq drejt veriut, në Kosovë. Një ndër oficerët e këtij divizioni ka lënë shënime se, pos nga sulmet bullgare, “trupat serbe duhet të mbroheshin edhe nga sulmet e shpeshta të kaçakëve shqiptarë”; në po të njëjtën kohë, ai shkruan se ushtarët e tij po bënin mjaft “zullume dhe plaçkitje” kundër popullatës vendëse.

Ndërkohë pjesa kryesore e ushtrisë serbe po shtyhej pa mëshirë në Serbinë Qendrore nga forcat gjermane dhe austro-hungareze. Më 18 nëntor, kur u mbajt një këshillim i gjeneralëve serbë (në një atmosferë të ashpër grindjesh të acaruara e të ndërsjella) afër Novi-Pazarit, u konstatua se ushtria serbe kishet humbur 60 mijë ushtarë (35 mijë nga ta ishin zënë robër); 450 armë artilerie dhe pothuajse tërë transportin. Të nesërmen, ushtria austro-hungareze hyri në Sanxhak, ku myslimanët vendës, duke kujtuar me kënaqësi praninë e garnizoneve austriake para vitit 1908, i përshëndetën si çlirimtarë. Qeveria serbe, e cila po ikte së bashku me ushtrinë e saj, e dinte se rrugëdalje të vetme ishin ose tërheqja ose dorëzimi. Megjithatë, shpresonte të vazhdonte rrugën drejt jugut, drejt Selanikut; por tash edhe kjo mundësi ishte bërë e pamundur me arritjen e lajmit se forcat bullgare kishin marrë Maqedoninë Perëndimore. Së këndejmi, u vendos që tërë ushtria serbe të tërhiqej nëpër male deri në bregdetin Adriatik, duke kaluar nëpër shtigjet e Shqipërisë së Veriut dhe të Malit të Zi. Ky vendim u mor më 20 nëntor; por, për shkak të një pranie të madhe të forcave serbe në Kosovë si dhe të shpejtësisë së përparimit të armikut në disa fronte, disa mijëra ushtarë serbë u zunë robër nga armatat austro-hungareze dhe bullgare në Mitrovicë, në Prishtinë dhe në Prizren. Më 29 nëntor, kur ra edhe Prizreni, numri i përgjithshëm i ushtarëve serbë të zënë robër gjatë kësaj lufte, kishte arritur deri në 150 mijë sish.

Për dinjitarët që kishin kuaj dhe përcjellës, rruga nëpër male nuk zgjati shumë: kryeministrit Pashiq iu nevojitën vetëm katër ditë, kurse princit Aleksandër, dy ditë e gjysmë. Mirëpo, për ushtarë të rëndomtë, të rraskapitur, të veshur e të mbathur dobët dhe të pafurnizuar me ushqim, kjo rrugë qe lemerise dhe tmerrësisht e mundimshme. Qerret në male prisnin në rend të gjatë për t’u mbushur me kufomat e atyre që kishin vdekur, ose nga të ftohtit, ose nga uria; ushtarët filluan të hanin mishin e kuajve të ngordhur, ndërsa pati edhe raste të kanibalizmit. Në disa raporte serbe përmenden ankesat për refuzimin e shqiptarëve vendës që t’u jepnin për të ngrënë ushtarëve, kur kalonin nëpër malet e Shqipërisë. Ata duhej të prisnin një trajtim edhe më të keq, meqë, siç do ta komentojë më vonë mis Edith Durham, kjo sjellje e shqiptarëve ishte mjaft paqësore: “Në qoftë se ata kanë pasur vështirësi të mëdha gjatë rrugës, kjo ka ndodhur për arsye se ata po iknin tash nëpër ato treva të cilat i ishin shkatërruar dhe plaçkitur pasmëshirshëm para afro dy vjetësh. Në qoftë se shqiptarët ua kanë kursyer jetën serbëve që tërhiqeshin, të cilët më parë nuk kishin treguar kurrfarë mëshire ndaj tyre, kjo u bën nder shqiptarëve”.

Austriakët mbetën këtë herë më gjatë në Kosovë sesa në vizitat e viteve 1689 dhe 1737. Ata e pushtuan gjysmën veriore të territorit, kurse jugu mbeti nën pushtetin bullgar. Pas një përvoje dyvjeçare, shqiptarët e rëndomtë ishin të lumtur që shihnin ushtrinë austriake. Në disa komunikata të para të Ministrisë së Luftës, në Vjenë, thuhej se “shumë shqiptarë” kaluan nën anën austriake gjatë luftimeve të para midis Mitrovicës dhe Pejës, kurse popullata lokale mori pjesë “me entuziazëm” në kremtimin e fitores së 2 Dhjetorit. Edhe krerët politikë shqiptarë ishin të vetëdijshëm se Austro-Hungaria, më shumë se çdo fuqi tjetër, kishte ndihmuar formimin e shtetit shqiptar. Prandaj, s’është për t’u çuditur pse krerët vendës, si, bie fjala, Hasan Prishtina dhe Ferhat Draga, bashkëpunonin me gjithë dëshirë me okupatorin e ri. Prishtina organizoi rekrutimin e 2 mijë vullnetarëve shqiptarë me detyrë që t’u bashkoheshin forcave austriake që po depërtonin në Shqipëri, kurse Draga rekrutoi një mijë vullnetarë, të cilët u dërguan në Frontin lindor të Austro-Hungarisë. Nga krerët, Bajram Curri, i cili ndodhej në Shqipëri, e kaloi tërë vitin 1915, duke bërë përpjekje që ta bindte qeverinë që të merrte një qëndrim më proaustriak; Isa Boletini qe internuar në Mal të Zi dhe u vra në një pusi (pak para ardhjes së ushtrisë austriake).

Autoritetet austriake i emëruan shqiptarët në pushtetin lokal, lejuan përdorimin e gjuhës shqipe në vendin e tyre të punës dhe ndihmuan hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Një politikë e tillë u zbatua edhe në Shqipërinë e Veriut dhe në Shqipërinë e Mesme, më 1916. Në këto anë, austriakët madje hapën dy shkolla normale shqipe dhe formuan një “Komision letrar shqiptar” për të standardizuar ortografinë dhe për të botuar libra shqipe në botime të lira e të popullarizuara. Qëndrimi zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë ndaj Shqipërisë ishte qëndrim i një vendi mik dhe neutral, jo qëndrim i një vendi të pushtuar; ushtarakët austriakë mendonin se ky ishte një qëndrim joreal dhe bënë përpjekje për t’i ndarë trojet shqiptare, duke e lënë pjesën veriore dhe Kosovën nën aneksimin e Austro-Hungarisë, por politika e tyre nuk u zbatua kurrë. Ministri austriak i Punëve të Jashtme, Burian, ishte i mendimit që pjesa më e madhe e Kosovës t’i bashkohej shtetit të Shqipërisë së pavarur (të cilës njëherësh duhej t’i hiqej një territor në Shqipërinë e Jugut, që t’i jepej Greqisë). Nuk u zbatua as kjo politikë. Kosova dhe Shqipëria kishin mbetur të pabashkuar, kështu që shqiptarëve u duheshin leje të veçanta për të kaluar kufirin nga njëra anë në tjetrën.

Përpos që mbeti e ndarë nga Shqipëria, Kosova e pushtuar nga austriakët u nda edhe nga zona e pushtuar bullgare. Kjo ndarje qe shkaku i disa zënkave serioze politike ndërmjet të dy fuqive. Kur Divizioni i tretë i ushtrisë bullgare pushtoi Prishtinën dhe Prizrenin në nëntor, ai kishte kaluar e ekspansionit bullgar, për të cilin ishte arritur marrëveshja ndërmjet dy qeverive që më parë; mirëpo, në vend që t’ua kthenin këto dy rajone austriakëve, bullgarët kishin lënë aty disa trupa dhe kishin ngritur një administratë civile, ndërsa pushtetin e tyre ata e shtrinë deri në rajonin e Gjakovës. Mbreti Ferdinand i Bullgarisë s’vonoi që të vizitonte këtë rajon; duke u përpjekur që t’i bindte austriakët se në atë vis “ndodhej një popullsi e madhe bullgare.” Në prillin e vitit 1916, austriakët lëshuan pe, duke i lejuar Bullgarisë që të mbante Prishtinën e Prizrenin dhe duke kërkuar evakuimin e tyre vetëm nga Gjakova. Kushtet e jetesës nën sundimin bullgar ishin shumë të rënda se në zonën austriake: u aplikua puna e detyrueshme për zbatimin e projektit për ndërtimin e hekurudhës nëpër Maqedoni, u konfiskuan sasi të mëdha ushqimi dhe mallrash të ndryshme dhe për pasojë e viteve 1916 dhe 1917 pllakosi një uri e madhe. Sipas argjipeshkvit Mjeda, më 1917, në Prizren vdiqën nga uria një mijë veta. Serbët, shumë nga të cilët kishin qenë të internuar nën pushtetin austriak, tash vuanin edhe më tepër nën sundimin bullgar, pjesërisht për shkak të rivalitetit të gjatë ndërmjet Kishës Bullgare dhe Kishës Serbe. Kryepeshkopi ortodoks i Shkupit, i cili ishte strehuar në Prizren, u kap dhe u vra nga ushtarët bullgarë. Ashtu sikundër që serbët kishin zbatuar politikën e serbizimit në Kosovë dhe në Maqedoni gjatë viteve 1913-15, po kështu edhe bullgarët i bullgarizonin tash me dhunë maqedonasit dhe serbët.

Në këto rrethana, ata shqiptarë të cilët e kishin mirëpritur avancimin bullgar, më 1915, u zhgënjyen shumë shpejt, kështu që shumë sish reaguan kundër bullgarëve në mënyrë tradicionale. Në Karadakun e Shkupit, kreu i regjur lokal, Idriz Seferi, i cili kishte marrë pjesë në çdo kryengritje, që nga vitit 1878, organizoi disa grupe kaçakësh: në një aksion afër fshatit të tij, Seferi vrau 20 ushtarë bullgarë. Më pas, më 1916, atë e kapën bullgarët; ai do të lirohet nga burgu nga fundi i liftës, në moshën 72-vjeçare. Pati ca rezistencë edhe në zonën austriake: këtu dallohej me aktivitetin e vet një shqiptar i ri karizmatik nga qendra e Kosovës Veriore, Azem Bejta, (i njohur si Azem Galica nga emri i fshatit të tij), gruaja e re e të cilit, Shota, iu bashkua duke u bërë një luftëtare e famshme. Azem Bejta bashkëpunonte me serbët vendës kundër ushtrisë austriake, kurse në fillim të vitit 1918, ai hyri në bisedime për ndërmarrjen e aksioneve të përbashkëta me udhëheqësin e organizatës kryesore të çetnikëve, Kosta Peçanac, i cili kishte hyrë me guxim në Serbinë e okupuar me një aeroplan.

Në verën e vitit 1918, ishte mëse e qartë se forcat austro-hungareze në Ballkan, tashmë të rraskapitura nga kryengritjet dhe dezertimet, pothuajse po shpartalloheshin. Gjatë shtatorit, ushtria aleate në Selanik (së cilës i ishin bashkuar repartet e mbetura nga ushtria serbe pas tërheqjes nëpër Shqipëri) filloi të përparonte nëpër Maqedoni; në fund të atij muaj, Bullgaria e nënshkroi armëpushimin me fuqitë aleate, gjë që e bëri shumë të pasigurtë pozitën austriake dhe gjermane në Kosovë.

Trupat serbe dhe ato franceze po i afroheshin Shkupit, kurse forcat e bashkuara francezo-italiane, po përparonin nëpër Maqedoninë Perëndimore dhe po i afroheshin Tetovës. Më 1 tetor, ushtarët gjermanë dhe ata austriakë morën urdhër që të tërhiqeshin nga Maqedonia e Veriut; komandantët e forcave të boshtit e kuptuan se ishte e pamundur që të mbroheshin në rrafshin e Fushës së Kosovës, prandaj pas pesë ditësh, u erdhi urdhri që të tërhiqeshin nëpër Krushevc në Serbi të Mesme. Njerëzit e Azem Bejtës zunë një numër të madh ushtarësh austriakë dhe gjermanë, por një oficer i cili hasi në një grup të shqiptarëve në verë të Prishtinës, pati më shumë fat: atij iu lejua që ta vazhdonte rrugën e vet me fjalët: “Gjermanët e mirë, bullgarët e këqij”. Nga fundi i tetorit, divizioni XI koloniali francez, e kishte pushtuar Prishtinën dhe Mitrovicën, kurse divizioni XXXV italian, kishte hyrë në Prizren dhe kishte filluar t’i përndiqte repartet e mbetura të ushtrisë austriake nga veriu, në drejtim të Gjakovës e të Pejës. Disa njësi serbe mbetën në Kosovën e okupuar; pjesa tjetër, e përbërë nga shtatë divizione serbe, që ishin formua si pjesë e ushtrisë aleate, vazhduan me nxitim avancimin drejt Beogradit. Fitorja e tyre ishte e siguruar. Kosova tash ra përsëri nën sundimin serb.

Noel Malcolm, Kosova – Një histori e shkurtër, KOHA, 2011, Prishtinë, faqet 336-341.

Serbët kishin shpresuar t’ia dilnin mbanë për në Shkodër, ku Aleatët premtuan t’i pritnin me ushqime e pajisje. Rruga e ushtrisë serbe kaloi përmes Shqipërisë qendrore, nga Elbasani. Në të njëjtën kohë, bullgarët po shtyheshin për në Shqipëri nga lindja. Në tërësi, shqiptarët u përmbajtën nga sulmi fizik ndaj rreshtave të serbëve që të ngjallnin mëshirë, udhëtimi i të cilëve u përshkrua nga një vëzhgues anglez:

‘Rrugët në jug të Shkodrës shtrihen në një vend që ishte sidoqoftë miqësor. Këtu ndikimi i Esat Pashës, autoriteti i vetëm qendror i mbetur në Shqipëri, emri i të cilit imponon respekt në një masë të gjerë, ushtrohej në emër të Aleatëve. Por kjo s’i pengoi banorët e fushës të ndiqnin shembullin e shqiptarëve në male për zhvatjen e parave. Për të kaluar lumin me varka kërkonin flori, dhe ata që s’mund të paguanin mbesnin aty ku ishin dhe vdisnin. Ata që përshkuan krejt tërheqjen thonë që pjesët e fundit mes moçaleve e baltës së Shqipërisë së mesme ishin më të këqijat e të gjithave. Kur më në fund mbërritën në Vlorë, mijëra të tjerë vdisnin të shpërfillur para se të mund të largoheshin nga anijet franceze e britanike. Nga Vlora, më në fund, ushtria 150 mijëshe la Shqipërinë e kaloi në Korfuz’. ( R. G. D. Laffan, The Serbs: The Guardians of the Gate, Nju Jork, 1989, f. 227.)

Miranda Vickers, Midis serbëve dhe shqiptarëve: një histori e Kosovës, “Toena”, 2004.