Ripushtimi/riçlirimi i Kosovës më 1918 dhe kryengritjet e armatosura shqiptare 1918-1924

Azem Galica me luftëtarë të tjerë

Gjatë Luftës së Parë Botërore Kosova, ashtu si trevat e tjera shqiptare u kthyen në arenë luftimesh, pushtimesh e ripushtimesh nga shtetet fqinje ballkanike dhe Fuqitë e Mëdha. Në vjeshtën e vitit 1915 ushtria serbe dhe ajo malazeze, të shpartalluara nga ushtritë austro-hungareze dhe bullgare u detyruan të tërhiqeshin nga shteti shqiptar dhe nga Kosova.

Deri më 26 tetor 1918 divizioni jugosllav kishte pushtuar tërë hapësirën etnike shqiptare. Repartet e këtij korpusi filluan të ushtronin terror mbi popullsinë shqiptare në gjithë hapësirën nga Përpellaci e deri në Prespë, domethënë në trevat e aneksuara sipas vendimeve të Konferencëssë Ambasadorëve të Londrës më 1913. Pushtuesit serbë shpejtuan të vendosnin “pushtetin civil” në viset e ripushtuara shqiptare sepse kishin frikë se mos çështja e Kosovës  do të vihej në rendin e ditës të Konferencës së Paqes. Gjatë muajve të parë të vendosjes së pushtetit serb, gjykatat me pretekstin se nuk kishin burgje, jepnin vetëm dënime me vdekje, prandaj shqiptarët i quajtën të gjitha gjyqet serbe “gjyqe të vdekjes”.

Për të mbajtur më lehtë nën sundim Kosovën e trevat e tjera shqiptare, qarqet politike të Beogradit vendosën, në fund të vitit 1918 e gjatë vitit 1919 një ndarje administrative që synonte t’i mbante ato të copëtuara dhe popullsinë shqiptare të përçarë.

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” u themelua më 1 maj 1918 në Shkodër. Programi i këtij komiteti parashikonte zgjidhjen e dy detyrave kryesore: sigurimin e pavarësisë e të integritetit territorial të shtetit shqiptar dhe bashkimin e Kosovës e të të gjitha viseve shqiptare të robëruara me Shqipërinë, në një shtet të njësuar kombëtar , si kusht i domosdoshëm për zhvillimin politik, ekonomik e kulturor të njësuar të popullit shqiptar. Duke shpresuar ashtu si organziatat e tjera atdhetare se Konferenca e Paqes e Parisit do të zgjidhte edhe çështjen shqiptare, Komiteti i Kosovës i dërgoi asaj memorandume të njëpasnjëshme, në të cilat kërkohej të respektohej pavarësia e shtetit shqiptar dhe të viheshin në vend padrejtësitë që i ishin bërë Shqipërisë në Konferencën e Londrës.

Lëvizja Nacionalçlirimtare (kaçake) u organizua dhe u udhëhoq nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, i cili në përpjekjet për përmbushjen e qëllimit kryesor, çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare nga zgjedha jugosllave dhe bashkimin e tyre me shtetin shqiptar, vendosi që krahas veprimtarisë diplomatike, edhe luftën e armatosur të çetave kryengritëse. Idenë e kësaj qëndrese Komiteti i Kosovës e mbështeti qysh kur miratoi në pranverë të vitit 1919 “Programin e Kryengritjes” në të cilin parashtroheshin parimet e luftës të shqiptarëve për liri, të mbështetura në parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.

Lëvizja nacionalçlirimtare e njohur me emrin “lëvizja kaçake” u zhvillua gjatë viteve 1918-1928 dhe kishte si qëllim kryesor luftën për çlirimin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës nga robëria jugosllave. Ajo në thelb ishte luftë e grupeve të organizuara e të armatosura shqiptare, që mbanin emrin “çeta” dhe që u shtrinë thuajse në gjithë Kosovën.

Për të organizuar qëndresë Komiteti i Kosovës në përputhje me “Programin e Kryengritjes” të vitit 1919, ndër të tjera u kërkoi udhëheqësve të çetave të zbatonin këto vendime: “Asnjë kryengritës nuk guxon t’i dëmtojë serbët e vendit, me përjashtim të atyre që me armë luftojnë kundë lirisë së popullit shqiptar; asnjë kryengritës nuk guxon të djegë shtëpi, asnjë kryengritës nuk guxon të rrënojë kisha ose t’i plaçkitë joshqiptarët”.

Kryengritja mori përmasa të gjera në pranverën e vitit 1919. Filloi në Palvë dhe pastaj u shtri në tërë hapësirën administrative të prefektuarave në Vushtri, Llap, Drenicë, Podrimë,Rugovë, në Luginën e Moravës e deri në Shkup e Kumanovë ku u lidh me çetat e Gostivarit. Çetat kudo kundërshtonin masat e pushtetit serb për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova. Në prill-maj të vitit 1919 lëvizja u bë më e organizuar dhe arriti të shndërrohej në kryengritje të përgjithshme, në të cilën morën pjesë me armë në dorë më shumë se 10000 veta.

Pasi u asgjësua Zona Neutrale e Junikut e cila ishte midis kufirit të Jugosllavisë dhe Shqipërisë, më 28 qershor 1923 Azem Bejta arriti marrëveshje me përfaqësuesin e Ministrisë së Brendshme të Jguosllavisë Zhika Laziç. Sipas kësaj marrëveshjeje Azem Galicës iu lejua lëvizja e lirë në tri fshatra: Galicë, Mikushnicë e Lubovec të Drenicës, kështu u krijua një zonë e lirë me qendër në Drenicë që njihej me emrin Arbania e Vogël dhe që kontrollohej nga forcat kaçake të Azem Galicës.

Në verën e vitit 1924 organet ushtarake të Beogradit i drejtuan veprimet e tyre kundër Arbanisë së Vogël. Vetë Azem Galica u plagos rëndë nga një predhë. Me vdekjen e mëpastajme të Azem Galicës Lëvizja Nacionalçlirimtare ra dukshëm, megjithëse vijoi edhe për disa vjet.

Xhemijeti (Bashkimi) u themelua si parti politike shqiptare në kuvendin e mbajtur në Shkup më 18 dhjetor 1918, në të cilin morën pjesë 64 delegatë dhe u miratua statuti e programi i saj. Në gjithë veprimtarinë e tij Xhemijeti zhvilloi një politikë kryesisht kombëtare shqiptare e luftoi për të drejtat e popullt shqiptar. Qarqet sunduese serbe u përpoqën ta largonin nga ky program kombëtar. Gjatë vitit 1920 partia politike Xhemijeti u afrua me Partinë Radikale Serbe, e cila në programin e saj “lejonte” autonomi më të gjerë komunale dhe të drejtën e nismës politike në fushën e administrimit vendor. Xhemijeti shpresonte që duke siguruar të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe, shkollimit shqip, lirinë e besimit dhe liritë qytetare. Po të gjitha këto të drejta qytetare mbetën në letër, ndërsa gjendja e shqiptarëve përkeqësohej vazhdimisht.

Pas Luftës së Parë Botërore autoritetet e pushtetit lokal jugosllav në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, të përfshira në Serbi e në Mal të Zi rifilluan politikën e shtypjes kombëtare, të terrorit e të dhunës së përgjithshme. Për këto qëllime u ndërmor e ashtuquajtura “Reforma Agrare”. Reforma e shpallur u zbatua nga një administratë e korruptuar, e gatshme për diskriminimin e thellë të shumicës së popullsisë vendëse. Gjithë kjo politikë agrare, e projektuar dhe e zbatuar me synime të caktuara nacionaliste, çoi në keqësimin e gjendjes së fshatarësisë shqiptare. Sipas dispozitave të 25 shkurtit 1919 me përparësi përfitonin tokë invalidët, familjet e të rënëve në luftë, ushtarët serbë dhe të gjithë ata që “Kishin merita për çështjen jugosllave”. Reforma agrare preku rreth gjysmën e popullsisë shqiptare ose rreth 62 mijë familje.

Qarqet serbe jo vetëm që nuk ndërmorën ndonjë hap për çeljen e shkollave shqipe në Kosovë, por mbyllën edhe ato shkolla që i kishte hapur Austro-Hungaria në vitet 1916-1918. Nga të dhënat e nxjerra nga arkivat jugosllave, del se ishin mbyllur rreth 50 shkolla me mësim në gjuhën shqipe me rreth 4000 nxënës, të cilëve ju jepnin mësim afër 100 mësues.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Historia e Popullit Shqiptar III. (Tiranë, Toena, 2007), 443-491.

Menjëherë pas themelimit të Mbretërisë SKS (Serbo-kroate-sloovene), kolonizimi i Kosovës, Dukagjinit dhe i Maqedonisë me serbë ishte detyrë me përparësi. Për shumë politikanë serbë dhe disa shkencëtarë, popullsia shqiptare gjithnjë paraqiste problem serioz, i cili kërkonte zgjidhje.

Në studimin “Problemet e kolonizimit tonë të brendshëm”, i cili u botua në revistën “Letopis Matice Srpske” (Novi Sad, 1925, libri 303, faqe 3) Anton Melik pohon se atje “Shqiptarët, në disa vise kanë arritur shumicën absolute, sepse sipas statistikës sonë nga viti 1920 në Qarkun e Kosovës përbëjnë popullsinë shumicë 63.9%, në Zveçan 60.5%, Prizren 65.9%, kurse në Dukagjin madje 80.8%. Detyra kryesore duhet të jetë që ta thyejmë unitetin e shqiptarëve, duke kolonizuar në radhë të parë Fushën e Kosovës dhe Dukagjinin”.

Në Disertacionin e doktoraturës “Reforma Agrare dhe kolonizimi në Kosovë 1919-1941” (Prishtinë, 1981), Milovan Obradoviq thekson se një nga shkaqet që krijoi tensione dhe pakënaqësi te shqiptarët ështëedhe mënyra sesi pushteti serb e bëri kolonizimin me serbë. “Borgjezia serbomadhe deshi të thyente kompaktësinë e fshatrave shqiptare duke sjellë kolonizuesit në to. (…) Shqiptari krenar nuk mundi të duronte nënçmimin nga ana e kolonizuesve agresivë dhe ky ishte shkak i vrasjeve dhe i krijimit të kaçakëve të rinj. (…) Edhe xhandarët kontribuan në marrëdhëniet e këqija midis kolonizuesve dhe shqiptarëve. Duke kryer detyrën e vet, bënë keqpërdorime, i nxitën kolonizuesit kundër shqiptarëve, plaçkitën çdo gjë që u pëlqeu dhe vranë pa kurrfarë shkaku.

Petrit Imami. Serbët dhe shqiptarët ndër shekuj I. (Beograd, Samizdat B92, 2016), 464-465.

Qysh në vjeshtë të vitit 1918 doli në pah konstelacioni, i cili do të vlente deri në shkatërrimin e Jugosllavisë së Parë në prill 1941: shteti serb nuk i donte qytetarët e tij shqiptarë dhe këta e hidhnin poshtë shtetin serb që nga fillimi. Ndonëse zyrtarisht quhej Mbretëria Serbe, Kroate dhe Sllovene, objektivisht është më e saktë që sidomos për Kosovën dhe Maqedoninë e Vardarit të flitet për shtetin serb, sepse dy pjesët e tjera të “kombit me tre emra”, pra sllovenët e kroatët në dy krahinat jugore nuk kishin kurrfarë ndikimi, poashtu kroatët së shpejti gjenden në shënjestër të qeverisë nacionaliste të Beogradit. Edhe diplomatët e huaj, si ata të Britanisë së Madhe, në fillim të viteve të 20-ta flisnin për qeverinë “serbe” dhe nuk e merrnin parasysh se ekzistonin dhe dy kombe të tjera  si sllovenët dhe kroatët.

Historiani i Evropës Juglindore, Holm Sundhaussen, ka shtruar pyetjen nëse pushtimi i Kosovës dhe i Maqedonisë së Vardarit ishte kthesë vendimtare dhe vendim thellësisht i gabuar i politikës serbe të shekullit XX. Në vitin 1918 serbët përbënin në Kosovë 1/3 e popullsisë, në Maqedoni shumica e popullsisë sllave kishte identitet bullgar. Shpenzimet për t’i kontrolluar këto dy krahina, të cilat gjenden, të cilat në masë të adhe kundërshtonin sundimin serb, absorbonin maksimumin e mundësive të Serbisë dhe gllabëronin shuma të jashtëzakonshme parash për mbajtjen e ushtrisë, xhandarmërisë dhe për kolonizim.

Mes dy luftërave botërore, qeveritë serbe ndoqën një qëllim të qartë: ato dëshironin të ndryshonin strukturën etnike në favor të serbëve dhe për këtë ishin të gatshme t’i përdornin të gjitha mjetet e pushtetit shtetërordhe parshtetëror, të cilat i kishin në dispozicion. Popullsia shqiptare mbeti vetëm objekt i kësaj politike, nuk synohej integrimi i shqiptarëve në Mbretërinë e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, Kosova poashtu nuk trajtohej si njësi administrative, për më tepër territori i Kosovës së sotme u nda nëpër këto krahina (odblasti): Kosovë, Vranjë, Rashkë, Zetë dhe Shkup (1922).

Oliver Jens Schmitt. Kosova një histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike. (Prishtinë, Koha, 2012), 144-146.

Kulmi i ndërhyrjeve të armatosura nga Shqipëria (1918-1924) i gjeti autoritetet e Mbretërisë së sapoformuar të Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (SKS) të shtrira midis marrëveshjeve të përkohshme juridike nëpër të cilat po kalonte shteti dhe marrëdhënieve të pazgjidhura ndëretnike. Situatën ia rëndoi edhe gjendja e anarkisë së pasluftës, mosbesimi i popullatës në autoritetet e reja, kufiri i hapur me Shqipërinë dhe Bullgarinë, administrata e pakonsoliduar dhe veprimi i sinkronizuar i kaçakëve dhe komitëve.

Nën ndikimin e lëvizjes së fuqishme shqiptare në pranverën e vitit 1920 filloi tërheqja e aleatëve nga Shqipëria pas së cilës trupat serbe okupuan vijën e demarkacionit e cila shtrihej nga zona në jug të Dibrës, përmes Drinit të Zi deri te skajet veriore të Shkodrës dhe grykës së lumit të Bunës në detin Adriatik. Në korrik 1920 njësitë shqiptare nën komandën e Ahmet Zogut dhe Bajram Currit kanë kryer ndërhyrje në drejtim të Dibrës dhe Gjakovës, për shkak të cilave Komanda e Zonës së Armatës së Tretë  kërkoi vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Në shtator 1921 shqiptarët i shkaktuan disa disfata forcave jugosllave tek Elbasani, kështu që pasoi kundër-goditja me arsyetimin se me këtë është cenuar prestigji i ushtrisë jugosllave. Konferenca e Ambasadorëve ishte duke u zhvilluar dhe vendimet e saj shkonin në favor të Mbretërisë së SKS-së për çka Pašić-i pranoi korrigjimin e kufijve dhe premtoi tërheqjen e trupave. Qysh në mars 1922 erdhi deri tek normalizimi formal i marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare, të përllogaritur për trajtimin sa më të mirë tek Komisioni i sapoformuar për përcaktimin e kufijve. Ky komision u mblodh në Firencë prej 1922-1926, kur pas disa problemeve territoriale dhe lëshimeve reciproke u zgjidh çështja e kufirit jugosllavo-shqiptar. Për më tepër, u vendos edhe zona neutrale (Junik, Batushë, Moliq, Morinë, Brovinë, Ponoshec, Shishman, Popovc) përmes së cilës është dashur të kalojë kufiri definitiv, por ajo më shumë shërbente si strehim për grupet e Bajram Currit dhe Hasan Prishtinës, të cilat ishin një instrument i fuqishëm për ndikim në punën e Komisionit. 

Planet e Italisë për destabilizimin e Mbretërisë së SKS-së nuk u kufizuan vetëm në futjen e aradhave kaçake, por edhe në sinkronizimin e disa lëvizjeve separatiste. Grofi Qano në Ditarin e tij me të drejtë vlerësoi që problemi i përherëshëm separatist në Ballkan do të mund të jetë “thikë e drejtuar në boshtin kurrizor të Jugosllavisë”. Për këtë qëllim, zona e Barit dhe Brindizit ishte më 1922 oazë e drejtuesve shqiptarë të zhvendosur të cilët u morën vesh me udhëheqësit e VMRO-së për krijimin e komitetit të përbashkët i cili do të përbëhej nga seksioni shqiptar, maqedon dhe malazez. Gjatë vitit 1924 në Vlorë u dakordua aksioni i sinkronizuar i kaçakëve dhe komitëve, por kjo nuk mundi të realizohej për shkak të pështjellimeve të brendshme në VMRO.

Vladan Jovanovic, Kačaci na Kosovu, Peščanik, 24. April 2013

Ndarja territoriale e Jugosllavisë 1929-1939

Ivo Banac. The national question in Yugoslavia. New York, Cornell University Press, 1984), 58. (libër elektronik)

https://books.google.com/books?id=KfqbujXqQBkC&lpg=PP1&hl=bg&pg=PA58#v=onepage&q&f=false

Dokumentar-Azem Galica.

Dokumentar-një Zhan D’Ark Shqiptare.